Ditën e sotme pritet të mbahet protesta kombëtare e opozitës para kryeministrisë rreth orës 18:00. Demokratët zhvilluan mbrëmjen e djeshme mbledhjen e fundit, ku përcaktuan formën e organizimit të protestës.
Kreu i PD-së, Sali Berisha të mërkurën tha: “Do të jetë një revoltë, një kryengritje do të thosha me e fuqishmja që ka njohur vendi. Nuk do të jetë e llojit të atyre që keni parë. Tani kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarisë së saj. Për të gjitha do të informoheni në përputhje me vendimet që do merret. Por e shtuna është e dita e triumfit të opozitës e triumfit të shqiptarëve mbi hajdutët”.
Këtë protestë nuk do të ketë fjalime në podium, duke mos përjashtuar marshimet nëpër kryeqytet, bllokim rrugësh apo edhe ngujim para kryeministrisë.
Pritet që këtë protestë të ketë masivitet në këtë tubim. Protesta e sotme do të jetë e katërta për këtë vit, ku kërkesat mbeten të njëjta largimi i Edi Ramës dhe krijimin e qeverisë teknike që do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Kërkoj dorëheqjen e tij të menjëhershme, ndryshe do të përballet me opozitën dhe popullin shqiptar”, deklaroi Berisha.
Policia nuk merr përsipër tubimin e opozitës
Policia e Shtetit nuk do të marrë përsipër zhvillimin e tubimit të thirrur nga opozita në orën 18:00. Pavarsisht kësaj, do të merren të gjitha masat duke angazhuar rreth 1700 punonjës policie në terren për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit. Duke nisur nga ora 15:00 e datës 28 shkurt dhe deri në përfundim të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”. Po ashtu, do të ketë bllokime edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.Policia paralajmëroi qytetarët të shmangin lëvizjet me automjete në akset rrugore që do të bllokohen për disa orë, duke përdorur rrugët alternative si dhe të distancohen nga dhuna.



















