Reagimet e Bundestag-ut për ndryshimet kushtetuese. Milo: “ Lëvizje politike ekstreme e socialistëve, ndryshimet marrëzi”

64

Ish ministri i jashtëm Paskal Milo, thotë se deklarata e ashpër e Bundestag-ut mbi ndryshimet kushtetuese, nuk do të jetë e vetmja nga faktori ndërkombëtar. I ftuar në një studio televizive, Milo theksoi se me këtë levizje po rrezikohet stabiliteti politik i vendit. “Unë do të thoja që është deklaratë e paralajmëruar  dhe nuk do të jetë e vetmja. Me siguri që sot nesër do të ketë edhe të tjera, që do të vijnë nga partnerët ndërkombëtarw, sepse mënyra se si po zhvillohen ngjarjet në Shqipëri rrezikon, jo thjesht vetëm marrëveshjen e 5 qershorit, por rrezikon stabilitetin politik të vendit, gjë që për ndërkombëtarët është çështje shumë serioze. Prandaj dhe ata po ndërhyjnë. Ky teksti i CDUS-së është një tekst gati ultimativ që kërcënon dhe thotë që nuk do të hapet konferenca e parë ndërqeveritare në rast se do të ketë ndryshime në marrëveshjen e 5 qershorit.”- tha Milo. Sipas tij, kjo është një lëvizje politike ekstreme e Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme. “Unë dua të besoj dhe kam një nuhatje që kjo më tepër është një lëvizje politike in ekstremis e Partisë Socialiste, për të dëshmuar që kërkon të sigurojë lëshime qoftë edhe minimale në krijimin e infrastrukturës elektorale për zgjedhjet e ardhshme. Nuk besoj se marrëzia mund të arrijë deri aty sa të bëhen këto ndryshime kushtetuese që janë përfolur. Në mënyrë të veçantë mohimi i të drejtës të partive politike për të shkuar në zgjedhje në koalicion.” – theksoi Paskal Milo.