Nga plehrat te kullat, Veliaj hera e dytë brenda 6 muajsh që përfshihet në hetimet e Ndraghetta-s

32
Sigal

Opinioni publik shqiptar, prej shumë kohësh, e ka parë klanin mafioz “Ndragheta” vetëm në kronikat policore në mediat përtej detit.

Por, në vetëm 6 muajt e fundit, “Ndragheta” është shqiptarizuar. Dy hetime të ndryshme të Anti-mafias italiane kanë zbuluar interesa të klanit mafioz në Shqipëri dhe, sidomos në Tiranën e drejtuar nga Erion Veliaj.

Së fundmi, anti-mafia italiane zhvilloi një hetim të gjerë kundër një seksioni të “Ndraghetas”. Në qendër të hetimi është Andrea Gallo, i njohur edhe si “Princi”.

Gallo, në komunikimet e përgjuara gjatë hetimit, diskuton me një bashkëpunëtorin e tij, lidhur me mundësinë e përfshirjes në sektorin e ndërtimeve në Tiranë. Ata janë të bindur se me rryshfet “20 përqind”, në kryeqytetin shqiptar mund të marrësh leje për pallate shumëkatëshe. Madje, ata flasin edhe për takime të kryera me njerëz “pranë” kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit.

Natyrisht, emri i Erion Veliajt nuk shfaqet në përgjimet e publikuara deri më tani nga media italiane dhe ajo shqiptare. Megjithatë, të dhëna indirekte e lidhin rastin me “Lali Erin”, pasi ai është autoriteti kryesor për dhënien e lejeve të ndërtimit në kryeqytet.

Këto detaje nga super-operacioni i Anti-mafias italiane e përfshijnë për herë të dytë Erion Veliaj, megjithëse në mënyrë indirekt, në dosjet hetimore kundër klanit mafioz Ndragheta.

Në qershor 2020, Drejtoria e Anti-Mafias e Veronas njoftoi finalizimin e një tjetër operacioni kundër grupit mafioz, në të cilin ishin të përfshirë edhe zyrtarë publikë të qytetit verior italian.

Ish-kryebashkiaku Flavio Tosi dhe disa bashkëpunëtorë të tij e panë veten të akuzuar për lidhje me Ndraghet-an, mes të cilave edhe për favore që i kishin bërë klanit kriminal në fushën e përpunimit të mbetjeve urbane. Tosi nuk ishte i panjohur për opionin publik shqiptar. Në vitin 2016, kur ai drejtonte Bashkinë e Veronës, nënshkroi një marrëveshje me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për krijimin e kompanisë “Eco Tirana”, për menaxhimin e mbetjeve të qytetit.

Pas kësaj marrëveshje, “Eco Tirana” u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku bashkia e kryeqytetit kishte 51 përqind, ndërsa Bashkia e Veronës, e përfaqësuar nga kompania publike “AGSM” kishte 49 përqind.

Kompania ‘AGSM”, nga ana e saj, kishte ortake kompaninë private “AIMA”, e cila kishte si drejtues të lartë Andrea Miglioranzi. Ky i fundit, së bashku me zëvendësin e Veliajt, Arbjan Mazniku, u emëruan administratorë të “Eco Tirana”.

Në vitin 2018, kohë në të cilën Anti-mafia italiane kishte nisur hetimet për lidhjet e mundshme të Flavio Tosit e kolegëve të tij me “Ndraghet-an”, Andrea Miglioranzi largohet nga “Eco Tirana”.

Në qershor të vitit 2020, Miglioranzi shfaqet sërish, por kësaj radhe në listën e personave të arrestuar për bashkëpunim me klanin mafioz Ndragheta.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, Miglioranzi, nëpërmjet kompanisë së mbetjeve, “Aima”, kishte siguruar flukse financiare për eksponentë të grupit mafioz.

Edhe në atë rast, emri i Erion Veliaj nuk u shfaq, të paktën drejtëpërdrejtë.

E, megjithatë, fakt është që emri i Kryebashkiakut të Tiranës, del, megjithëse në mënyrë indirekte, në dy hetime të ndryshme të Anti-mafias italiane. Ndoshta është koincidencë!