Klosi: Berisha dështoi me të gjitha dhe me luftën kundër krimit

531
Sigal

Selia rozë deklaroi dje se Kryeministri Sali Berisha ka dështuar në çdo aspekt të qeverisjes. Sipas Klosit, mes dështimeve, kreu i qeverisë numëron dhe luftën kundër krimit, ndërsa vërejti se në krye të SHISH-it emërohen njerëz që i kryejnë shërbime vetëm kryeministrit.  “Sali Berisha ka dështuar në qeverisje, në përmbushjen e kërkesave të BE-së apo me zgjedhjen e një presidenti konsensual…. Berisha vendosi një shërbëtor në krye të vendit dhe si në vitin ‘97 vuri në SHISH vendosi një njeri që të mbarojë vetëm problemet e tij. Sot një tjetër krim ka ndodhur, çfarë bën Policia e Shtetit. Sa vlerë ka jeta e shqiptarit, çfarë bën policia e shtetit dhe sa të tjerë duhet të vriten që dikush, diku të mbajë përgjegjësi”, tha deputeti socialist, duke iu referuar vrasjes së ditës së djeshme në qytetin e Elbasanit për të vënë theksin tek puna e policisë dhe fenomeni i pandëshkueshmërisë. Klosi theksoi se Shqipëria rrezikon për herë të tretë procesin e integrimit, pikërisht për mospërmbushjen e këtyre kritereve. Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin se nuk është i interesuar për pavarësinë e gjyqësorit, pasi i intereson një sistem i gjunjëzuar, përpara familjes dhe pushtetit të tij. Sipas Klosit, Berisha gënjen dhe shpif për turizmin, duke theksuar se i vetmi investim që ka bërë është mobilimi me shuma marramendëse i vilës së tij në Vlorë, ku do të kalojë ditët e fundit si kryeministër. “Ky pushtet i ka ditët e numëruara, nevojitet një rilindje shqiptare për të sjellë më shumë punë, mirëqenie, drejtësi dhe shpresë për shqiptarët dhe për brezat e rinj.”- përfundoi Klosi.

 —————————————————————————————————————-

PD: Rama fushatë kundër heqjes së imunitetit, por qytetarët vendosin me votë

 

Partia Demokratike sërish akuza ndaj opozitës e liderit të saj për çështjen e imunitetit. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, akuzoi sërish kryesocialistin se ka nisur një fushatë kundër heqjes së imunitetit nëpërmjet referendumit popullor. “Rama ka angazhuar mediat që kontrollon dhe specialistët e Partisë në një fushatë absurde dhe të diskretituar botërisht kundër heqjes së imunitetit nëpërmjet referendumit popullor si një e drejtë kushtetuese e qytetarëve shqiptarë. Me këtë qëndrim z.Rama dhe miliarderët imunitarë të Partisë Socialiste, që i bllokojnë për të tretin vit me radhë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, dëshmojnë qartë dhe përfundimisht se ata nuk mund të pranojnë kurrsesi heqjen e imunitetit sepse janë të tmerruar nga origjina e qindra miliarda lekëve të kupolës së Partisë”, thuhet në deklaratën e PD-së. Sipas PD-së, Rama dhe zëdhënësit e tij kanë harruar dhe nuk flasin më për rrogat, pensionet, punësimin dhe ndihmën ekonomike, të cilësuara prej PD-së, si “interesat jetike të qytetarëve të thjeshtë”. PD-ja shton se socialistët po dëmtojnë qytetarët e thjeshtë duke kundërshtuar heqjen e imunitetit. “Imuniteti është si të thuash, këmisha e tyre e lindur që i qëndron në AND-në e neobllokmenëve të trashëguar nga etërit e tyre, prandaj dhe ata që e ndjejnë veten si të lindur me imunitet, nuk mund të pranojnë kurrë ta heqin atë dhe të barazohen para ligjit me qytetarët e thjeshtë, pavarësisht dëmit të pallogaritshëm që i bëjnë vendit, para së gjithash duke bllokuar statusin e vendit kandidat dhe integrimin e tij në Bashkimin Europian”, theksohet në deklaratë. Për PD-në, do të jenë qytetarët shqiptarë ata që në referendumin popullor do të shembin së murin e imunitetit. “do të shndërrojnë Shqipërinë në vendin e qytetarëve të barabartë para ligjit në një vend me të ardhme të sigurt Europiane, të cilën ata e meritojnë”, përfundon deklarata.