Korça e sofateve dhe rrugëve që shkëlqejnë, mësim për të gjithë

792
Sigal

Shkon në 11 numri i të prekurve me koronavirus

Nga Vepror Hasani

Korça e sofateve dhe e rrugicave që shkëlqejnë, e nuseve dhe e grave të reja, por edhe e gjysheve që rrinë me fshesë në dorë, ku gjithkund ndjen aromë sapun dhe ujë; Korça me rrobalarësen më të hershme në Shqipëri, dhe ndoshta e vetmja në gjithë vendin, në këto ditë epidemie të virusit corona, na tregoi të gjithëve se virusi i padukshëm kërkon rregulla të forta, sepse mund të vijë nga shumë vende të të botës përmes njerëzve që kanë qenë atje, të cilët mund të jenë njerëzit tanë më të dashur. Dhe kështu ndodhi: dy të moshuar (bashkëshortë) u infektuan nga ardhja e mbesës nga Italia, e cila donte të takonte gjyshin dhe gjyshen se e kishte marrë malli, as vetë nuk e dinte se ishte prekur nga virusi. Edhe 31-vjeçari, menaxher në një lokal të njohur u prek nga kjo sëmundje e vështirë për shkak të takimeve të shumta që ia detyronte puna, të cilat i bënte pa maska, doreza dhe masa mbrojtëse të tjera. Pas tyre u infektuan të tjerë: djali i dy të moshuarve, nusja dhe nipi i tyre. Tashmë dyshohet se edhe te afërmit e 31-vjeçarit mund të ketë të prekur nga virusi corona. Aktualisht të gjithë janë në karantinë, por nga tre veta që ishin në fillim, shumë shpejt numri shkoi në 5, dhe sërish nuk u ndal aty.

Edhe 6 të tjerë…

Dhe për më tepër ndodhi e pabesueshmja, një ditë më pas qyteti i Korçës u shoqërua edhe nga një lajm tjetër i keq: ishin infektuar edhe 6 persona të tjerë. Infektimi kishtë ardhur nga 3 të prekurit e mëparshëm. Një punonjëse e Agjencisë Shtetëtrore të Kadastrës, e afërme e dy të moshurave, rezultoi pozitve; për këtë shkak 53 punonjësit e Kadastrës u karantinuan në banesat e tyre,  do të qëndrojnë në këto kushte për 14 ditë. Gjeneralitet e tyre u depozitan në Drejtorinë e Polcisë së qarkut Korçë, që kjo e fundit të ndjeke respektimin e afateve kohore të personave të infektuar.  Edhe në doganën e Tushemishtit një prej punonjësve rezultou i prekur nga corona, edhe ai ishte i afërm i njërit prej 3 të prekurve në fillim. Edhe në këtë rast u bë kanantinimi i 20 personave; 14 doganierë dhe 6 prej stafit mjekësor. Deri më tani,  te këta të fundit, nuk janë shfaqur simptoma të virusit. Ndërkohë nga Bashkia e Pogradec u krye dezinfektimi i të gjitha ambienteve të doganës, ashtu sikurse edhe Bashkia Korçë, po vijon me masa të tjera për rujatjen e distancës në njësitë e shërbimit dhe masat mbrojtese vetjake; përcaktimi i numrit të klienteve që mund të jenë brenda njësisë në të njëjtën kohë; dhe ndalimi i klienteve për të mos u vetëshërbyer, pasi këtë gjë duhet ta bëjë vetëm punonjësi i njësisë së shërbimit etj. Vetëm rasti i 3 të prekurve në fillim, tregoi sa shpejt kalon virusi nga një person te tjetri dhe sa kujdes duhet tregur për mbrojtjen e jetës.

As Korça nuk mund t’i shpëtonte virusit

Nuk pritej që në Korça të kishte kaq shpejt një numër të tillë të prekurish nga virusi corona, dhe pavarësisht nga përkushtimi i treguar nga Prefektura dhe bashkitë përkatëse, ky mendim mes njerëzve rezultoi i pabazuar, pasi Korça është një qytet me emigrantë të shumtë në Greqi dhe Itali, dhe me hyrje-dalje të shumta nga dy shtetet përkatëse. Veç kësaj, Korça mbetet e frekuentuar përgjatë gjithë vitit nga vizitorë të huaj, gjë që e bënte të pamundur veçimin e saj nga virusi i padukshëm, pavarësish se edhe gjyshet rrinë me fshesë në dorë në rrugica dhe softe që shkëlqejnë. Gjithashtu,  Kapshtica mbetet një nga vendkalimet kufitare me fluks të madh njerëzisht, mallrash dhe mjetesh. Megjithatë  reflektimi i banorëve të qytetit të Korçës ishte i menjëhershëm; edhe ditët në vijim po përcjellin një panormë tjetër, ku njerëzit respektojnë jo vetëm oraret e përcaktura, mbajtjen e radhës dhe të distancës nga njeri-tjetrit, pa gjeneruar konfuzion. Vërtet kaNjerëz të shumtë te furrat e bukës, te dyqanet ushqimore, te farmacitë dhe njësitë e tjera të shërbimit, por gjithçka kryet sipas rregullave të përcaktuara.