Pas Butrintit, qeveria dorëzon në ‘tentakulat’ e privatit edhe menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Bylisit

20
Sigal

Pas Butrintit dhe Spaçit duket se ministria e kulturës dorëzon në ‘tentakulat’ e privatit edhe menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, ku AADF po përpiqet të vendosë në krye të Projektit të Parkut të Bylis, një nga punonjësit e saj i cili po bënë gati draftin që do i dëgohet Kuvendit. Si u zhdukën 6 milion e 250 mijë euro fonde të BE-së të vënë në dispozicion të Bylisit për futjen në UNESCO. Flasin Prof.Sazan Guri dhe Fitim Caushi: Intelektualët të nënshkruajnë pëticion për të shpëtuar monumentët. Arkeologu Halil Shabani: Më pushuan nga puna, vetëm pse refuzova që objektet Ilire t’i bëja me përkatësi helene!

Pas Butrintit dhe Spaçit duket se është radha e Bylisit që të jepet tek një fondacion privat.

Projekti për Parkun e Butrintit ka qenë kryefjalë e muajve të fundit, kjo për shkak edhe të kritikave të forta nga ana e UNESCO-s pasi krijimi i një fondacioni nuk përmbush menaxhimin e integruar të Butrintit. UNESCO në raport, i cili u mbajt i fshehtë nga qeveria shqiptare, shprehej thellësisht e shqetësuar për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkoi autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e këtij parku.

Parkun Arkeologjik i Bylis në kthetrat e AADF

Ndërkohë ditën e hënë, më 8 prill është mbajtur një dëgjesë publike për planin e e menaxhimit të integruar të Parkut Arkeologjik të Bylisit, ndryshe nga ai i prezantuar më parë.

Ka qenë Ilir Parangoni, “team leader” i projektit Bylis në AICS-së (Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim), që prezantoi në mënyrë të përmbledhur detaje nga draft-propozimi i ri i qeverisë, i cili sugjeron, menaxhimin me fondacion privat të Parkut Arkeologjik.Të pranishëm në prezantim ishin përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, arkeologë, përfaqësues nga Bashkia Mallakastër, IKTK-ja, etj.

Po ashtu i pranishëm ishte edhe Tomorr Luzati, i cili deri në muajin janar, ka qenë “team leader” i projektit “Bylis” në AICS (Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim). Gjatë dëgjesës publike ai ngriti pyetjet se përse qeveria ka vendosur për të ndërruar modelin e menaxhimit të parkut, nga menaxhim i drejtpërdrejtë publik në menaxhim me fondacion teksa në pesë draftet e para propozimi ka qenë për administrim publik.

Paragoni mesa duket mban edhe postin e drejtorit të projekteve pranë (AADF). Në dëgjesën publike nuk u dha llogari se ku kanë përfunduar fondet e BE dhe si mund të rikthehemi Planit të Menaxhimit ku shteti shqiptar është përgjegjës. Por u gatua një plan ku dalin famozët e AADF, tashmë që drejtorin e tyre të projekteve Ilir Parangonin e kanë dërguar me punë tek Zyra Italiane e AICS në Tiranë.

6 milionë euro fonde të BE në drejtim të paditur, SPAK të hetojë

Projekti i Bylisit, i financuar nga fondet e Bashkimit Europian, po zbatohet nga disa Universitete dhe NGO Italiane nën ombrellën e Institutit Italian të Kultures prej disa vitesh. 6 milion e 250 mijë euro fondi në dispozicion të Bylisit dhe duhet të ishin plotësuar disa pika si futja në UNESCO, sinjalistika, rritja e kapaciteteve , restaurimi etj,. Ku fatkeqësisht, flitet se nuk është vënë dorë. “Telegraf” hulumtoi për pasuritë kombëtare që janë pjesë e UNESCO, dhe u pa që Bylis nuk rezulton.

SPAK duhet të nis hetimet lidhur me shpërdorimin e fondeve për zonat arkeologjike, kalave dhe pasurive kombëtare. Pasi kujtojmë se në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit që “Telegraf” disponon, investigimi nxorri në pah se 122 monumente janë shkatëruar si pasojë e keqmenaxhimit , 884 monumente janë në gjendje të pranueshme por që kanë nevojë për restaurim, 745 objekte janë në nevojë për një mirëmbajtje të vazhdueshme, ndërsa 98 objekte janë të tjetërsuara si dhe 15 objekte pa kartelë.

Duke para katrahurën që i është bërë historisë shqiptare, duhet të bëhet transparencë dhe hetim mbi fondet e dhëna nga BE për Bylisin, për të shmangur situata si skandali me vjedhjet e fondeve të BE për fermerët, ku rezultoi se fondet kishin përfunduar në dorë të oligarkëve e krimit  për resorte dhe vila.

