“Opozita e angazhuar në përmbushjen e kushteve për integrimin në BE, Kryemadhi dhe Basha bisedë me Isabel Santos

328
Sigal

Kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një bashkëbisedim virtual me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.

Është Kryemadhi ajo e cila ka dhënë detaje nga ky takim, ndërsa thekson se:

“Rikonfirmuam dhe njëherë që Opozita e Bashkuar përtej prioritetit për të përballuar sfidën ndaj Covid-19 dhe pasojave ekonomike të saj, mbetet e angazhuar plotësisht në përmbushjen e të gjitha kushteve që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”.

Po ashtu, kryetarja e LSI thekson se në një Parlament me vetëm 122 deputetë, mazhorancës i nevojiten vetëm 73 vota për të miratuar ligjin e ri elektoral.

Sipas saj, “çdo alibi për të prishur dakordësinë e 5 qershorit është thjesht tentativë për të vrarë dialogun politik në vend dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë”.

Deklarata e plotë e Monika Kryemadhit:

Nën sfidën e një takimi virtual bashkë me z.Basha zhvilluam sot një bashkëbisedim miqësor me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, znj. Isabel Santos.

Rikonfirmuam dhe njëherë që Opozita e Bashkuar përtej prioritetit për të përballuar sfidën ndaj Covid-19 dhe pasojave ekonomike të saj, mbetet e angazhuar plotësisht në përmbushjen e të gjitha kushteve që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Edhe pse kryeministri i vendit provokoi opozitën dhe qytetarët shqiptarë me shembjen e Teatrit Kombëtar në mes të pandemisë, përmes vendimeve të falsifikuara, përdorimit të policisë private pa asnjë numër identifikimi dhe ushtrimit të dhunës së paprecedentë kundrejt qytetarëve dhe artistëve, Opozita e Bashkuar ishte e vendosur të finalizonte Reformën Zgjedhore, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira në vend dhe për të plotësuar një nga kushtet thelbësore për çeljen e negociatave të Shqipërisë.

Në një Parlament me vetëm 122 deputetë, mazhorancës i nevojiten vetëm 73 vota për të miratuar ligjin e ri elektoral.

Ndaj çdo alibi për të prishur dakordësinë e 5 qershorit është thjesht tentativë për të vrarë dialogun politik në vend dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.