Përmbaruesit/ Sekretari i Përgjithshëm Kodra: Akti Normativ fshehë të vërtetën që qeveria të mos paguaj borxhet ndaj qytetarëve

494
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës së Përmbaruesve, Besmir Kodra, tregohet i drejtëpërdrejtë kur deklaron se Akti Normativ nr.13 i qeverisë për bllokimin e shërbimit përmbarimor pa afat, është brutal.

Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Aktit Normativ nr. 13, dt. 02.04.2020, urdhëroi pezullimin pa afat të të gjitha praktikave përmbarimore, nën argumentin e mbrojtjes së interesit të qytetarëve përballë penaliteteve për shkak të urdhërave përmbarimorë gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19.

Por, Dhoma e Përmbaruesve Shqiptare ka një këndvështrim tjetër për këtë vendim të qeverisë. Sipas organizmit që përfaqëson interesat e zyrave përmbarimore shqiptare, qeveria ka miratuar Aktin Normativ për të mos likujduar detyrimet që institucionet publike u kanë qytetarëve.

Kodra deklaron se qeveria shqiptare, me këtë Akt, u ka hequr mundësinë qytetarëve që të përfitojnë paratë që kanë fituar gjyqësisht për shkak të papërgjegjshmërisë së institucioneve publike.

“Ky akt, më populist se të tjerët, ndalon veprimtarinë e përmbaruesve, ndërmjetësve dhe administratorëve të falimentit, për një kohë të pacaktuar sa të përfundojë gjendja e pandemisë së Covid-19”, shprehet zyrtari i lartë i Dhomës së Përmbaruesve.

Sipas Kodrës, “Akti normativ nr. 13, nën maskën e ndihmës së popullit, kërkon të fshehë të vërtetën e madhe të ndërprerjes dhe mospagimit të detyrimeve të vetë buxhetit të shtetit të shkaktuara në 6 vite nga papergjegjshmëria e administratës”.

Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës së Përmbaruesve e mbështet idenë e tij, duke krahasuar qasjen e qeverisë përballë profesioneve të tjera të lira.

“Akti normativ nuk bllokon noterët dhe avokatët, por vetëm kategorinë që Rama kërkon ta atrofizojë për shkak të një borxhi kolosal shtetëror që qeveria e tij i ka kreditorëve që janë biznese, kompani dhe njerëz të thjeshtë të flakur nga puna”, thotë Besmir Kodra .

Bllokimi i punës së përmbaruesve dhe ndërmjetësve me akt normativ, “me pretekstin e pandemisë, shkel me të dyja këmbët çdo rregull dhe kod juridik të vendosur në 30 vite demokraci”, shprehet Kodra.

Ekspert në fushën ligjore, Kodra mendon se Akti Normativ nr. 13, jo vetëm që godet ashpër përmbaruesit, por edhe u jep dorë të lirë bankave dhe institucionave financiare jo-bankare që të vendosin “rregullat e llojës” në një treg bosh, pa aktorë të tjerë të rëndësishëm.

“Nga ky Akt Normativ pritet që të përfitojnë bankat dhe shoqëritë e mikrokreditit, të cilat me ‘fushën’ bosh, pa ndërmjetës dhe përmbarues, do vendosin rregullat e tyre ndaj mijëra qytetarëve, të cilët do presin nëpër shtëpi, të ngujuar, letrat dhe telefonatat e tyre shantazhuese për pagimin e detyrimeve në kohë”, deklaron Besmir Kodra.

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Private të Shqipërisë ka shprehur solidarizimin e saj me qytetarët që po vuajnë pasojat e pandemisë COVID-19, nëpërmjet veprimeve konkrete.

Në datë 24 Mars 2020, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve vendosi të pezullojë menjëherë të gjithë kontratat e shërbimit të lidhura me institucionet bankare dhe ato financiare jo-bankare.

Ky qëndrim erdhi, ndër të tjera, edhe në zbatim të Udhëzimit të Ministrisë së Drejtësisë nr. 5, datë 19 Mars 2020, në të cilin kërkohej mirëkuptimi i Përmbaruesve për të mos rënduar financat e qytetarëve në këtë periudhë krize ekonomike.

Udhëzimi i Ministrisë së Drejtësisë, megjithatë, përjashtonte nga pezullimi kontratat e shërbimit, për rastet kur institucionet publike ishin debitorë ndaj qytetarëve dhe strukturave të tjera private.

Praktikisht, Ministria e Drejtësisë, në Udhëzimin e saj, u kishte dhënë një kanal frymëmarrjeje Përmbaruesve përgjatë periudhës së pandemisë.

Por, vullneti pozitiv, gjithësesi me pikatore, i treguar nga Ministria e Drejtësisë, u rrëzua tërësisht nga Akti Normativ nr. 13 i Këshillit të Ministrave, i cili i bllokon të gjithë aktivitetin përmbaruesve dhe ndërmjetësve, duke rrezikuar falimentimin e plotë të tyre.

Me goditjen e Përmbaruesve, Qeveria shqiptare ka siguruar veten nga shlyerja e detyrimeve, ndërkohë që u ka dhënë edhe bankave mundësinë për të vepruar tërësisht të pakontrolluar përballë qytetarëve, në këtë situatë pandemie./Boldnews.al