Paloka: Do arrijmë marrëveshje me PR, negociata për Durrësin

447
TIRANE – 10 ditë para afatit përfundimtar kur koalicionet politike duhet të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e djathta ende nuk e ka mbyllur procesin negociues.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka është i bindur se për zgjedhjet lokale do të arrihet marrëveshja edhe PR që është aleati më kryesor i demokratëve.
“Në qoftë se me partitë e tjera pothuajse janë mbyllur negociatat, ose janë mbyllur, Partia Republikane është e fundit me të cilën ne do të konkuldojmë shumë shpejt”, u shpreh Paloka.
Ndërsa shpreh vlerësime pozitive për deputetin Agron Duka të cilin PR e prezantoi si kandidat të sajin për këto zgjedhje, numri dy i PD-së mendon se negociatat duhet të vijojnë për të gjetur kandidaturën fituese të së djathtës, pasi Durrësi është një nga bashkitë më të mëdha në vend.
“Ne jemi koshient që Durrësit është një nga qytetet më të mëdha ku opozita dhe PD sidomos pretendon të fitojë dhe kjo e bën pak të “vështirë” këtë negociatë pasi kuptohet që në qytetin më të madh partia më e madhe do të pretendojnë të ketë kandidatin e saj. Absolutisht edhe njëherë e përsëris, kjo nuk ul aspak poshtë vlerat e zotit Duka si kandidat, është vlerësimi maksimal për zotin Duka, por jemi në këto momente në negociata”, -tha Paloka.
Aleatët i kanë kërkuar Partisë Demokratike 25 bashki si zona të lira për procesin elektoral, që është një numër shumë i madh krahasimisht me atë që demokratët u ofruan në bazë të votave që partitë e koalicionit kanë marrë në zgjedhjet e shkuara. 
Sigal