Negociatat me BE, sa herë “hapen”, dalin kushte të reja

460
Sigal

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kanë dhënë, për të tretë herë radhazi, viston për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Union.

Përtej dëshirës së autoriteteve shqiptare për hapjen pa kushte të negociatave, kjo nuk duket se përfshihet në axhendën e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Kjo qasje e tyre është dëshmuar plotësisht nga refuzimi që Këshilli Europian, pra organizmi që mbledh krerët e shteteve anëtare, i ka bërë hapjes së negociatave në vitet e kaluara. Duket se e njëjta situatë mund të përsëritet edhe në vitin 2020.

Kushtet “e ndryshueshme”
Siç ka ndodhur edhe më parë, propozimi më i fundit për hapjen e negociatave për vendin tonë shoqërohet me kushte, të cilat përditësohen vit pas viti.

Natyrisht, kushtet shtohen për shkak të arrogancës së kryeministrit Edi Rama gjatë ushtrimit të pushtetit të tij.

Çdo herë që ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian kanë sugjeruar hapjen e negociatave gjatë mandatit të Edi Ramës, ata kanë përdorur disa kushte të përgjithshme, si edhe disa specifikime vit pas viti.

Kushtet e pandryshueshme që kërkohen të përmbushen nga Shqipëria për hapjen e negociatave janë ato që lidhen me implementimin e Reformës në Drejtësi, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Përtej këtyre kushteve “të përgjithshme”, Brukseli është treguar i vëmendshëm edhe për zhvillimet e “përditshmërisë” politike të Shqipërisë.

Dy vjet më parë, Komisioni Europian kushtëzoi hapjen e negociatave me nisjen e reformimit të sistemit të drejtësisë, e sidomos me realizimin e procesit të Vetingut në gjyqësor, përfshirë edhe ngritjen e institucioneve të reja.

Një vit më pas, ndërkohë që një pjesë e këtyre kushteve u plotësuan ose të paktën nisën të plotësoheshin, Brukseli rekomandoi kushte të reja për hapjen e negociatave.

Ndër kushtet “e reja” ishte krijimi i Gjykatës Kushtetuese, vënie në funksion e Gjykatës së Lartë, si edhe realizimi i zgjedhjeve të ndershme e gjithëpërfshirëse.

Qeveria e Edi Ramës dështoi “me sukses” për realizimin e këtyre kushteve gjatë vitit të kaluar (2019). Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë vijojnë të jenë ende jo-funksionale.

Dështimi më spektakolar u shënua në realizimin e votimeve mono-partiake për pushtetin lokale, të zhvilluara në 30 Qershor 2019.

Tashmë, listës së mëparshme të kushteve, Komisioni Europian i ka shtuar edhe sugjerimin për rishikimin e ligjit për median, i paraprirë nga një qëndrim tërësisht arrogant i Edi Ramës përballë shoqatave të shoqërisë civile vendase e ndërkombëtarë, si edhe rekomandimeve të OSBE-së.

Surprizë “kinder” apo “matrioshka”
Për përfaqësuesit e maxhorancës, të udhëhequr nga kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, propozimi për hapjen e negociatave është një lajm i shkëlqyer. Për atë, për shefin e tij dhe të tjerë qeveritarë, kështu ka qenë në çdo rast-një lajm i shkëlqyer.

Në këndvështrimin e tyre, vendimi i përsëritur i Komisionit Europian duket si një “vezë çokollate”, brenda së cilës gjendet “surpriza”, pra hapja e negociatave.

Por, më shumë se sa “vezë surprizë”, sugjerimi i Komisionit Europian duket se u ngjan kukullave ruse “matrioshka”. Njëlloj si lodrat e fëmijëve rusë, edhe “hapja” e negociatave me Shqipërinë u ngjan “gjysheve”, të cilat sapo hap njërën, brenda saj gjenden të tjera (kushte)./Boldnews.al