Gjykata Kushtetuese rrëzoi Paktin Detar, po ka lënë në fuqi VKM e Paktit Detar

1613
Sigal

PS që e denoncoi dje në opozitë, po hesht sot në qeveri për mos shfuqizimin e VKM të Paktit Detar dhe u premton grekëve zbatimin e tij!

 Paska plotësisht të drejtë Greqia, që vazhdon të bëj propaganda, të vendos kushte e të kërkoj me insistim prej qeverisë shqiptare “Rama”, ri përsëritjen e Paktit Detar Jugor, për të arritur synimin për copëtimin e tij. Këtë të drejtë të padrejtë, Greqisë ia jep Gjykata Kushtetuese Shqiptare, me Vendimin e saj Nr. 15, datë 15. 04. 2010 (V-15/10) Akt Përfundimtar. Siç dihet, ish-qeveria “Berisha” dhe deputetët demokratë të Parlamentit shqiptar, në vapën e gushtit të vitit 2007 edhe pse ishin në plazh, ashtu me “brekë” u mblodhën tinëz shqiptarëve dhe nënshkruan një pazar-marrëveshje me grekët, për ndryshimin e kufijve detar mes dy vendeve, për t’i falur Greqisë “truall” nga deti jugor shqiptar. Edhe pse pakti u firmos në gushtin e vitit 2007, pazari ishte bërë që me vizitën e “mister” të Nikolas Geixh më 3 dhjetor 2002 në selinë e PD-së dhe takimin e tij të “befasishëm” me (ar)mikun Berisha, për ta  hartuar këtë pakt në tetor 2006 e për ta finalizuar në gusht 2007. Se cilat ishin interesat e këtij pakti dhe akti qeveritar anti-Kushtetues e antikombëtar, këtë e dinë më mirë vetëm ideatorët, urdhëruesit, pazarxhinjtë, hartuesit dhe firmëtarët e radhës të ricopëtimit të Shqipërisë. Shqiptarët dinë vetëm faktin, që një grup pushtetarësh tradhtarë të kombit, u mblodhën dhe firmosën zyrtarisht 95 vetë, pas Londrës së vitit 1913 e pas Shën Naumit të 14 gushtit 1924 të Ahmet zogut, që deti jugor shqiptar t’i falej Greqisë. E sikur t’i çonin një tufë lule, shtetarët e lartë shqiptarë, shkuan deri në Athinë e ulën në gjunjë të shtetit grek, duke i dorëzuar detin me ceremoni, puthje, buzëqeshje e shampanjë, duke publikuar edhe “hartën” e re të Shqipërisë së copëtuar.

Presidenti edhe i spostuar, edhe i heshtur

Thonë, se heshtja cilësohet si akt aprovimi. Në rastin e Paktit Detar të copëtimit të detit të Shqipërisë së jugut, ish- Presidenti Bamir Topi, edhe pse ishte në dijeni dhe iu dërgua denoncimi nga shumë forca politike, shoqëria civile, media dhe specialistë të ushtrisë shqiptare për këtë pakt anti-kombëtar, qëndroi i heshtur. Heshtje në pozicionin kushtetues të presidentit, do të thotë miratim i çdo ligji, dekreti, akti, vendimi e pakti. Por në rastin e pazarit detar të qeverisë shqiptare me Greqinë, presidenti nuk duhej të qëndronte i heshtur, mbasi e drejta kushtetuese e nisjes së negocimeve të marrëveshjeve ndërshtetërore është vetëm e drejtë e presidentit. Në rastin konkret, negocimin për marrëveshjen e ndryshimeve kufitare detare (të copëtimit) e kishte “uzurpuar” qeveria, duke spostuar dhe shpërfillur presidentin. Ky i fundit, qëndroi i heshtur deri sa marrëveshja u bë fakt me firma e harta zyrtare ndryshimi kufijsh mes Shqipërisë dhe Greqisë, pra deri në momentin që Shqipëria “preu” copë nga deti shqiptar dhe ia fali Greqisë. Po pse heshti presidenti? Nuk e tha kurrë, por ishte e qartë, që brenda atij pazari tradhtie kombëtare, të ideuar e realizuar prej shefit të tij politik e prej qeverisë së partisë së tij, ishte përfshirë edhe ai me heshtjen e tij! Presidenti Topi, vetëm 1 muaj në detyrë deri në gusht 2007, kur u firmos urdhri qeveritar për paktin, duhej të jepte alarmin për këtë spostim dhe grabitje kompetence kushtetuese, por së pari për këtë copëtim territorial të vendit. Por ai nuk reagoi fare. Sa për kujtesë, në rastin e marrëveshjeve të tilla ndërshtetërore, Kushtetuta përcakton kështu: “Presidenti i Republikës, si përfaqësues i vetëm i unitetit të popullit, është organi që në bazë të ligjit, ka të drejtën të japë autorizimin fillestar për negocimin e marrëveshjeve, ku palë është shteti shqiptar.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi paktin detar, por nuk shfuqizoi VKM

