PD proteston në Ditën e Rinisë, policia merr në mbrojtje Bunkerin

391
Sigal

Dita e Rinisë është shndërruar sot në një ditë protestash masive para katër institucioneve qeveritare nga ana e të rinjve të Forumit Rinor të PD-së. Teksa protestohet paralelisht e paqësisht, forcat e policisë kanë ndjekur nga afër veprimet e protestuesve.

Rreth orës 11:30, policia i është afruar Bunkart 2, dhe e ka marrë në ruajtje, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.

Rruga që të shpie në hyrjen e bunkerit, djegur një vit më parë në të njëjtën ditë gjatë protestës së opozitës, është bllokuar nga forcat e policisë, duke mos lejuar kalimin.

Të rinj me pankarta në duar janë pozicionuar para Bashkisë, Ministrisë së Arsimit, ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrisë së Brendshme.

Vëllai i Ardit Gjoklajt: Në Sharrë e vrau Veliaj

Vëllai i Ardit Gjoklajt, 17 vjeçarit që humbi jetën në ladfillin e Sharrës iu bashkua sot protestës së Partisë Demokratike përpara Bashkisë së Tiranës.

Në një fjalim të shkurtër të mbajtur para protestuesve, ai akuzoi Veliajn për vrasjen e vëllait.

“Në Ditën e Rinisë askush nuk i ka kërkuar falje familjes sime. Në Ditën e Rinisë dua të kërkoj ty Veliaj, dil përpara drejtësisë dhe jep llogari sepse e thirre vëllain time për punë dhe pastaj e vrave. Familja ime nuk ta var kurrë”.

Pas kësaj rreth orës 12:00 ata do të bashkohen të gjithë në një protestë të vetme para Kryeministrisë.

Duke rikujtuar 8 dhjetorin, ditën e ndryshimit të madh që solli forca e të rinjve, ata kanë rrethuar sot institucionet.

Te ministria e Arsimit 

Protesta ka nisur në orën 11:00. “Kundër reformës në arsim”, “Dorëheqje ministrja Nikolla”, dhe thirrje të tjera dëgjohen në protestën para Ministrisë së Arsimit.

Te bashkia 

Kundër importit të mbetjeve, kundër taksave, drejtësi për Arditin, që u vra në Sharrë, janë thirrjet që dëgjohen nga protesta që mbahet para Bashkisë së Tiranës.