Partia e Lirisë: Rama i ka prerë në besë të rinjtë! Arsimi është shkatërruar

115
Sigal

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Floida Kërpaçi, shkruan në rrjetet sociale se do të bëjnë gjithçka që Shqipëria t’i përkasë të rinjve.

Teksa ka publikuar edhe njëherë amendamentet për projektbuxhetin për Arsimin, ajo shkruan se Rama i ka prerë në besë të rinjtë duke shkatërruar arsimin.

“Është koha që të gjithë të ngremë zërin dhe të bëhemi bashkë për të mirën e vendit dhe të brezit të ri”, shkruan ajo.

Deklarata e plotë

Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka që Shqipëria t’i përkasë të rinjve.

Rama i ka prerë në besë të rinjtë, pasi jo vetem që nuk i ka mbajtur premtimet për arsimin, por e ka shkatërruar atë!

Pas një pune të gjatë dhe konsultimi të gjerë me të rinj, prindër, ekspertë të arsimit, këto janë amendamentet e propozuara nga Partia e Lirisë për projektbuxhetin e vitit 2023 për Arsimin:

1 – Mbështetje financiare për studentët, 100 euro në muaj për të përballuar krizën e çmimeve dhe kostove studentore, për t’i barazuar me bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë.

2 – Mbështetje për kërkimin shkencor, që të shkojë të paktën në 0,3% e PPB siç kanë kërkuar edhe pedagogët.

3 -Rritje e pagave të pedagogeve 50% brenda dy viteve, sipas kërkesave të Sindikatës Kombëtare të Pedagogëve.

4 – Rritja e pagave të mësuesve duke filluar nga 1 janari për të përballuar rritjen e çmimeve dhe inflacionin e pritshëm.

5 – Pajisja me tekste të reja shkollore falas, çdo vit, për nxënësit nga klasa I deri në klasën e IX.

Partia e Lirisë ofron këto zgjidhje konkrete si përgjigje ndaj interesit më të mirë të rinisë shqiptare.

Është koha që të gjithë të ngremë zërin dhe të bëhemi bashkë për të mirën e vendit dhe të brezit të ri.