Porositë e Profesor Qoses për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare

542
Kohë e kameleonëve
Kur i urituri për pushtet e merr pushtetin, atëherë orekset tërbohen edhe më shumë;
kur kurrkushi bëhet sundues mjerë i sunduari; rrufeja, rëndom, nuk bie në hithërat, po në lisat më të gjatë; kokat e zbrazëta nuk i durojnë zërat e lartë; dikush bëhet i njohur për nga puna e dikush për nga viktimat; në kohë të vështira çohen në këmbë njerëzit e ligj!
Çfarë kohe është kjo? S’jam metereolog, po mjek. Sekush mund ta pagëzojë varësisht prej ndikimit të saj në shëndetin e tij. Kohë e kameleonëve.
(Rexhep Qosja, romani “Një dashuri dhe shtatë faje”, shënim në faqen zyrtare në Facebook, 31 tetor 2015)
Paralele mes dy zyrave kryministrore në Tiranë dhe në Prishtinë
Më 17 tetor të këtij viti në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministrinë e Shqipërisë u bë përurimi i librit më të ri të shkrimtares, publicistes dhe gazetares së njohur, Rudina Xhunga. Panelistë në përurim ishin: kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, dhe publicistët e shkrimtarët Kim Mehmeti dhe Pirro Misha. Në manifestimin e përurimit ishin të pranishëm edhe të tjerë, kryesishtë studentë. Në të njëjtën ditë, më 17 tetor të këtij viti, edhe në Prishtinë u mbajt një manifestim shumë i rëndësishëm kulturor dhe politik: u përurua filmi dokumentar për jetën dhe veprimtarinë politike, letrare e kombëtare të shkrimtarit e veprimtarit politik, Adem Demaçi. Ishin këto dy manifestime që flasin shumë për gjendjen e kulturës në Shqipëri dhe për gjendjen e kulturës në Kosovë. Derisa në Kryeministrinë e Shqipërisë krijohet Qendër për Hapje dhe Dialog, në të cilën mund të paraqiten të gjithë ata që duan të përurojnë një libër, projekt artistik apo ide për debat, Kryeministria e Kosovës rrethohet me grila tri metra të gjata për t’u veçuar sa më hekurt prej qytetarëve, prej krijuesve letrarë e shkencorë, prej artistëve, prej intelektualëve në përgjithësi. Derisa në përurime të veprave letrare, shkencore, artistike e të manifestimeve të ndryshme kulturore në Shqipëri marrin pjesë kryetarë, kryeministra e ministra të institucioneve shtetërore të Shqipërisë, kryetarët, kryeministrat e ministrat e pardjeshëm, të djeshëm e të sotëm të Kosovës ikin sa më larg prej krijuesve e veprave të tyre. Kuku për ta!
(Rexhep Qosja, shënim në faqen zyrtare në Facebook, 18 tetor 2015)
Aktualitetit i Alfons de Lamartin me “Hijet sillen midis nesh”
Në qoftë se arrin që prej një kombi qytetarësh të bëjë shoqëri të turpshme gënjeshtarësh; në qoftë se e bën atdheun të skuqet për shkak të këqijave zyrtare; në qoftë se lejon që të fundosemi në tragjedi të vërteta të korrupsionit; në qoftë se lejon që pandershmëria e pushtetit shtetëror të pikëllojë dhe poshtërojë kombin dhe pasardhësit – ky pushtet, të jeni të sigurt, do të përmbyset. Dhe, do të përmbyset jo në gjakun e vet, si ai i vitit 1789, po në kurthin e vet. Dhe, meqenëse keni pasur revolucionet e lirisë dhe kundërrevolucionet e famës, tani do të keni revolucionin e ndërgjegjes dhe revolucionin e përbuzjes.
(Rexhep Qosja, shënim në faqen zyrtare në Facebook, 3 shtator 2015)
Intelektuali ka një bibël – të Vërtetën dhe një zot – Popullin!
Intelektualët të cilët, duke heshtur a duke folur me gjuhën e pushtetit, a duke u inkuadruar në pushtet, i krijonin legjitimitet shtypjes së pushtetit ndërsa tani ata intelektualë rreshtohen në shoqata dhe në parti që bashkarisht ta pushtojnë më lehtë atë që e kanë lakmuar dhe për çka kanë lejuar të përkulen edhe përpara – pushtetin! E padrejtë dhe e palejueshme sepse intelektuali ka një bibël – të Vërtetën dhe një zot – Popullin!