Ka një skandal në qëndrimin kushtetues të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me Paktin Detar Shqipëri-Greqi. Në vendimin e saj përfundimtar, ajo shprehet kështu: “Gjykata çmon përfundimisht, se marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare” është e papajtueshme me Kushtetutën… me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës”.  Por, skandali qëndron në faktin, se kjo gjykatë ka lënë në fuqi urdhrin e kryeministrit, VKM dhe ligjin e votuar fshehurazi nga Parlamenti për Paktin Detar. Sipas ekspertëve të drejtësisë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhej të kishte si konkluzion të parë përfundimtar shfuqizimin e Urdhrit të Kryeministrit Nr.135, dt. 23. 08. 2007, prej të cilit u shkaktua shkelja e Kushtetutës dhe u krijua hapësira për pasojën e cenimit territorial të vendit. Gjykata duhej ta bënte këtë shfuqizim urdhri edhe për faktin, se ky urdhër që i hapi rrugë aktit anti-kushtetues të Paktit Detar, ka “rrëzuar” nga funksionet kushtetuese edhe presidentin e Republikës. Por urdhri që do të copëtonte trojet shqiptare është ende në fuqi dhe Greqia, në të drejtën e saj ndërshtetërore për shkak të ekzistencës në fuqi të VKM, po vazhdon të kërkoj rikthimin e negociatave për të rrëmbyer detin shqiptar. Këtë hapësira ia ka lënë Gjykata Kushtetuese Shqiptare, me mos rrëzimin e aktit anti-ligjor qeveritar të nisjes dhe hartimit të këtij pakti.

PS e denoncoi në opozitë, po mban në fuqi VKM e Paktit Detar!

Skandali u zbulua dhe u fut në rrjetën e debatit publik, mediatik, politik e ushtarak brenda Shqipërisë dhe në debatin diplomatik mes dy vendeve. Çështja u bë objekt padie në Gjykatën Kushtetuese prej ish-opozitës PS, sot parti në pushtet, me përfaqësim parlamentar dominues. Në gjykim të Paktit Detar, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Pakti Detar ka nisur finalizimin me Urdhrin e Kryeministrit Nr.135, dt. 23. 08. 2007 “Për ngritjen e grupit ndër-institucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje”. Ky urdhër, ka pasur si qëllim, përcaktimin vetëm të shelfit kontinental me Greqinë, ndërkohë që bisedimet janë zhvilluar përveçse mbi shelfin kontinental edhe mbi hapësira të tjera detare brenda hartës detare e ujore zyrtare shqiptare. Ky pakt u cilësua prej Gjykatës Kushtetuese si “pazar anti-kushtetues”, pasi në “Protokollin e Firences-1913” është përcaktuar dhe pranuar përfundimisht kufiri detar midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën e kanalit të Korfuzit. Këtë pazar anti-kombëtar e ndalon edhe ligji shqiptar Nr. 8771, dt.19.04.2001 “Për kufirin shtetëror të RSH”, por i shfuqizuar qëllimisht prej ish-qeverisë dhe me dekret prej ish-presidentit Topi, me ligjin Nr.9861, dt. 24. 01. 2008, duke përcaktuar si pjesë të territorit shqiptar ujërat territoriale dhe ujërat e brendshme, kjo bërë me qëllimin për mos rrëzimin e Paktit Detar (pra që t’i jepej deti Greqisë) e të bëheshin marrëveshje të tjera ndryshimesh ujore me fqinjët edhe në kufirin shqiptar juglindor, veriperëndimor e verilindor. Me kërkesë të PS-së, ish-opozitë në atë kohë dhe me Vendim të Gjykatës Kushtetuese Nr. 15, datë 15. 04. 2010 (V-15/10) është shfuqizuar Pakti Detar me Greqinë, firmosur prej Shtetit Shqiptar me Urdhrin e Kryeministrit Nr. 135, dt. 23. 08. 2007, për t’i copëtuar sipërfaqe detare Shqipërisë e për t’ia falur Greqisë. Por PS, sot në pushtet e qeverisje, po hesht për mos shfuqizimin e Urdhrit të kryeministrit nga Gjykata Kushtetuese. Për rrjedhojë, ky urdhër është ende në fuqi me forcë vepruese kushtetuese, mbasi nuk është shfuqizuar. Përse hesht qeveria “Rama” për lënien në fuqi të këtij urdhri? Përse nuk po e shfuqizon këtë urdhër që e ka quajtur “defterë tradhtarësh të kombit”?! Mos vallë me këtë heshtje e mbajtje në fuqi ekzekutive të këtij urdhri, ka lidhje kërkesa në vazhdim e Greqisë për përsëritjen e paktit detar? Mos vallë me këtë mos shfuqizim urdhri, kanë lidhje deklaratat premtuese të Kryeministrit Edi Rama, për rihartim të copëtimit të detit shqiptar, në favor të Greqisë?!

