Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në aktivitetin përkujtimor të martirëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se pjesëmarrja në ngjarje të tilla përkujtimore, mbart në mënyrë të pashmangshme peshën e madhe të përgjegjësisë historike për ta parë të kaluarën në sy. Ai i konsideroi poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dëshmorë të fjalës dhe mendimit të lirë. Ditë si këto, shërbejnë si mundësi për t’i thënë të vërtetat e historisë veçanërisht, brezit të ri, që është këtu prezent. Vilson Blloshmi e Genc Leka ishin dy të rinj që kishin ëndërr poezinë dhe mësuesinë. Por tragjizmi i fatit të tyre, bëri që ata të na mësojnë më shumë pas vdekjes. Që të dy lindën në mars dhe ky ishte një tjetër përkim i trishtueshëm për fatin e dy mësuesve martirë. Në mars, shqiptarët nderojnë figurën e mësuesit dhe përmes tyre, shprehin dashurinë për shkollën dhe edukimin. Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës ua ndërprenë ëndrrën për të edukuar brezat e rinj. Me ekzekutimin e tyre në moshën 29 dhe 36 vjeç, u shuan dhe dy poetë antikonformistë. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë dëshmorë të fjalës dhe mendimit të lirë. Poeti Vilson Blloshmi e kishte parandjerë se “Saharaja s’sheh ëndërra, s’sheh as drurë, s’di të ëndërrojë, s’ka këngë, s’ka as lotë…”. Këto vargje të pabotuara të tij, fatkeqësisht, i mjaftuan regjimit për t’i ndërprerë në mes, ëndrrën më të bukur: atë të jetës. Begaj theksoi se aktivitete të tilla kontribuojnë në ndërgjegjësimin e të rinjve për të shkuarën komuniste të Shqipërisë.
Ballina Aktualitet Përkujtohen dy martirët. Presidenti Begaj: Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, brengë në...