Bankat zbulojnë “minierat e arit” në Shqipëri

612
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Vala e re e optimizmit mbi sektorin e ndërtimit, duket se po përfshin edhe bankat. Kredia e re për sektorin e ndërtimit në katër muajt e parë të këtij viti, ka arritur nivelin më të lartë në pesë vitet e fundit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për katër muajt e parë të këtij viti, kredia e re në sektorin e ndërtimit, arriti vlerën e 8.2 miliardë lekëve, në rritje me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kredia për ndërtimin është rritur dukshëm, edhe e shprehur si peshë specifike ndaj kredisë së re dhënë për sektorin privat gjatë periudhës. Ndërtimi zinte 20.7% të kredisë së re për ndërtimin, nga 13.1% për të njëjtën periudhë të vitit 2020. Edhe e shprehur si peshë specifike, kredia e re për ndërtimin, ka arritur nivelin më të lartë në pesë vjet.

Ndërtimi ka qenë një sektorët kryesorë që mbështetën rritjen e kredisë, deri në fundin e dekadës së parë të viteve 2000. Nga ana tjetër, ky sektor rezultoi si një nga “përgjegjësit” kryesorë për rritjen e nivelit të kredive me problem të bankave, për shkak të shumë investimeve që rezultuan të gabuara ose të mbështetura në pritshmëri tejet optimiste.

Tashmë, kredia për ndërtimin po përjeton një fazë të re rritjeje, e nxitur nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet. Mbështetur në të dhënat e INSTAT, për vitin e kaluar, vlera e lejeve për ndërtesa, përfshi rikonstruksione, ishte rreth 77 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë kishte qenë pothuajse 81 miliardë lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja mesatare vjetore e çmimeve të pasurive të paluajtshme për vitin 2020 ishte 11.3%.

“Kredia e re për sektorin e ndërtimit në katër muajt e parë të këtij viti ka arritur nivelin më të lartë në pesë vitet e fundit. Katër muajt e parë të këtij viti kredia e re, në sektorin e ndërtimit arriti vlerën e 8.2 miliardë lekëve”

Rritja e çmimeve po inkurajon jo vetëm sipërmarrësit, por po nxit edhe më shumë bankat t’i mbështesin këto projekte. Megjithëse pjesa më e madhe e investimeve në ndërtim po financohet me burime të tjera, duket se edhe bankat tregtare po e shfrytëzojnë ecurinë e favorshme në tregun e pasurive të paluajtshme, për të zgjeruar biznesin si në financimin e këtyre investimeve, ashtu edhe në blerjen e tyre nga familjet shqiptare.

Nuk përjashtohet megjithatë që rritja e kredisë për ndërtim të jetë ndikuar pjesërisht edhe nga programi i rindërtimit apo nga investimet në infrastrukturë, përfshi edhe PPP-të. Firmat e ndërtimit që zbatojnë projekte në kontratë me qeverinë përgjithësisht kanë gjetur mbështetjen e sektorit bankar, përfshi edhe financime në vlera të mëdha, si ato të Rrugës së Arbrit apo Rrugës së Kombit

Zinxhiri i kredimarrjes dhe grabitja e fshehtë 

Çështja e kredive të bankave fillesën e ka që tek zinxhiri ku përfshihet:  pronari i tokës, ndërtuesi,  dhënia e lejes së ndërtimit, taksa vendore dhe  qendrore.  Nga këtu  do të thotë që pronari do përqindjen e vetë, e cila është rritur, ndërtuesi do  interesat e veta sepse prandaj ndërton. Një pjesë e mirë e ndërtuesve  nuk kanë para të mjafueshme, pasi  janë të detyruar që të paguajnë  3% të vlerës bashkive për të pastrehët, një model komunist ky në sistemin kapitalist të ndërtimit, pasi ndërtuesi jep 3% bashkisë dhe bashkia  bën nder me interesat e ndërtuesit. Ndërkohë ndërtuesit paguajnë dhe 8% të tjera për bashkinë dhe kjo është shtesë, paguajnë dhe 20% për TVSH. Sipas llogarive i bie që 31% i do vetëm shteti, 40% i do pronari, atëhërë lind pyetja: Sa do fitojë pronari i tokës, sa fitojë ndërtuesi, po kostoja e ndërtimit ? Duke marrë parasysh këto, rezulton se është një nga arsyet pse çmimet rriten me 300%, ndaj në Shqipëri ka rritje të jashtëzakonshme  të çmimeve, pasi taksat po groposin biznesit dhe në fund të fundit, sado që bashkia dhe shteti t’i rrisin taksat ndërtuesit, kusuret në fund, do i paguaj qytetari.

Kjo sepse ndërtuesit të mbetur pa zgjidhje, do të rrisin koston që do i paguajnë qytetarët. Qytetarët nga ana tjetër, një pjesë kanë para për t’ju marrë, ndoshta jo të gjitha, atëherë detyrohen dhe marrin kredi në banka, bankat i japin kredit me interesa të larta duke fituar në mënyrë marramendëse dhe ‘groposen’ qytetarët, hallexhinjtë, të cilët kur vjen një moment që nuk pagujanë dot kreditë, ua merr banka nëpërmjet kompanie përmbarimore dhe për aq vlerë sa kanë ngelur pjesa e bankës, që do të thotë, nëse një shtëpi kushton 80 mijë euro, ai ka paguar 50 mijë euro, bankës nuk i intereson momenti që qytetari nuk ka mundësi të pagujë lekët, po e shet shtëpinë për 30 mijë euro. Dhe ato 50 mijë euro ikin marrin fund, sepse banka thotë “kaq kam interes, të marr lekët e mija, s’më duhen  lekët e tua, se çfarë do bësh,” duke krijuar një kaos dhe një pasiguri totale dhe një lloj grabitje të fshehtë, si nga bankat, si nga heshtja e shtetit, ku ata që e pësojnë në fund, janë qytetarët, që në pamundësi, marrin rrugët e Evropës.