Presidenti Bajram Begaj në Shkup: Shqipëria e vendosur të forcojë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut
Shqipëria mbetet e vendosur të forcojë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut si dy fqinje mike, partnere të besueshme dhe aleate në NATO, me synim integrimin në Bashkimin Evropian me kontribut thelbësor në këtë proces të faktorit shtetformues shqiptar që jeton atje.Këtë qëndrim riafirmoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku u prit në një ceremoni solemne nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.Krerët e dy shteteve zhvilluan një takim tête-à-tête dhe më pas në praninë e delegacioneve të tyre. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në konferencën e përbashkët për mediat me homologen maqedonase, bëri të ditur konkluzionet e këtij takimi, pjesë e të cilit ishte dhe çështja e faktorit shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa vlerësoi përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie funksionale multietnike përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Presidenti i Republikës riafirmoi gjatë bisedës me Presidenten Siljanovska-Davkova qëndrimin e Shqipërisë për respektimin e detyrimeve që burojnë prej saj.Çështje tjetër e rëndësishme e diskutuar me Presidenten e Maqedonisë së Veriut ishte dhe avancimi me zbatimin e projektit strategjik të Korridorit VIII, për të cilin Presidenti Begaj theksoi domosdoshmërinë e konsolidimit të bashkëpunimit, duke e pozicionuar këtë Korridor si flamurshenjë të integrimit rajonal dhe zhvillimit të qëndrueshëm.Një rëndësi të veçantë në këtë vizitë Presidenti i Republikës i kushtoi thellimit të bashkëpunimit në fushën akademike dhe atë të arsimit.Presidenti Begaj siguroi Presidenten Siljanovska-Davkova se Shqipëria mbetet e angazhuar jo vetëm për bashkëpunimin politik, ekonomik e shoqëror, por dhe për promovimin e fqinjësisë së mirë dhe dialogut në Ballkanin Perëndimor, thelbësor për anëtarësimin në BE.

Begaj flet shqip në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut: Marrëveshja e Ohrit, gur themeli për bashkekzistencën ndëretnike
Presidenti Bajram Begaj mbajti një fjalim në një seancë të posaçme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.Kreu i Shtetit përcolli mesazhe të rëndësishme për sa i përket marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilën e vlerësoi si shtyllë të rëndësishme të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.“Marrëdhënia mes dy vendeve tona është ndërtuar mbi zgjedhje të vetëdijshme politike, mbi respekt të ndërsjellë, partneritet dhe mbi bindjen se stabiliteti ynë është i përbashkët. Dy vendet tona ndajnë interesa, sfida dhe një vizion të përbashkët evropian. Ne kemi bashkëpunuar ngushtë duke i sprovuar lidhjet, miqësitë dhe fqinjësinë, por, mbi të gjitha, raportet tona kanë arritur të kenë ndikim pozitiv edhe në rajon. Ato janë dhe mbeten një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe orientimit euroatlantik të rajonit”, u shpreh Begaj.Begaj theksoi se “Maqedonia e Veriut është edhe një faktor kyç në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe kohezionit ndëretnik”.Në fokus të këtij fjalimi ishin dhe sfidat, siguria dhe stabiliteti në Ballkan, si dhe angazhimi i përbashkët për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.






















