Nis samiti i Brdo-Brijunit, Meta pret në Tiranë liderët e Ballkanit

480
Sigal

Ka nisur sot në Tiranë samiti i Brdo-Brijunit, i organizuar nga Presidenti Ilir Meta ku janë mbledhur edhe lidërat kryesorë të Ballkanit dhe përfaqësues të lartë të Europës. Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale bashkëthemeluar nga Presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

Me ftesën edhe të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në Samitin e Tiranës, do të marrin pjesë tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferoviç dhe Željko Komšiç, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Samiti i Liderëve në Tiranë, që përkon dhe me “Ditën e Evropës”, synon të përçojë një mesazh të rëndësishëm politik lidhur me aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Kjo nismë ka shërbyer si forum i rëndësishëm i nivelit më të lartë politik për nxitjen e dialogut, bashkëpunimit, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit, dhe mbështetjen e proceseve europiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit. Një tregues domethënës e jetik për vende tona ka qenë mbështetja e vazhdueshme që drejtues të lartë evropianë dhe amerikanë i kanë dhënë këtij Procesi.