Non-grata e SHBA, Ornaldo Rakipi: Babai im është përgojuar, do ta apelojmë vendimin

171
Sigal

Deputeti Ornaldo Rakipi, djali i ish-deputetit Aqif Rakipi, i cili u shpall ditën e hënë non-grata nga departamenti Amerikan i Shtetit, ka fajësuar ish-kreun e PD, Lulzim Basha.

Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Rakipi tha se babai i tij është i pastër, por se vendimi i DASH ka ardhur si pasojë e deklaratave të pabazë të bërë në drejtim të familjes së tij nga ish-kryedemokrati Lulzim Basha.

Ornaldo Rakipi tha se ai dhe familja e tij e vlerësojnë administratën e SHBA e cil u ka dhënë mundësi apelimi, duke shtuar se familja Rakipi ka vendosur të apelojë vendimin.

Dua të sqaroj fillimisht qytetarët, votuesit e mi, se sa i takon aktit të Departamentit të Thesarit, im atë po ndërmerr çdo hap institucional dhe ligjor, për të çuar në vend këtë padrejtësi. Ne sigurisht e vlerësojmë administratën amerikane, dhe vendimi i tyre e ka dhënë vetë mundësinë e apelimit. Procedurë që tashmë është në rrugë e sipër.

Aqif Rakipi është përmendur dhe përgojuar shpesh kohët e fundit, sidomos nga Lulzim Basha dhe ndonjë njeri i afërt me të.

Eshtë demonizuar pa të drejtë dhe është hedhur shumë baltë mbi të.
Kam një fjalë për Lulzim Bashën. Mos mallko suksesin e tjetrit, por mëso se në thelb politika është marrdhënia me njerëzit. Dhe pikërisht kjo është arsyeja e dështimit tënd serial, është kjo arsyeja pse ti, edhe pse të janë dhënë shanset më të mëdha që i janë dhënë dikujt në këto 30 vite, nuk arrite të fitosh zemrat dhe besimin e njerëzve.

Sepse në thelb je fallso, dhe sheh vetëm interesin tënd egoist e material.

Suksesi vjen kur i konsideron njerëzit, i takon, i sheh në sy, u qan hallet, dhe përpiqesh për ta. Kur u gjendesh atyre në ditë të vështira. Kur gjejnë tek t’i mbështetje kur kanë një problem, kur përplasen në dyert e spitaleve, kur përplasen me arrogancën e institucioneve, kur nuk i dëgjon kush.

Babai im bëhet copash për të ndihmuar çdo njeri në nevojë.

Ndryshe, po shumë ndryshe nga ti, babai im ka një cilësi që shqiptarët e duan, që quhet burrni.
Eshtë kjo arsyeja pse ai është votuar. Eshtë kjo arsyeja pse unë kam marrë mbështetje. Kjo është vlerë dhe në këtë pikë do të mundohem me gjithë forcën time të ndjek këtë rrugë. Me njerëzit për njerëzit.

Sa për akuzat, unë ju ftoj ju, median dhe çdo njeri që është sot i shqetësuar, të hetojë, të hulumtojë çdo ditë të aktivitetit tim, që prej momentit të parë të angazhimit, deri sot dhe në vijim.

Por qytetarët, njerëzit i dinë mirë këto. Dhe nuk do të humb më asnjë sekondë me politikën e keqe të gojëve të liga. Jam këtu për të shërbyer e për të justifikuar besimin që më është dhënë nga rreth 16 mijë qytetarë. Këtë do të bëj çdo ditë të angazhimit tim në politikë., u shpreh Rakipi.