Ja 10 skandalet shtetërore me Paktin Detar

1. Mos pajisjen e delegacionit qeveritar shqiptar, me autorizim dhe plotfuqi zyrtare nga Presidenti i Republikës, për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes.

2. Mangësitë serioze ligjore e teknike në përmbajtjen e marrëveshjes.

3 Mos zbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë e të ndershëm.

4. Mos marrjen parasysh të ishujve, si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

5. Urdhri i Kryeministrit, nuk është konsultuar e miratuar në Këshillin e Ministrave, si dokument kushtetues qeveritar e shtetëror, që ka lidhje me interesa të larta kombëtare.

6. Pakti detar është hartuar dhe firmosur pa diskutimin në popull, mbasi ndryshimet fizike territorial të vendit, i përkasin vetëm të drejtës së referendumeve popullore.

7. Nuk është konsultuar, nuk është debatuar e nuk është votuar në parlament me shumicë të cilësuar, por vetëm me votat e maxhorancës me përfaqësim të thjeshtë.

8. Marrëveshja e nënshkruar nuk është shoqëruar me hartat përkatëse, por vetëm me koordinatat e kufirit ndarës, (neni 1/2 i marrëveshjes).

9. Hartat nuk janë paraqitur në dosjen e marrëveshjes detare, me qëllim abuzimi të sipërfaqes së copëtuar të paracaktuar (marrje më tepër), duke shkelur parimin e transparencës që duhet të ishte zbatuar gjatë negocimit të palëve.

10. Qeveria shqiptare ka shkelur me dashje Nenin 23 të Kushtetutës, që garanton të drejtën e informimit publik, si detyrim për të bërë publik çdo vendim dhe ligj që ka lidhje me kufijtë e vendit dhe territorin fizik të shtetit.

Ja 13 zyrtarët, që “gatuan” dhe firmosën copëtimin e detit shqiptar

 1. Sali Berisha, ish-Kryeministër

2. Lulzim Basha, ish-ministër i Jashtëm

3. Ferit Hoxha, ish-Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së

4. Gazmend Turdiu, ish-Drejtor i Çështjeve Juridike Ndërkombëtare e Konsullore

5. Ilir Tepelena, ish-Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale

6. Ledia Hysi, sh-Drejtore e Çështjeve Juridike dhe të Drejtës Ndërkombëtare

7. Suela Ibrahimi, specialiste në MPJ pëe çështjet juridike

8. Enkeleda Mërkuri, specialiste në MPJ për çështjet rajonale

9. Kristaq Gerveni, ish-Komandant i Flotës Detare, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm, atashe ushtarak në NATO