(Rexhep Qosja, “Ligjërime paravajtëse”, 1996)
Bashkimi i popullit të ndarë
Ideja e bashkimit kombëtar është ide e krijuar pas pushtimit të më tepër se gjysmës së trojeve shqiptare prej fqinjve ballkanikë në vitin 1912. Ideja e bashkimit kombëtar nuk është ide e shtetit amë dhe e pakicave që kanë mbetur jashtë kufijve të tij, por ide e popullit të ndarë. Kjo i bën të natyrshme dhe të ligjshme përpjekjet për sendërtimin e kësaj ideje. Ideja e bashkimit kombëtar është ide e madhe që më tepër se çdo ide tjetër e ka lëvizur historinë shqiptare. E krijuar prej intelektualëve të mëdhenj kombëtarë , ideja e bashkimit kombëtar për shkak të trysnive prej Fuqive të Mëdha dhe institucioneve ndërkombëtare gjatë 100 vjetëve është përkrahur rrallë, vetëm prej ndonjërit nga politikanët më qartpamës shqiptarë. Deklarata e Edi Ramës se “Shqiptarët po ecin drejt bashkmit kombëtar”, kurse “Shqipëria e Kosova kanë dy alternativa : ose të bashkohen në familjen evropiane ose të bashkohen në mënyrë klasike”, megjithë ngjyresat diplomatike, është deklarata më larghedhëse dhe vizionare mbi bashkimin kombëtar e një politikani dhe shtetari shqiptar në kohën tonë. Ndaj kësaj deklarate historike u reagua siç dhe mund të hamendësohej: U reagua mirëkuptueshëm prej intelektualëve tanë të orientimit kombëtar, u reagua matur prej Bashkimit Europian, u reagua refuzueshëm prej disa intelektualëve tanë të orientimit mondialist e neoliberalist, dhe u reagua gati kërcënueshëm, me gjuhën e të kaluarës së pandryshuar ndaj shqiptarëve, prej Qeverisë së Serbisë. Ata që reaguan refuzueshëm dhe ata që reaguan gati kërcënueshëm ndaj deklaratës së Edi Ramës treguan se s’deshën të dinë: e para, se shqiptarët janë popull dhunshën i ndarë, prandaj përpjekjet e tyre për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë janë të natyrshme e të ligjshme. Bashkimi i dy Gjermanive ështe njëri prej më shumë shembujve të bashkimit të popujve të ndarë. Dhe, e dyta, në kohën e integrimeve evropiane dhe planetare mospajtimi me bashkimin e një populli të ndarë është mospajtim me proceset demokratike moderne. Mund të besohet se reagimi i sipërthënë i Serbisë më tepër se prej vetë deklaratës së Edi Ramës është i nxitur prej njëmendësisë, që do të sjellin integrimet gjithëshqiptare ekonomike, arsimore, shëndetsore, shkencore, kulturore, sportive, e të tjera, të paralajmëruara në mbledhjen e dy qeverive tona më 23 mars në Tiranë. Është me rëndësi të madhe që ky integrim gjithëkombëtar të sëndërtohet duke iu shmangur neoliberalizimit ekonomik që sjell fryte vetëm për klasën politike dhe oligarkinë, në njërën anë, dhe duke ndërtuar ekonominë atdhetare, që e ka parasysh jetën e të gjitha shtresave kombëtare, në anën tjetër. Një ekonomi e tillë, atdhetare, bëhet premtim se bashkimi kombëtar, bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës, e rrit cilësisht, e pasuron gjithanshëm jetën e popullit shqiptar. Uroj që ata të cilëve iu ka takuar fati të marrin pjesë si politikanë dhe shtetarë në procesin e integrimeve gjithëkombëtare, si parathënie institucionale e shpirtërore në bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, të mos harrojnë se, siç e thonë ekonomistët e sotëm humanistë, neoliberalizmi është i papërgjegjshëm në pikëpamje shoqërore dhe i pandjesi në pikëpamje morale. Idetë janë ato që e lëvizin botën, por, siç e ka thënë njëri prej nismëtarëve të Bashkimit Evropian, institucionet i bëjnë njëmendësi të sendërtuar ato ide. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen dhe do të bashkohen në mënyrë klasike qoftë jashtë Bashkimit Evropian qoftë në Bashkimin Europian.
(Rexhep Qosja, shënim në faqen zyrtare në Facebook, 14 prill 2015)
Sigal