Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho kërkoi ashpërsim të Kodit Penal për rastet e abuzimeve seksuale me të mitur. Nëpërmjet një reagimi ajo tha: “Duke vërejtur se mangësi ka edhe në legjislacionin tonë penal, pavarësisht ndërhyrjeve të shpeshta që janë bërë, e konsideroj domosdoshmëri ashpërsimin e ligjit penal për çdo veprim që cënon të miturit. Ndaj, edhe si nën-Kryetare e Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijeve” në bashkëpunim me CRCA / ECPAT Albania, kam depozituar në Kuvend projektligjin për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, duke propozuar:
-dënimin nga 10-15 vjet burg për cilindo të rritur që kryen veprime apo marrëdhënie seksuale me fëmijë nën moshën 16 vjeç,
-dënimin me tridhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm në rastet kur vepra sjell si pasojë zhdukje, vetëvrasjen ose vdekjen e fëmijës,
-dënimin me 7-10 vjet të akteve si nxitja, shtytja apo manipulimi i fëmijës për ta shtyrë drejt marrëdhënieve seksuale etj. Mjedisin ku rriten fëmijët tanë mund ta bëjmë më të sigurt: së pari duke krijuar një front të reagimit qytetar, duke rritur ndjenjën e përgjegjësisë së familjes, shkollës dhe me rradhë gjithë të tjerëve, përfshirë edhe ashpërsimin e dënimeve penale për abuzuesit. Fakti që po punohet për të miratuar Kodin e ri Penal, nuk mund të jetë argument për ta shtyrë miratimin e propozimit që po ju bëj me dije, i cili është vetëm hapi i parë për të parandaluar abuzime me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e tyre”, -tha nënkryetarja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho.



















