Neonazistët grekë ngrenë flamurin në kufijtë tonë

607
Sigal

Para ca ditësh, aktivistët e Aleancës Kuqezi (AK) vendosën flamuj lundrues kuqezi në Kanalin e Korfuzit, përgjatë vijës që tradicionalisht është njohur si kufiri ujor mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ai aksion synonte të sfidonte marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes qeverisë greke dhe asaj shqiptare për ndarjen e ujërave territoriale, e cila, sipas Myslym Pashajt, Sekretarit të Përgjithshëm të AK-së, do të mbetet e njëjtë me atë që shfuqizoi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Këtij aksioni të kuqezinjve të AK-së i janë përgjigjur dje neonazistët grekë të partisë “Agimi i Artë”, të cilët kanë vendosur një parullë dhe flamurin grek në Ngushticën e Korfuzit, mbi një far që, sipas marrëveshjes së shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, shërbente si pikë referimi për ndarjen e ujërave territoriale. Për ironi, edhe në parullën e neonazistëve grekëve shkruhet: “Jo shitjes së pasurive kombëtare!”. Diferenca qëndron vetëm në faktin se parulla dhe flamuri grek janë vënë në një pikë që qeveria Berisha ka pranuar t’ia njohë Greqisë, ndërsa parullat dhe flamujt e Aleancës Kuqezi u vendosën përgjatë vijës që tradicionalisht është njohur si kufiri ujor mes dy shteteve.

PDIU-JA: “Shteti grek të distancohet nga deklaratat e neonazistëve grekë”

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek e shqetësuar rritjen e shovinizmit grek të përfaqësuar tashmë në nivelet më të larta të shtetit fqinj e njëkohësisht apatinë e autoriteteve shqiptare për t’i vënë fre thirrjeve që cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë. Deklarata e deputetit neonazist grek, Kristo Papa, se Himara është tokë greke e shumë shpejt do të bashkohet me Greqinë, duhet të gjejë një reagim të fortë të shtetit shqiptar. Kristo Papa e kushdo tjetër, që cenon parimet bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke bërë thirrje kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, duhet të shpallen menjëherë persona non- grata. Këto deklarata shoviniste, që kryhen brenda territorit shqiptar, tregojnë edhe një herë se Greqia nuk përqafon vlerat evropiane, të cilat mëton të “përhap në rajon”. Nga ana tjetër, është e pafalshme që Policia e Shtetit dhe autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit nuk kanë vepruar në mënyrë të menjëhershme, duke e ndaluar këtë provokator dhe duke e dëbuar nga Shqipëria. PDIU-ja proteston fuqishëm ndaj këtyre deklaratave të pavenda dhe i bën thirrje shtetit grek, që të distancohet nga këto prirje të errëta të shekullit të kaluar, të cilat tashmë deklarohen nga anëtarë të Parlamentit grek. Greqia duhet të angazhohet seriozisht, që të zgjidhë çështjen çame, duke kërkuar ndjesë për krimet e kryera dhe duke kompensuar pronarët legjitim shqiptarë. Në vend të kësaj ne shohim nxitjen e oreksit ndaj territoreve shqiptare. Historia e Evropës na ka mësuar, se edhe shtetet më të zhvilluara, kur ballafaqojnë kriza të mëdha ekonomike, kërkojnë shpëtim tek eksternalizimi i përgjegjësive si dhe te ksenofobia, autoritarizmi dhe shovinizmi. Ne shpresojmë, që Greqia të ketë nxjerrë mësim nga historia e saj, e mbushur me diktatura, pas krizave ekonomike, duke hequr dorë nga këto mëtime të pakuptimta për shekullin XXI.

______________________________________________________

Përfundon pushimet, Kryeministri mbledh nesër kabinetin

Kryeministri Berisha ka përfunduar pushimet për këtë sezon veror, për t`iu rikthyer edhe njëherë punëve të tij të përditshme në krye të qeverisë shqiptare. Axhenda qeveritare nis me ditën e sotme, ku pritet që nën drejtimin e Kryeministrit Berisha në orën 12:00 të mblidhet Kabineti qeveritar. Nuk dihen ende se cilat do të jenë temat e mbledhjes së 16 gushtit, por pritet që referendumi për imunitetin, po ashtu edhe dekretimi i fundit i Presidentit për kreun e SHISH të jenë pjesë e diskutimeve.

______________________________________________________

Dypunësimi, MSH: Mjekët të respektojnë orarin në publik!

Dypunësimi i mjekëve në spitale publike dhe ato private ka qenë një nga pikat më të nxehta në sistemin shëndetësor. Por, një urdhër i ri i Ministrisë së Shëndetësisë, ka kërkuar nga të gjitha bluzat e bardha respektim të orarit zyrtar në spitalet publike. Urdhri i ri ndalon mjekët e punësuar në spitale shtetërore të ushtrojnë profesionin e tyre në ato private, brenda orareve të kontratës së përcaktuar. Ndërkohë, në rast të shkeljes së këtij urdhri, autoritet shëndetësore nuk do të paralajmërojnë, por do të marrin masa administrative me largim nga puna të mjekut. Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë kërkon të disiplinojnë punën e bluzave të bardha në sistemin shëndetësor publik, për të mos lejuar neglizhenca, apo shkelje të orareve të punës, por respektim të tyre. Urdhri i MSH-së vjen në kohën e duhur, kur sistemi shëndetësor është drejt një reformimi thelbësor, me qëllim përmirësimin e shërbimeve ndaj pacientëve në spitalet publike.

________________________________________________________________

AK, Spahiu: Personat me aftësi të kufizuar, të diskriminuar nga qeveria

Aleanca Kuq e Zi ka mbledhur sot në një tryezë të hapur personat me aftësi të kufizuar, duke prezantuar para tyre platformën e saj. Gjatë fjalës së tij kreu i aleancës, Kreshnik Spahiu tha se qeveria e sotme ka hartuar politika diskriminuese për ta, ndërsa shtoi se ata kanë nevojë të trajtohen si të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë. Spahiu nuk nguroi të lëshonte akuza në drejtim të kryeministrit Berisha, duke e bërë atë përgjegjës për politikat e ndërmarra për personat me aftësi të kufizuara. “Shqipëria pa të drejtë, nëpërmjet qeverisjeve, i ka trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, nëpërmjet politikave diskriminuese, duke i parë si njerëz të cilët kërkojnë mëshirë. Jemi sot për të parë mundësinë, për të ngritur politika të reja, politika të cilat kanë nevojë për ngritjen e një strategjie, e një legjislacioni i cili duhet të mbrojë dhe trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë personat me aftësi të kufizuar. Të jeni të bindur që nuk janë në konceptin e kuqezinjve këta personat me aftësi të kufizuara, me aftësi të kufizuara është qeveria jonë, e cila i shikon qytetarët një si të nënës e një si të njerkës, me aftësi të kufizuara është kryeministri ynë që e ka shikimin shumë të kufizuar për të ardhmen e Shqipërisë. Të verbër janë ata që nuk shikojnë se si rrënohet për ditë Shqipëria”, tha ai.