10. Miranda Zeka, ish-Drejtore e Institutit Gjeografik të Ushtrisë

11. Anduel Cauli, shef i sektorit të hartave dixhitale në Ministrinë e Mbrojtjes

12. Ferdinand Berberi, ish-shef i sektorit të fotogrametrisë në Ministrinë e Mbrojtjes

13. Krenar Muço, ish-Drejtor i Shërbimeve Operacionale në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin

Pak nga historia e paktit detar me Greqinë

 Marrëveshja e delimitimit të zonave nëndetare dhe kufijve të tjerë ujore mes Greqisë dhe Shqipërisë, e njohur ndryshe nga media si Pakti Detar u nënshkrua në Tiranë më 27 prill 2009 mes ish-ministres greke Dora Bakojanis dhe ministrit të Jashtëm shqiptar Lulzim Basha. I shumëdiskutuar i kontekstualizuar në pikëpamje elektorale pakti në fjalë me gjithë rrëzimin e tij nga Gjykata Kushtetuese shqiptare më 26 janar 2010 ka fituar në një vështrim prapakthyes një rol të vetin politik. Si fakt me peshë që i paraprin vetë historisë së marrëveshjes, duhet nënvizuar ai i bërjes publik të negociatave nga Bakojanis në një vizitë të saj më 21 mars 2008 pak ditë pas incidentit tragjik të Gërdecit sikundër do të shprehej Lulzim Basha në konferencën e përbashkët për shtyp. Kjo ngjarje që vendosi në vështirësi qeverinë e Sali Berishës, por edhe Shqipërinë në planet e saj për integrim në NATO, mund të lexohet tanimë si moment dobësie dhe një pikë mbi të cilën politika do të kërkonte mjete për të rigjeneruar imazhin e saj apo përgjysmuar kostot. Kësisoj pakti i vlerësuar më vonë si arritje strategjike për Greqinë u firmos në Tiranë më 27 prill, por instrumentet e ratifikimit parlamentar të parashikuar për t’u miratuar në Athinë u pezulluan. Ishte media ajo që ngriti fillimisht hapur dyshimet mbi pikat e paktit kryesisht mbi koordinatat bazë në disa rajone detare sesa mbi kuadrin strategjik të vetë dokumentit të firmosur. Protagonist i kundërshtimit të tij e më tej denoncimit u bë koloneli në pension Myslym Pashaj një oficer karriere i specializuar në fushën e hartografisë, i cili u ballafaqua, madje, edhe në një debat publik me negociatorin shqiptar Kristaq Gerveni më vonë i graduar si kundëradmiral. Sa i përket gjykimit për vlerën strategjike të paktit pretendimet fillestare zunë fill me një të drejtë për hyrje në Otranto të Greqisë si pasojë e lëshimeve në rajonin e Himarës, por edhe deklarimet e Bakojanis për fitore strategjike të Greqisë referuar faktit se Greqia si shtet nuk ka të delitimuar përveç Italisë me asnjë fqinj të vetin kufij ujore. Po kështu në një vizitë në Tiranë në tetor të vitit 2009, ministri i Jashtëm turk Ahmed Davutoglu do të citonte përmes një opinioni botuar në shtypin shqiptar rëndësinë strategjike dhe ekuilibruese të porteve shqiptare qysh prej shekullit të 16-të çka mund të japë një ide mbi atë sesi mund të lexohet lëvizja kufitare në këtë zonë të Jonit. I ricikluar shumë fort mediatiksht debati për paktin detar u kap nga Partia Socialiste e mbetur sërish në opozitë për të nisur një aksion politik që përfundoi me depozitimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese. Rrëzimi prej kësaj të fundit duke sjellë në vëmendje lëshimin e territoreve dhe mosmarrjen e plotfuqisë nga Presidenti e nxori çështjen në sipërfaqe si një problem me karakter diplomatik dhe kushtetues. Qysh atëherë, dokumenti ka mbetur ne sirtar, edhe pse mes palëve ka diskutime dhe komunikime, por që ndalën në faktin se teksa Greqia kërkon zbatimin e dokumentit fillestar Shqipëria formalisht nuk ka mundësi të bëjë këtë gjë.

Përparim HALILI