Nishani: Shqipëria po promovon përdorimin e energjisë së rinovueshme

415
Sigal

Përmbytjet e kohëve të fundit dhe thatësia, nxjerrin në pah nevojën urgjente për masa përshtatëse në politikat tona të zhvillimit kombëtar

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marë pjesë dje në Sesionin Plenar të Samitit të Klimës 2014, organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon dhe mbajti një fjalë për politikat dhe strategjinë e vendit tonë për përballimin e sfidave që lidhen me ndryshimin e klimës. “Unë dëshiroj të falënderoj Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për organizimin në kohë të këtij Samiti. Në fakt, adresimi i ndikimit të ndryshimit të klimës në zhvillimin e shoqërisë tonë në të ardhmen është kthyer në një çështje thelbësore që kërkon veprim të shpejtë. Ndryshimi i klimës nga vetë natyra e tij, është një fenomen global ku përgjegjësitë e secilit vend janë shumë të vështira për t’u atribuuar dhe veprimet e një vendi ndikojnë gjerësisht te vendet e tjera. Ndryshimi i klimës shërben si një koefiçent rreziku dhe kontribuon për përshkallëzimin e konflikteve mbi burimet natyrore, pengon zhvillimin ekonomik dhe rrit presionet mbi qeverisjen ndërkombëtare. Si një vend i vogël në zhvillim, Shqipëria kontribuon pak në ndryshimin e klimës globale, por është duke vuajtur shumë nga pasojat e tij negative. Në Shqipëri, ne jemi përballur me ndryshime dhe luhatje klimatike. Përmbytjet e fundit dhe thatësia tregojnë ndjeshmërinë e sistemeve sociale, ekonomike dhe mjedisore ndaj ndryshimeve klimatike dhe nxjerrin në pah nevojën urgjente për të integruar masa përshtatëse dhe zbutëse në politikat tona të zhvillimit kombëtar. Si rrjedhojë, një strategji e re Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) për 2014-2020 është duke u hartuar. Në këtë kuadër, ka një qasje të fortë për ta përfshirë ndryshimin e klimës në strategjitë sektoriale dhe për të prezantuar ‘strategjitë e zhvillimit të emetimit të ulët’ (LEDs) si një plan drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Qasja e ZHEU (LED) do të ketë një komponent afatgjatë që përfshin një vizion strategjik, dhe një komponent afat-shkurtër dhe afat-mesëm që rendit veprimet specifike që duhet të ndërmerren për të kaluar në një ambient me karbon të ulët nëpërmjet veprimeve të duhura zbutëse Kombëtare (NAMA-së) dhe Plani Kombëtar të Përshtatjes (NAP). Për herë të parë, një strategji kombëtare për zvogëlimin e rrezikut të katastrofave dhe mbrojtjen civile 2015-2019, do të përgatitet dhe të paraqitet për miratim në Kuvend deri në fund të 2014. Shqipëria po promovon në mënyrë agresive përdorimin e energjisë së rinovueshme në të gjithë vendin. Duke përfituar nga potencialet e vendit, veç hidrocentraleve, aktualisht ne jemi duke zhvilluar tregun për sistemet e ngrohjes diellore të ujit, energjisë së erës, biomasës dhe bio-karburëve. Ne jemi krenar për përdorimin energjisë elektrike të gjeneruar vetë për rreth 100% të kohës.