Pas vendimit të parlamentit, Shqipëria përballet me një tjetër goditje ndaj lirisë së medias

278
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gazetarët në Shqipëri nuk do të kenë më qasje në parlament, një nga organet e fundit publike ku ata mund të takonin lirshëm kontakte, të bënin pyetje dhe të merrnin përgjigje.

Gazetarët në Shqipëri kanë reaguar me shqetësim ndaj një vendimi nga parlamenti i vendit për të kufizuar hyrjen në seancat e asamblesë vetëm për televizionin publik dhe agjencinë shtetërore të lajmeve, duke e quajtur atë, goditjen e fundit ndaj lirisë së medias nën Partinë Socialiste në pushtet. Ndërsa njoftonte vendimin në fillim të qershorit, parlamenti tha se rregullorja e re e medias u hartua në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian, të cilit Shqipëria dëshiron t’i bashkohet, një pretendim që delegacioni i BE-së në Tiranë, e mohoi. Gazetarët që nuk janë pjesë e televizionit publik ose e agjencisë shtetërore të lajmeve të Shqipërisë, do të marrin vetëm pamje video të seancave të parlamentit dhe nuk do të kenë qasje të drejtpërdrejtë në asamble. “Në fakt, kjo na ndalon të shikojmë ngjarjet me sytë tanë, të shohim se cilët deputetë janë në mbledhje, si votojnë ose si negociojnë ata”, tha gazetarja Esiona Konomi, e cila mbulon rregullisht parlamentin.“Duke qenë se pamjet video do të prodhohen vetëm nga asambleja, kjo krijon rrezikun që videot të censurohen për shkak të defekteve teknike, ose për qëllime manipuluese politike. Kemi pasur raste të tilla gjatë pandemisë.”

Juxhin Mustafaraj, i cili gjithashtu raporton për parlamentin, tha për se ky ishte vazhdimi i një procesi kufizimi në qasje që nisi gjatë izolimit për shkak të COVID-19 të vitit 2020: “Do të jetë një derë tjetër e mbyllur, pas zyrës së kryeministrit, gjykatave, prokurorisë”, tha ai.

“Kontroll mbi fluksin e informacionit”

Mbikëqyrësit e lirisë së medias janë shqetësuar gjithnjë e më shumë për gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, i cili në prill fitoi një mandat të tretë në detyrë. Në vitin 2018, Rama zbuloi një paketë legjislative “anti-shpifje” për të rregulluar mediat online në Shqipëri, por u përball me një stuhi kritikash nga mediat lokale, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së. Ai shkoi përpara, duke fituar miratimin e parlamentit, por qeveria u tërhoq vitin e kaluar pas konsultimeve me Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës.“Nga fillimi i pandemisë, qeveria shqiptare vendosi kontrollin mbi rrjedhat e informacionit”, sipas një raporti të botuar vitin e kaluar nga ‘Konrad Adenauer’ ‘Stiftung’ dhe ‘Qendra për Studim të Demokracisë’ me bazë në Sofje./ ‘BIRN’