Modeli i ri i propozuar i dorëzon për 7 vite Bylis

Modeli i administrimit i propozuar për Parkun Arkeologjik të Bylisit ka qenë “menaxhimi i drejtpërdrejtë publik”, nga 8 punonjës. Por mesa duket gjërat kanë ndryshuar, pasi Bordi i Fondacionit të ri do të emërojë një Drejtor të Përgjithshëm për menaxhimin e sitit, e po ashtu do të ketë të drejtë investimi 5 ose 7-vjeçare.Fondacioni i ri do të ketë autoritet në të gjitha sferat e funksionimit që lidhen me mirëmbajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, përfshirë menaxhimin e vizitorëve, organizimin e ngjarjeve, menaxhimin e shërbimeve turistike, zhvillimin e kapaciteteve të brendshme, dhe angazhimin me komunitetin lokal etj.Ndërkohë në draft thuhet se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të vijojë të mbajë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa fondacioni i propozuar do të merret me menaxhimin e përditshëm, organizimin e aktiviteteve të ndryshme me karakter edukues, evente, dhe promovime. Por duket se asgjë në vendin tonë tashmë nuk bën më çudi, teksa qeveria e ka kthyer vendin në pronë të saj. Këtu duke marrë parasysh zgjatjen e afatit për investimet strategjike apo votimit të ligjit që i hap rrugë ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe pa harruar edhe projektin e dhëndrit të ish-presidentit Donald Trump në Sazan.

Fitim Çaushi: Të nënshkruhet peticioin nga forcat intelektuale dhe kulturore të vendit, për të ndaluar dhënien me koncension të Monumenteve të Kulturës

Është një makutëri, gati e pabesueshme, shpërdorimi dhe përvehtësimi i shumëpërfolur, që i bëhet fondeve të Bashkimit Evropian dhe qeverive dashamirëse për kulturën shqiptare, sikurse fondit të qeverisë italiane për projekte në Parkun Arkeologjik të Bylisit  nga AICS në Tiranë, me partneritet Institutin e Arkeologjise Tirane dhe Ministrine e Kultures, lidhur me restaurime, promovime, sinjalistikë, regjistrimi në UNESCO etj, ndërkohë që thonë se nuk është bërë asgjë.

Nëse ky shpërdorim i fondeve të Monumenteve të Kulturës dhe mosinteresim për atë gjigand të Kulturës së Ilirisë, sikurse është Bylysi, si dhe të tjera Monumente Kulture, është i vërtetë, do të mjaftohemi t’i krahasojmë këta vampirë me arkeologun nga Zymi i Prizrenit At Gjeçovin, i cili për të dëshmuar identitetin kombëtar, u mor me gërmime arkeologjike dhe u asgjësua në mënyrë barbare nga agjentët serb. Ishte ky atdhetar i Madh, që në Luftën Kombëtare të Vlorës, kishte  ngritur me rastin e fitores,  flamurin në Kaninë me Ahmet Lepenicën.

Arkeologët e nderuar të Shqipërisë, me punën e tyre të ndershme dhe plot sakrifica, ndriçuan me zbulimet e tyre nga nëntoka e qytetit antik të Bylysit, një histori të lashtë që dëshmon për qytetërim antik të Bylynëve të pjesës së Ilirisë qëndrore.  Kalimi i këtij fondi në duart e privatit, do të thotë t’i varin ujkut mëlçitë në qafë.

Mund të vjedhin nga rrugët, nga plot investime të tjera, por kursesi nga insitucionet kulturore, të cilat vetëm ato, mund të na përfaqësojnë para botës së modernizuar, si një popull me dëshmi të lashta qytetëruese, veçanërisht tani që trojet shqiptare i pretendojnë si troje greke dhe sllave.

Nuk mund të konsiderohet as kombëtare as njerëzore dhënia me konçension e Bylisit dhe Monumenteve të tjera Kulturore, sepse shteti shqiptar i ka të gjitha kapacitetet që të drejtoj projektin dhe të kërkojë nga studiuesit shqiptar llogari për çfarë ka ndodhur, kush i ka shpërdoruar fondet. Nuk mund të vazhdohet të veprohet sikurse më parë, me shpërdorime të miliona eurove për zonat arkeologjike, kalave, etj., monumenteve kulturore.

Pikërisht për këtë problem kaq të rëndësishëm për Monumentet tona Kulturore, duhet të nënshkruhet një peticion nga forcat intelektuale dhe kulturore të vendit, e ndoshta edhe një referendum, për të ndaluar dhënien me koncension të Monumenteve të Kulturës.

