Njerëzit që shpërdoruan pushtetin dje, sot mbajnë peng edhe PD në Sarandë

575
Gazeta “Telegraf” ditën e premte botoi një reportazh, ku me fakte të pakundërshtueshme, bëhej fjalë për zgjedhje të komanduara të PD Sarandë, të cilat humbin shpresën për fitore, edhe në të ardhmen. Dhe strumbullari i këtyre zgjedhjeve të komanduara në degën e PD në Sarandë është koordinatori i PD, deputeti i Qarkut Vlorë, Arben Ristani. Analiza e kërkuar dhe e shtruar domosdoshmërisht nga kryetari i PD, Lulzim Basha, në degën e PD në Sarandë, nuk u bë sipas udhëzimeve që parashtroi edhe Lulzim Basha, por çdo gjë u diktua nga i deleguari Arben Ristani. Qëllimi i tij, ishte që të vendoste në degën e PD në Sarandë, njerëzit e tij të mirëbesuar, që ai të ketë nën kontroll gjithçka aty, pa u bërë merak, që nga analiza e rezultatit zgjedhor të 21 qershorit 2015, të dilnin përgjegjësit politikë, cilët ishin drejtuesit që nuk dhanë rezultat, që nuk gëzonin reputacion, që kur ishin në postet drejtuese të qeverisjes së PD, abuzuan, shpërdoruan detyrën, aq sa kanë humbur çdo të drejtë morale që sërish të jenë në krye të forumeve të PD, pasi elektorati nuk u beson më atyre. Edhe zgjedhjet në degën e PD në Sarandë nuk u bënë në saj të votimeve transparente të anëtarëve, as u ndoq parimi që ka kërkuar Lulzim Basha “1 anëtar, 1 votë”, por koordinatori Ristani ua dha në mirëbesim drejtuesve të PD, njerëzve që ai ka përzgjedhur, që të zgjedhin kë të duan ata, e të plotësojnë strukturat e PD në Sarandë dhe këta, paskëtaj, me liri veprimi përzgjodhën në kryesinë e PD në Sarandë, gjithë njerëzit e tyre, thua se dega e PD është bord familjar. Por, ajo që bie në sy, është se në krye të PD në Sarandë u përzgjodhën edhe ata drejtues që dje, në krye të ALUIZNI, janë kallëzuar penalisht nga KLSH, për shpërdorim të detyrës, si edhe të tjerë, që kanë qenë drejtorë në Tatime dhe janë larguar për shkaqe të mospërmbushjes së detyrës.

KLSH në dhjetor 2013, kallëzon penalisht Vesel Koçiun dhe Laert Cane, sot drejtuesit e PD

