Pasuritë shtetërore po jepen veresie në këmbim të votave

299
Sigal

Shtatë muaj para zgjedhjeve qeveria vendos dhënien me qira të pasurisë kombëtare, kryesisht objekte shtetërore në Tiranë, rrethe dhe toka në zonat bregdetare me çmime qesharake. Pas dhënies së 46 kontratave të para të PPP-ve për 35-vjet, qeveria ka vendosur që pronat të jepen me çmim 70% më pak se vlera aktuale, ku 1000 metra buzë detit, kushtojnë 29 mijë lekë, ose 33 lekë për metër katror. Ja çmimet sipas qarqeve

Në prag të zgjedhjeve parlamentare qeveria vendos uljen me disa herë të çmimit të dhënies me qira të pronave shtetërore.  Vendimi prek më shumë Tiranën dhe zonat bregdetare, ku jo pak herë janë hedhur dhe akuza për vendime në favor të grupeve të caktuara. Pas 46 kontratave me koncesion partneritet publik privat, me afat deri në 35 vite apo dhe më shumë, qeveria merr një tjetër vendim që favorizon grupe të caktuara. 7 muaj para  zgjedhjeve parlamentare, është vendosur të ulet çmimi i dhënies me qira të pasurive shtetërore. Madje sipas vendimit të fundit vlera e tyre ka rënë me 70 për qind ku zonat më të prekura janë kryeqyteti dhe bregdeti.  Bëhet fjalë për pasuri të tilla si ndërtesa, magazine apo sipërfaqe toke. Referuar të dhënave në bashkinë e Tiranës,  tarifa e përcaktuar nga qeveria është 121 lekë për metër katror nga 300 që ka qenë më parë. Vlora dhe Durrësi, po ashtu shihen si qarqet ku pronat do të merren me një çmim disa herë më  të lirë. Nëse më parë për 1 mijë metra katrorë në bashkinë e Vlorës paguaje 200 mijë lekë në muaj, tashmë për të njëjtën sipërfaqe paguan vetëm 29 mijë lekë. Ndërkohë që në atë të Durrësit tarifa dysheme ka arritur në 42 lekë për metër katror nga 200 që ka qenë sipas vendimit të parë. Në bazë të urdhërit të vitit 2014, ata që dëshironin të merrnin tokë shtetërore duhet të paguanin rreth 100 lekë për metër katror në të gjithë Shqipërinë,  ndërsa tashmë vlera zbret me rreth 33 lekë. Pasuritë shtetërore, që jepen me qira,  janë: ndërtesat, sipërfaqet funksionale, trualli i lirë, makineritë e pajisjet e linjat e prodhimit të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital 100 për qind shtetëror. Qeveria po jep veresie pronat shtetërore,  me qëllim që PS-ja të përfitojë votat në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.