 

Bylisi fatin si Butrinti, historia shqiptare në ankand

Sazan GURI

Drejtor ekzekutiv i Akademisë “Rrënjët Tona”

Dihet botërisht që pushtimet në Shqipëri, dikur Epir, Iliri apo Arbëni kanë ndikuar si uji në shpinë të rosës që dtth se nëse nëpër porte, fusha e bregdete si Durrës, Apolloni deri diku ato ndiheshin e ndikonin me anë të administratave dhe tregtive përkatëse, në zonat kodrinore dhe veriore të Ilirisë si Bylis, Klos, Amantie, Lezhë, Shkodër, epërsinë e administrimit të pushtetit dhe të kulturës e kishin vendasit dhe aq më pak këto në zonat malore si Dimal, Dibër, Koman, Mat, etj. Dhe ky shtet, për qejf të vet, mbasi ka shitur çdo objekt të gjetur ilir në trevat dhe muzetë Apolloni, Durrës, Butrint, Orikum, etj. Mbasi me paudhësitë, paftësitë dhe djallëzitë e tyre, ata që ju të dashur njerëz i quani akademikë dhe njerëz të mëdhenj publikë kanë marrë pjesë, me zë e pa zë në plaçkitjen e madhe të objekteve ilire dhe kthimin e tyre në objekte helene e romake, aq sa ende sot, turistët pyesin nëpër këto muzera se çfarë është kjo apo ky objekt? Dhe marrin nga papagajt tanë të mësuar në korr në shkollat e gabuara dhe nga njerëz të gabuar, se kjo është helene! Po kjo? Është romake? Po kjo? Helene prapë e romake prapë dhe asnjëherë ilire apo epire, aqsa ata turista me mend që kanë mësuar kulturën e stërgjyshërve shqiptarë për të cilën vijnë stërpyesin se ku është kultura ilire apo epire? Edhe kur ndodh që gjen dhjetë emra njerëzish në Bylis, ca që duken si helenë dhe ca që janë ilirë të të thonë se kemi të bëjmë me kulturë greke, po pse? Sepse ka më shumë emra helenë, pavarësisht se ata me emra helenë kanë ardhur për të marrë nga emrat ilirë si Prytani (Kryetari i Bashkisë), Kryetari i shtetit, nga Strartegu apo Magjistri vizë apo leje për të hyrë në Bylis apo në Epir, që siç thotë studiuesi Arsim Spahiu i lauruar në Francë mblidhej Këshilli i Pleqnisë për të deklaruar vizë për shtetasit e huaj, si grekë, etj.

Teatrot dhe amfiteatrot nëpër qytetet kyçe të Ilirisë dhe Epirit, çka tregon për forcën ekonomike, kulturore apo të artit të trashëguar dhe jo të sjellë, sepse këto amfiteatro ishin më të mëdha se të atyre që ne na kanë mësuar se i sillnin. (teatri i Bylisit kishte pothuajse po aq  spektatorë sa kishte Athina)

Pikërisht këtë duan të zhbëjnë! Ose nuk kërkojnë me anë të gërmimeve historinë e varrosur, kur bëhet fjalë për ato treva arkeologjike që mbartin kulturën e pastër ilire apo epire si Lezha, Shkodra, Dimali, Tomorri, Dibra, Komani, etj., ose dhe atje ku gërmojnë si rasti Bylis që me anë të një Fondacioni italian po kuptojnë se del i tëri herë ilir e herë epir, pra, gjithmonë me stërgjyshër shqiptarë. Dhe kjo d.t.th jo pak për ata që duan të vazhdojnë të shtrëmbërojnë historinë, e cila është një bashkësi gënjeshtrash thotë gjenerali arbëresh i Francës N.Bonaparte, për të cilat kanë rënë dakord të gjithë. Se po doli me fakte e artefakte pa fund se Bylisi është ilir, po Klosi më tej ilir, po Amantia më tutje ilir prapë, po Dimali, ilir, po parthët e Beratit ilir, po Dodona e Tomorrit epir, po qytezat kala të Borshit, të Sopotit, të Himarës, kaone (ka ana e detit jon), po Kolonja e Leskoviku mollosë (ata të malit), po Saranda e Butrinti Dhesprotë (ata të parët e dhéut), po Britania nga cilët është themeluar – nga epirotët albanë! Po Butrinti që s’ka pasur kurrë kolonë tregtarë korinthas, nga se u zhvillua? Nga trojanë. Po Lezha e Shkodra nga labeatët ilirë. Pra, pa fund fakte e të dhëna që flasin krejt ndryshe nga se duan këta të paudhë. Mbasi sajuan me doktrinë që Butrinti ka qenë dhe është helen, ku pa dashje iu dha Shqipërisë më 1913, tani këtë fatkeqësi duan t’ja përcjellin Bylisit, qytetit të krijuar nga djali i Akilit, Pirro bjondi Neoptolemeu, ku marrin me një gurë tre-katër zogj?! Akilin që u nis drejt veriut (Lezhë) thot vargu i Homerit për në luftën epope të Trojës, pra nga Bylisi, djali i të cilit që mbahet si themelues i Bylisit, jo pa qëllim kthehet te pronat e babait po në Bylis dhe historinë shqiptare, ku i flasin edhe gurët e sokakut që me anë të doktrinave si në Butrint kërkojnë t’i bëjnë helene apo greke. Ndaj historia shqiptare sot po del në ankand dhe as që pyesin se këto sheshe arkeologjike mund menaxhohen bukuri e ‘’birinxhi’’ nga vetë shteti që i përdor për të rritur vetëdijen te qytetarët e vet.