KLSH, pas auditimit që bëri në ALUIZNI Sarandë, në dhjetor 2013, 
bazuar në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, neni 281, me shkresën nr. 709/16, datë 26.12.2013 kemi bërë kallëzim penal, duke dërguar për veprime të mëtejshme procedurale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, personat:
1- Zoti Vesel Koçiu, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Sarandë;
2- Zotin Laert Cane, me detyrë Përgjegjës Sektorit të Legalizimit;
Sipas auditit të KLSH në ALUIZNI Sarandë, që drejtohej nga Vesel Koçiu, ka gjetur shkelje të mëdha, me dëm ekonomik prej qindra miliona lekë, ku bën fjalë se 255 dosjeve nuk u dihet vendndodhja, të kryhet pezullimi për 95 dosje, që u është dhënë legalizimi jashtë ligjit. Në 19 raste arkëtuar më pak 6,232,124 lekë, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Në 60 rastet, për sipërfaqen 1889 m2, arkëtuar më pak, në shumën 6,963,959 lekë, për shkak të mënyrës së llogaritjes së sipërfaqeve të poseduara si parcela ndërtimore, Në 148 dosje për sipërfaqen 15,216 m2, arkëtuar më pak 158,324,960 lekë si diferencë e pagesës së sipërfaqes së parcelës ndërtimore të paguar, me sipërfaqen e vëtëdeklaruar të përcaktuar në VKM dhe që zotëron poseduesi i ndërtimit informal në fakt, sipas dosjeve konkretisht; e kanë ndarë parcelën ndërtimore, e cila si e tillë duhet shitur me vlerën e tregut, për rrjedhojë i kanë shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit për fondin e kompensimit të ish pronarëve. Për 620 dosje të cilat kanë marrë VKM, por me mungesë të plotë të dokumentacionit si: Akt Kualifikimi, Proces Verbali i Konstatimit, Gent Plani Paraprak, ose Skica Fushore dhe Ortofotot. Në 60 raste të vetëdeklarimeve, janë objekte ose shtesa të objekteve ekzistuese të cilat nuk duhet të legalizohen pasi janë ndërtuar pranë vijës bregdetare. Auditi I KLSH ka edhe dhjetëra shkelje të tjera, dhe si përfundim, përveç kallëzimit penal që bën për 6 drejtues të ALUZNI, midis tyre edhe Vesel Koçia dhe Laert Cane, propozon edhe për largimin nga puna të Laert Cane. Dhe sot të dy këta drejtues të ALUZNI, ish drejtori Vesel Koçia, dhe Laert Cane, me detyrë Përgjegjës Sektorit të Legalizimit u zgjodhën në kryesinë e PD. Kjo është analiza e duhur dhe zgjedhjet transparente në PD? Këta ish drejtues si Vesel Koçia, e Laert Cane, që abuzuan me detyrën dhe u është bërë kallëzim penal nga KLSH për shpërdorim të detyrës, a nuk e mbajnë sot peng PD në Sarandë? Dhe me arrogancën që e karakterizon Vesel Koçia, reagon ndaj kritikave, duke pohuar: “PD humbi për arsyet që humbi në gjithë vendin. Pse duhet të fitonim me çdo kusht? Natyrisht, Vesel Koçia, nuk interesohet që të fitojë me çdo kusht PD, derisa ai si drejtues e ka humbur moralin politik përpara zgjedhësve, të cilëve u solli të zitë e ullirit si drejtuesi i ALUZNI, duke abuzuar e shpërdoruar detyrën, por e keqja e PD është se të tillët Ristani dhe njerëzit e tij i emërojnë sërish në kryesinë e PD, për të garantuar edhe humbjen e radhës. Dhe këta ish drejtues, që abuzuan me detyrën dhe pushtetin e djeshëm, edhe sot, derisa u emëruan në krye të PD në Sarandë, e demonstrojnë arrogancën, si përgjigje të kritikave, duke publikuar “unitetin” e bordit familjar të kryesisë së PD me një foto, ku shkruajnë diçiturën: Kush na ka inat, na paftë gjithmonë të qeshur dhe lartë e më lartë…”.Natyrisht, derisa emërohen në PPD Sarandë, sepse procesi i zgjedhjeve është nepotik dhe jo transparent, këta ish drejtues, që abuzuan me pushtetin, sot do të kenë peng vetë PD, duke u çimentuar lart e më lart në kryesinë e PD Sarandë. 

Nepotizmi i emërimeve në kryesinë e PD në Sarandë

Kryetari dhe sekretarja e degës të PD janë krushq. Që këtu fillon nepotizmi i emërimeve në PD e Sarandës, ku tregon qartë, që nuk ka pasur zgjedhje. Anëtarët e kryesisë, Klara Barjami është kushërirë e parë me Fisnik Barjamin, ish punonjës i Hipotekës, janë nipërit e Bejdo Çelës anëtar kryesie, ish kryetar i degës të PD, që e çoi PD në zgjedhjet e 2013 në nivelin më të ulët dhe nga 1997. Arben Guga, anëtar i Kryesisë së PD, ka qenë drejtor KESH dhe drejtor i Tatimeve Sarandë, i akuzuar edhe ky dhe është daja i Joli Dines, anëtari i kryesisë dhe kandidat i FRPD për Sarandën. Vesel Koçia, si njeri fuqiplotë në PD, vendosi në listën për këshilltarë në zgjedhjet e 21 qershorit, Vemdik Mëllënjën, në numrin rendor 5, i cili nuk u duk fare në fushatën elektorale, ndërsa në analizën e zgjedhjeve, tani në PD askush nuk e hapi gojën, që ta referonte, edhe pse zërat thonë që ky kandidat u “shit” te Kokëdhima. Askush në analizën e PD, as Ristani nuk kërkoi analizë, përse në listën e PD në zgjedhjet vendore në renditjen e parë u vendosën njerëz pa reputacion, dhe u përjashtuan, ata kandidatë, që fituan faktikisht me parti të tjera të së Djathtës. Nuk është rastësi që PD fitoi 4 mandate në Këshillin Bashkiak, ndërsa aleatët e Djathtë fituan 5 mandate. Ky është një tregues, i qartë se kandidatët më të mirë të PD u zbuan nga PD, nga bordi familjar i kryesisë së PD dhe ata fituan më vete me partitë e tjera të djathta. 
Sigal