Përplasja në Elbasan/ Dy fytyrat e fushatës së PS për 25 prillin

591
Sigal

Mjaftuan disa thirrje “Rama ik” nga militantët e PD në Elbasan, që Partia Socialiste të shfaqë një fytyrë tjetër, atë për të cilën Edi Rama është akuzuar se ia imponoi që nga viti 2013, fytyrën e të fortëve të lagjeve dhe ish të dënuarve që “kontribuojnë” në fushatën e Partisë Socialiste dhe shpërblehen me poste pas zgjedhjeve.

Flirti i lidershipit socialist me krimin bëri një hap pas për shkak të ligjit të dekriminalizimit, presionit të ambasadorëve të huaj dhe daljes së përgjimeve të dosjes 339 dhe 184 të prokurorisë, por skema u perfeksionua më tej dhe siç tregoi sherri Ditën e Verës është ende aktive.

Mënyra se si funksion politika e Rilindjes është e tillë që para kamerave të televizioneve parakalojnë marionetat, njerëz të shkolluar, burra të mirëarsimuar, vazja apo gra që përdoren për fasadë në fjalime apo në debate publike. Për një post dhe për pak pushtet, këta pranojnë të bëhen fytyra e bukur e farsës elektorale.

Vini re se si Ditën e Verës në bulevardin kryesor të qytetit Rama marshoi mes qytetarëve duke pasur në krah kryebashkiakun Gledian Llatja, një djalë që përfaqëson në çdo hap që bën “çunin e mirë” dhe qytetar, kukulla perfekte për koperturën e Rilindjes.

Në krah të Ramës ishte edhe Evis Kushi, Ministre e Arsimit, ish pedagoge e Universitetit Aleksandër Xhuvani dhe që mund të flasë me orë të tëra pa pushim për shkollat, mësimdhënien dhe universitetet.

Bashkë me Ramën ishte edhe Taulant Balla. Vërtet ky mund të konsiderohet shëmbëlltyrë e provincës, allishverisheve, grykësisë apo edhe servilizimit politik, por gjithsesi mbetet i shkolluar jashtë vendit, njeriu që mban kontaketet me krimin, por vetë nuk e ka një të shkuar kriminale.

Këta të katërt, bashkë me Ramën që mbante lule në xhaketë e kadifenjtë, ishin “vitrina” e Partisë Socialiste, Ditën e Verës. Së bashku, përshëndesnin njerëzit në rrugë, u pritën në një familje të vjetër të Elbasanit dhe pinë kafe në një nga lokalet e vjetra të Kalasë së qytetit, të gjitha të transmetuara live në ERTV.

Por mjaftuan disa thirrje të militantëve të Partisë Demokratike, që fasada të prishej. Partia Socialiste shfaqi fytyrën tjetër, egërsinë dhe dhunën e njerëzve që qëndrojnë në prapavijë.

Në vend të Gledian Llatjes doli “Kel Çami”, në vend të Evis Kushit, u shfaq Pjerin Xhuvani dhe në vend të Taulant Ballës u fut “Nini”, në vend të fjalimeve për mikpritjen nisën sharjet në kor “Basha, Basha, të q.. fsha motrën” dhe fill pas kësaj nisi dajaku, fluturuan grushtat dhe njerëzit u shtrinë në tokë nga të goditurat. Më poshtë janë emrat që dolën në skenë sepse u thirr “Rama ik”:

 1. KELMEND YMER XHAFERRI ( pseudonimi Kel Çami) ka qënë më parë i dënuar për disa vepra penale dhe i përfshirë në incidentin kundër punonjësve të policisë në Elbasan tek Tregu Ushqimor, duke thyer me forcë postobllokun e policisë.
2. NINO, anëtar i krimit të organizuar.
3. MARSEL RROKAJ, anëtar i krimit të organizuar dhe djali i Agron Rrokës, drejtori i burgut Elbasan.
4. ERIS SKILJA, anëtar i krimit të organizuar.
5. NALDI METAJ (i njohur me pseodonimin BABALJA), anëtar i krimit të organizuar.
6. GËZIM RUSI, anëtar i krimit të organizuar.

Në media dolën fytyrat e tjera, ato të elementëve kriminalë që ndihmojnë sot në fushatë dhe nesër në pushtet kërkojnë shpërblim. Emrat që dolën nga “prapavija” nuk janë rastësi.

I ashtuquajturi Kel Çami është një nga protagonistët e përplasjes me policinë në tregun e qytetit dhe konfirmon edhe një herë se lidhjet e vjetra me bandat e qytetit nuk u shkëputën asnjëherë. Fushata i ka riaktivizuar edhe një herë tjetër “ushtarët” e partisë dhe kush thërret në publik “Rama ik” e ka punën pisk./Lapsi.al/