“Në panik nga vrulli i ortekut studentor”, lëvizja “Për Universitetin” i përgjigjet Ramës: Je përgjegjësi kryesor

586
Sigal

Pas komunikimit publik nga “Facebook” i kryeministrit të Shqipërisë ÇEdi Rama, i cili kërkoi dialog me studentët për ditën e nesërme, ka reaguar edhe lëvizja “Për Universitetin”, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet e qartë: “Jo negociata”.

Në postimin e tyre, ata bëjnë përgjegjës kryesor Kryeministrin dhe Qeverinë e tij, për shkatërrimin e jetës universitare, për shkak të ligjit për Arsimin të miratuar në 2015-ën.

Më tej ata shprehen se “Në panik nga vrulli i ortekut studentor, qeveria kërkon ta kthejë shënjestrën te burokratët dhe pedagogët e korruptuar.”

Reagimi i plotë:

JO NEGOCIATA!

Përmes një komunikimi publik kryeministri Rama ka kërkuar të çoroditë mijëra studentët protestues. Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se ai dhe qeveria e tij janë përgjegjësit kryesorë për shkatërrimin e jetës universitare publike.

Në vitin 2015 kanë miratuar një ligj të arsimit të lartë që bazohet në parimin klientelist: varfërim i universiteteve publike dhe shpërndarje e buxhetit të arsimit edhe për universitetet private. I njëjti ligj i ka dhënë qeverisë mundësinë të kontrollojë pothuajse të gjitha bordet e administrimit të universiteteve publike, duke rrënuar autonominë universitare. Siç ka ulur përqindjen e votës studentore nga 20% i ulët në 10% e papërfillshëm.

Në panik nga vrulli i ortekut studentor, qeveria kërkon ta kthejë shënjestrën te burokratët dhe pedagogët e korruptuar. Si aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin i kemi goditur këta të fundit në çdo rast. Por deri më sot abuzimet e tyre kanë qenë të pandëshkuara pikërisht prej mburojës që kanë gjetur te qeveria dhe strukturat e saj.
Ligji i arsimit të lartë ka vdekur. Universitetet kanë nevojë të rithemelohen nga trupa e universitarëve – studentë e pedagogë – pa ndërhyrjen e qeverisë në asnjë fazë të procesit.

Protesta e studentëve është autentike pikërisht se askush nuk ka tagrin t’i përfaqësojë. Ajo i tremb të gjitha partitë pikërisht se është e tillë. Prandaj studentët brohorasin njëzëri: “Jo negociata!”

Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin u bëjnë thirrje të gjithë studentëve që ta vazhdojmë protestën deri në dorëzimin e plotë dhe pa kushte të qeverisë.

“Studentët e bashkuar kanë për të fituar!”