Një baba që duhet lidhur

4789
Sigal

Sot tha që është babai i shqiptarëve. U shfaq ashtu si gjithmonë, ndoshta pasi pa një endërr, dhe nisi serinë e rradhës horror duke folur për armikun e padukshëm.

Madje sot zgjodhi që fjalën “armik i padukshëm” ta zëvendësojë me “mortje që ka rënë si rrufe mbi kokë e kërcënon të na grijë si mish qeni”.

Këto janë fjalët e Kryeministrit, Edi Ramës, që ndoshta do i kishte zili edhe Alfred Hitchcock me filmat e tij horror.

Tha se është babai, por nga ato që nxorri nga goja ngjante me personazhet e filmave të Hitchcock, ose të shtrigave në filmat për fëmijë.

Mund të bëjë shumë mirë të gjitha personazhet e botës, por jo atë të një babai.

Dikush që do të luajë rolin e një babai e merr këtë rol që në fillim dhe jo në mes të një beteje apo lufte, sikundër e quan ai, apo në fundin e saj.

Katër apo pesë javë më parë tallej kur dikush i kërkonte të merrte masa dhe kur merrte pozicion serioz i akuzonte kërkuesve për përhapje paniku. Në atë kohë nuk ishte ende në rolin e babait, ishte në rolin e të paditurit apo të pandijshmit, që nuk e mendonte se koronavirusi, ose armiku i padukshëm nuk do të mbërrinte.

Ndoshta dëgjonte ata që i tregonin se rakia, hudhra, qepa, imunizonin shqiptarët, ndaj dhe asnjë nga ato qindra mijëra shqiptarë që u kthyen në Shqipëri në mesin e epidemisë që mbërtheu Italinë, nuk u karantinuan. Dhe sot janë ato bombat që shpërthejnë dhe plagosin ose vrasin, pa dashjen e atyre që e mbajnë dhe e përhapin.

I mbani mend kur dilnin me rradhë dhe flisnin për super-masat e vendosura në kufijtë e Shqipërisë dhe prisnin të kapnin armikun si të ishte një elefant apo ari.

Më vonë nisi të kuptojë se armiku ishte i padukshëm, dhe gjënë e parë që bëri shkoi e u mbyll në bunker, atje në Surrel, nga ku lëshonte fermanët si Sulltani i Albanistanit.

Dhe si Sulltan vendosi të bëjë eksperimente, të vendoste orare lëvizjeje, pastaj t´i ndryshonte, pastaj t´i shtrëngonte, dhe në fund u ndal në variantin që secili duhet të pajiset me leje për të lëvizur 1 orë për të bërë pazare apo mbaruar ndonjë punë të vogël.

Vendosi, të kopjojë modelin izraelit për të izoluar të moshuarit, por ende nuk ka dhënë zgjidhje se si do i ndihmojë ata të marrin ilaçe dhe ushqime. Ndoshta se ka kuptuar që e vetmja strukturë që i funksionon në këtë luftë janë mjekët, madje ata të Infektivit dhe disa nga Urgjenca, pasi pjesën tjetër e ka lënë te rezervistët.

Pasi u bë polic, ushtar, doktor, epidemiolog, infeksionist, vendosi të marrë rolin e babait. Por fatkeqësisht këtë rol nuk di ta bëjë.

Unë sot nuk njoh asnjë model babai, përveç atij që u shfaq sot, që të tregojë horror, që t´i fusë tmerrin fëmijëve, që të përhapë frikë e panik.

Roli i babait është ai që jep siguri, jep zgjidhje dhe garanton të ardhmen e fëmijëve të tij, për aq sa mundet, por jo duke përhapur frikë dhe tmerre. Një baba nuk i thotë fëmijëve të tij të papunë dhe të varfër, që sot nuk mund të sigurojnë bukën, se nuk kanë rrugë tjetër përveç se të paguajnë faturat e energjisë dhe ujit, ndryshe ai i le në errësirë. Një baba i mire gjen zgjidhje, që ndihmon fëmijët dhe shtëpinë.

Sot Edi Rama tha : “e keni parasysh babain kur u shkul veshin? Kur babai rreptësohet, diçka nuk shkon.

Mua më ra për hise t’ua them, e di që po bëj gjëra që nuk ka se si t’ju gëzojnë, kur bëj rolin e babait, po si mendoni ju që më pëlqejnë mua këto masa shtrënguese?

Pse qejf kam unë t’u them si të mbroheni nga kjo mortje që na ka rënë si rrufe mbi kokë e kërcënon të na grijë si mish qeni?”.

E vështirë ta besoj se fëmijëve të tij, Rama i flet me këtë gjuhë që sot foli si babai i shqiptarëve.

Dhe nëse i flet, atëherë një baba i tillë duhet lidhur, pasi bën më shumë dëm kur është i zgjidhur./Boldnews