“Opozita e re” nuk mund të regjistrohet në zgjedhjet vendore me siglën e partisë

718
Sigal

Flasin për “Telegraf”: Prof. Dr.  Kristaq Kume, ish-kryetari i KQZ-së dhe Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ-së

Petraq Barjami

Rudina Hajdaraj, e vetë emëruar si kryetare e Grupit Parlamentar të PD-së, deklaroi se PD-ja dhe opozita do të hyjnë në zgjedhjet vendore. Kjo deklaratë ngjalli debatin: A mundet kjo “opozitë” e re parlamentare të futet në zgjedhjet vendore, kur PD-ja dhe LSI-ja kanë deklaruar se do t’i bojkotojnë? Sado që Kodi Zgjedhor është i qartë, shumë herë marrëveshjet partiake dhe interesat e partive kanë prevaluar edhe mbi Kodin Zgjedhor.  Gazeta “Telegraf” iu drejtua ekspertëve të çështjeve zgjedhore, Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetari i KQZ-së dhe Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ-së.  Të dy ekspertët për çështjet zgjedhore, u prononcuan për “Telegraf” se deputetët e rinj, pavarësisht se kanë krijuar grupin e tyre parlamentar, nuk mund të regjistrohen në KQZ  me siglën e partisë, nga listat e së cilës morrin mandatet e deputetëve. Por, Prof. Kristaq Kume, parashtroi edhe një mundësi politike, pavarësisht se është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, sesi munden që këta deputetë të rinj të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, si subjekte politike më vete, duke u regjistruar në KQZ edhe në muajin maj, e jo deri në 23 prill, kur skadon afati i regjistrimit të partive dhe subjekteve elektorale që do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, kur të kenë regjistruar partinë e re në gjykatë.

Flasin për gazetën “Telegraf”:

Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ-së: Deputetët e rinj, nuk mund të marrin pjesë në  zgjedhjet vendore nën siglën e partisë nga e cila morrin mandatin e deputetëve. Këta deputetë nuk mund të regjistrohen dot në KQZ si subjekte politike të partisë, sepse është kryetari i partisë që bën regjistrimin në KQZ të subjektit politik. Kështu që, edhe nëse krijojnë parti politike, vështirë të arrijnë cakun kohor për t’u regjistruar në KQZ, si parti e re. Ndërsa, nëse duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale si subjekte elektorale, duhet që këto subjekte elektorale, derisa nuk kanë asnjë anëtar në Këshillat Bashkiakë ku duan të përfaqësohen dhe të garojnë, duhet të mbledhin firmat e 1 % të elektoratit nj njësinë bashkiake që do të duhet të garojnë.

Prof. Dr, Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së: Në rast se një parti ka në përbërjen e saj, në anëtarësinë e saj deputetë, (i cili e ka marrë mandatin kur ka qenë kandidat i një partie tjetër, por që më vonë ka ndryshuar parti dhe partia e re ku ai ka vajtur do të futet në zgjedhjet vendore), nuk e ka të domosdoshme, pra mund të regjistrohet direkt. E plotëson kushtin pa marrë mbështetjen e 3 mijë shtetasve me të drejtë vote. Dhe ky arsyetim mund të mbështetet edhe në frymën e nenit përkatës, në të cilën thuhet që, në qoftë se janë disa parti pjesëmarrëse në një koalicion, mjafton që njëra prej tyre të ketë deputetë, ose të ketë të zgjedhur në njësinë vendore përkatëse, dhe ata mund të garojnë dhe të çojnë lista kandidatësh, regjistrohen si të tillë, pra parti që regjistrohen si të tilla. Kështu që po qe se deputetët e sotëm formojnë një parti të re brenda afatit të parashikuar në Kodin Zgjedhor, që i bie brenda 70 ditëve, data 21 e këtij muaji, e përcaktuar nga KQZ-ja si afat limit për t’u regjistruar nga partitë politike arrin ta kapin këtë kohë, ata mund të regjistrohen. Por, meqë afati i fundit për t’u regjistruar në KQZ është në 23 prill, mund të bëhet një përjashtim. Domethënë, këta të regjistrojnë kërkesën e tyre në Gjykatë për të krijuar një parti të re dhe, njëkohësisht, të dorëzojnë në KQZ kërkesën për t’u regjistruar si subjekte politike. KQZ-ja mund t’i regjistrojë, edhe pse nuk ka vendim gjykate për të njohur partinë e tyre, por, që do të regjistrohet më vonë. Ky precedent u bë në zgjedhjet e 2017-s, ku PD-ja dhe partitë e tjera opozitare u regjistruan përtej afatit kohor. 

KQZ shtyn afatin për regjistrimin në zgjedhje, 23 prilli mundësia e fundit

KQZ ka vendosur të shtyjë me 2 ditë afatin për regjistrimin e subjekteve politike në zgjedhjet lokale. 23 prilli është afati i fundit. KQZ-ja ka vendosur afatin e fundit për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet lokale të qershorit. Sipas KQZ-së, afati i fundit do të jetë 23 prilli. Shtyrja është bërë pasi e diela data 21 prill është pushim, ndërsa e hëna përkon me festën e Pashkës. `Deri më tani janë regjistruar dy parti, ajo e Zef Shtjefnit nga Partia Ora e Shqipërisë; Partia Balli Kombëtar Demokrat me kryetar Artur Roshin dhe Lëvizja Demokratike për Ndryshim, me kryetar Nikolin Stakën.