Ministri Harbers në Tiranë: Harrojeni emigracionin e paligjshëm nëpërmjet Holandës
Emigracioni i paligjshëm i qytetarëve shqiptarë drejt Holandës por edhe përdorja e këtij shteti si pikë tranziti për të udhëtuar më tej drejt Britanisë së Madhe solli në Tiranë Ministrin për Migracionin në Holandë, Mark Harbers. Edhe pse foli për bashkëpunim të mirë në të gjitha nivelet me shtetin shqiptar, ai kërkoi masa më të forta nga Tirana zyrtare si me kontrollet në kufi ashtu edhe për ndërgjegjësimin e qytetarëve. Dhe këtu ai solli në vëmendjen rastin e gjetjes së 18 emigrantëve në një kontejner shtatorin e kaluar, në kufijtë e vdekjes. Mesazhi i tij për shqiptarët ishte i qartë: Harrrojeni Holandën dhe Britaninë përmes Holandës pasi gjithçka mund të merrni është një biletë kthimi drejt Shqipërisë së bashku me sanksionet për lëvizjen e lirë. Deklaratat Harbers i bëri në konferencën e përbashkët për shtyp me zv.ministren e Brendshme Rovena Voda. “Tema kryesore e vizitës sime është emigracioni i paligjshëm nga Shqipëria dhe kalimi i paligjshëm nëpërmjet Holandës. Në vitin 2018 të gjitha aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë janë refuzuar. Sepse Shqipëria cilësohet si një vend i sigurt. Varfëria apo mungesa e shpresës nuk përbëjnë arsye për azil. Aplikimet për azil nga vendet e sigurta procedohen me prioritet, pas të cilit azil-kërkuesi kthehet shumë shpejt mbrapsht në vendin e tij të origjinës. Edhe në rastet e apelimit, e gjithë procedura mund të përfundojë brenda 8 javësh”.





















