PAA: Shqipëria meriton liri dhe demokraci funksionale jo thjesht para të BE-së që i vjedhin qeveritarët hajdutë.

224
Sigal

PAA e vlerëson mbështetjen e BE për të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por PAA shpreh zhgënjmin e saj që BE edhe pas përvojës së dështuar me fondet e saj nga vendet e dobëta anëtare që mbeten përherë të dobëta, toleron vendosjen e demokraturës, toleron qeveritë arrogante dhe të babëzitura dhe e fsheh dështimin e saj me “paketa financiare bujare”.

Asnjë paketë financiare nuk mund ta ndryshojë të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve pa luftuar qeveritë e dështuara, të korruptuara dhe të kapura nga oligarkët. Ndërsa në vendet e BE-së dhe strukturën e buxhetit të BE-së bujqësia merr mbështetje prioritare edhe pse ajo në vendet e BE-së jep 1-3% të GDP-së dhe 3-6% të punësimit, në Shqipëri bujqësia jep rreth 20% të PBB-së dhe në zonat rurale jetojnë rreth 45% e popullatës, ajo mbështetet nga buxheti shqiptar ku përfshihen edhe fondet e BE-së me vetëm 0.5% të PBB-së.

Përse fondet e BE për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ruajnë të njëjtën strukturë si për vendet e saj ku rreth 75% e buxhetit të BE-së prej 153.4 miliard euro në vit (në 21 Korrik udhëheqësit e BE ranë dakord për një buxhet të përgjithshëm prej një trilion e 842 miliard euro) dedikohen për:

(i) zhvillimin e qëndrueshëm rural;

(ii) kohezionin social dhe

(iii) rritjen e aftësisë konkuruese,

(iv) 750 miliard euro për planin e rimëkëmbies nga pandemia,

ndërsa në Shqipëri fondet e BE nuk kanë asnjë kushtëzim strukturor dhe keq-përdoren nga qeveria për të fshehur dështimin e saj në rritjen e shëndetshme ekonomike dhe në stabilitetin e financave publike.

BE mund të kishte mësuar nga dështimet e saj dhe ta ketë të qartë se pa një mbështetje më të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe kohezionin social, Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të varfërohen gjithnjë e më shumë dhe do të braktisen përditë dhe më shumë.

Fondet e BE-së do të humbasin në gropat e zeza të korrupsionit dhe kapjes së qeverisë dhe eficenca e tyre në kushtet e varfërimit të kapitalit human rrezikon të jetë minimale.