Këtë fat po gatisin politikat e sotme qeveritare. A nuk duket në horizont, jo larg, por para syve tanë se po gatuhet një plan, ku dalin ‘’famozët’’ e AADF që tashmë drejtorin e tyre të projekteve Ilir Parangonin e kanë dërguar me punë tek Zyra Italiane e AICS në Tiranë, duke iu pregatitur terrenin se shqiptarët nuk dinë të menaxhojnë, sikundër te Butrinti, duke shpalosur më parë ca dokra tip doktrine se Bylisi është pakëz ilir e pakëz epir, por më shumë grek! A nuk është kjo nxitje për dorëzimin pa kushte te trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore në duart e privatit AADF dhe dhënies së historisë me koncesion në kundërshtim me rregulat e UNEScOS dhe të Kushtetutës shqiptare. Ndaj shqiptar, zgjohu, mos fli, ec para dhe mor rri.Ndaj është rrënuar Bylisi, ndaj është shkatëruar Amantia, Plloca, Epiri, që tregonin 100% popullsi autoktone.

 

Shqipëria po shitet gradualisht, zyrtarët ndajnë tortët e përfitimit nga turistët

Halil Shabani

Arkeologu dhe autori i më shumë se dhjetë librave kushtuar arkeologjisë dhe kulturës kombëtare shqiptare, Halil Shabani në një prononcim për Gazetën “Telegraf” shprehet se : Unë kam protestuar disa herë në lidhje me Butrintin, duke qenë që nuk kanë marrë mendimin e banorëve të zonës dhe se është pronësi kombëtare dhe aset me vlera të mëdha. Të gjithë monumentet në Shqipëri kanë shtresa kulturore që i takojnë epokave të ndryshme. Psh:Shpella e Konispolit, janë nga më të lashtat që janë banuar nga shqiptarët.

Shabani pohon se nuk është habi që të tjetërsohet historia, duke na sjellë në vëmendje se  vetëm se nuk ka pranuar të shënojë në kartela përkatësi helene për objektet arkeologjike ilire u pushua nga puna vite më parë.

Fatkeqësisht kam patur gjithmonë indicia se pas Butrinit, Durrësit e kanë radhën Apollonia, Bylisi e do vinë të Amantia e Vlorës e do kthehen prapë te Finiqi. Dhe kështu po ndodh, këto po shesin gjithçka. Unë e kam deklaruar se jam kundër menaxhimit nga të huajt, ku mund që pas tyre të fshihen dhe krerë të qeverisjes shqiptare. Fondet e dhëna për historinë duhen hetuar dhe të gjinden përgjegjësit..

Të gjitha këto aseste edhe sipas Kushtetutës janë pasuri kombëtare, ndaj më ç’të drejtë një kryetar i qeverisë këtë pasuri mund t’ja jap një grusht individësh, pasi nuk e kanë pronë personale, por është kombëtare e shqiptarëve si monumetet historike, ashtu si dhe pasuritë minerale etj,. E frikshme se si kemi arritur në këtë gjendje, ku Shqipëria po shitet gradualisht.

Nëse asese historike futen në UNESCO do jepet dhe një përqindje nga shteti, gjë që duket se nuk është në interes, pasi presupozohet që bashkia që ka në juridiksion një ases kulturor, Insitituti i Arkeologjisë apo Albanologjisë, Ministria e Kulturës  dhe më pas Unesco ndajnë përqindje përfitimit që grumbullon “porta e artë” nga turistët, por raportet se si ndahen mbahen sekret, ndoshta ky është edhe një motiv , për të cilin po favorizojnë marrëveshje jashtë tij.