Çmimi i ujit, UKT dorëzon kërkesën për rritje në ERRU në kundërshtim me ligjin

417
Dalin të dhëna skandaloze lidhur me propozimin e Veliajt për rritjen e çmimit të ujit. Dosja shkon për miratim në ERRU pa u mbledhur Këshilli Bashkiak dhe pa u dëgjuar qytetari
Dalin në dritë skandale lidhur me mënyrën procedurale se si ka vepruar kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj. Duket se mes institucioneve që shqyrtojnë dokumentacionet me propozimet përkatëse për rritjen e çmimit, kanë nxjerrë zbuluar kryebashkiakun në këtë rast. Kërkesa e UKT-së për rritjen e çmimit mban në brendësi të saj shkelje të rënda. Dhe kjo gjë doli në dritë nga një deklaratë, publikuar një ditë pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga Enti Rregullator i Ujit. Ajo që duhet thënë është fakti se ky ent, doli me një deklaratë, vetëm pasi u bë mbledhja e Këshillit, pasi në të vërtetë, kjo gjë duhej të bëhej një ditë pas kërkesës së dorëzuar. Ndërkohë kryetari i Entit Rregullator të Ujit sqaroi për mediat se ai ka pranuar propozimin e UKT-së në shkelje të ligjit, duke mos i dhënë shumë rëndësi procedurave. Është shprehur se nga ana procedurale nuk duhet t’i kushtohet shumë rëndësi dhe se këtë gjë e kanë bërë edhe herë të tjera. Për kryetarin e Entit Ndriçim Shani afatet dhe procedurat janë probleme jo shumë të rëndësishme. “Rëndësi ka që të jenë të gjitha dokumentet dhe letrat kur të shqyrtohet dosja,” tha Shani për mediat. Por vet regullorja e ERRU—së dokumentacionin e konsideron tepër të rëndësishëm. “Ne toleranca të tilla i kemi bërë gjithmonë,” shtoi ai. Enti Rregullator i Ujit bëri një deklaratë të papritur ditën e enjte në lidhje me kërkesën e kompanisë Ujësjellës Kanalizime Sh.A për rritjen dramatike të çmimit të ujit për konsumatorët e Tiranës. Në deklaratë, ERRU shkruan se kërkesa e UKT është dorëzuar pranë këtij institucioni më 30 qershor 2017. Dorëzimi i kërkesës më 30 qershor ka rëndësi të veçantë për shkak se sipas Metodologjisë së Miratimit të Tarifave të këtij institucioni, kërkesa duhet brenda qershorit që të jetë e vlefshme, ndërkohë që kërkesa e UKT për rritje çmimi u bë publike vetëm javën e kaluar. Por dorëzimi i kërkesës nga pikëpamja formale më 30 qershor, pra brenda afatit ligjor, duket se nuk mjafton, pasi kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dokumentacion të plotë, i cili më 30 qershor mungonte. Dorëzimi i kërkesës më 30 qershor duket se bie ndesh me rregulloren tjetër të ERRU, konkretisht vendimin nr. 40, datë 9.12.2015, “Për Miratimin e Dokumentacionit Mbështetës për Miratimin e tarifave të Shërbimit…”, në të cilin sanksionohet se kërkesa e operatorit për ndryshimin e çmimeve, përveçse duhet të dorëzohet “brenda gjashtëmujorit të parë”, duhet të mbartë para dorëzimit një listë me dokumente, të cilat, aplikimit aktual duket se i mungojnë. Në pikën 2 të këtij vendimi, sanksionohet që aplikimi për tarifat duhet të ketë si dokumente shoqëruese mes të tjerash edhe “mendimin e pronarit për nivelin e ri të tarifave të kërkuara” si dhe “Procesverbalin e Seancave Dëgjimore me Publikun”. Të dyja këto dokumente vështirë se mund të kenë qenë në datën 30 qershor, për shkak se vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për këtë çështje u mor më 26 korrik ndërsa seanca dëgjimore me publikun u zhvillua më 27 korrik. Vendimi 40, në pikën 3 të tij nuk lë hapësira për manovra pasi sanksionon që mungesa e qoftë edhe njërit prej këtyre dokumenteve, e bën aplikimin të pavlefshëm. “Mungesa e një prej dokumenteve të sipërpërmendura bën që propozimi për ndryshim tarife të mos shqyrtohet nga ERRU”, shkruhet në këtë vendim. Por pavarësisht qartësisë me të cilën shprehet vendimi 40 i Entit Rregullator të Ujit, kryetari i bordit i konsideroi këto shkelje “çështje dytësore”. Enti Rregullator i Ujit është një institucion i cili funksionon në bazë të një ligji të vitit 1996 dhe ka për detyrë që nga njëra anë të sigurojë tarifa të mjaftueshme për mbulimin e kostove të furnizimit me ujë dhe me shërbimin e heqjes së ujërave të zeza, ndërsa nga ana tjetër, ka për detyrë të mbrojë konsumatorët nga pozicioni monopol i korporatave të ujësjellësve si dhe të garantojë që ujësjellësit kanë eficiencë të pranueshme në kosto dhe shpenzime operative në mënyrë që të mos i rëndojnë konsumatorët me tarifa të panevojshme. Por anëtarët e bordit të Entit Rregullator të Ujit në bazë të këtij ligji të vitit 1996, emërohen dhe shkarkohen nga këshilli i ministrave. Të katër anëtarët aktualë të bordit janë emëruar nga qeveria aktuale. Ujësjellësi i Tiranës disponon aktualisht fitime vjetore neto prej 5 milionë eurosh, ka kosto operative shumë të larta dhe është kritikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për keqmenaxhime të shumta. Ujësjellësi ka gjithashtu një bilanc për të cilin audituesit e pavarur kanë shprehur rezerva për shkak të paqartësive të mbajtjes së llogarive, gjë që do të thotë se audituesit nuk marrin përsipër të certifikojnë si të vërtetë këtë bilanc. Por pavarësisht fitimeve të larta, Ujësjellësi ka kërkuar rritjen me 40-70 për qind të çmimeve të furnizimit me ujë duke filluar nga viti 2018 me argumentin se i nevojitet të investojë.



Sigal