SPAK heton Dvoranin/ Prokuroria e Posaccme e Anti- Korrupsionit do zgjedhë përmes shortit prokurorin që do hetojë çështjen

404
Sigal

SPAK heton Dvoranin. Pritet hedhja e shortit për prokurorin

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka regjistruar zyrtarisht padinë e Presidentit Ilir Meta kundër kreut të KED-së, Ardian Dvorani. SPAK pritet të zgjedh përmes shortit prokurorin që do të merret me çështjen, ndërsa procedurat do të fillojnë sërish me marrjen në pyetje, qoftë të Presidentit me cilësinë e kallëzuesit dhe Ardian Dvoranit që mund të ketë dijeni për veprën penale. Çështja në fjalë kaloi te SPAK pasi Prokuroria e Tiranës, përmes prokurorit Alket Mersini, shpalli moskompetencën për çështjen. Presidenti Ilir Meta në kallëzimin penal ndaj Kreut të KED-së e akuzon këtë të fundit për veprat penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Kallëzimi

Në konkluzionet e kallëzimit thuhet se: Dërgimi njëkohësisht i dy listave nga i akuzuari Ardian Dvorani për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 8 tetor 2019 dhe dërgimi njëkohësisht i dy listave për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Kuvendit të Shqipërisë në datë 14 tetor 2019, në shkelje të hapur të radhës që dikton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 8577 date 10.02.2000, dhe të ligjit nr. 115/2016, janë veprime të ndërgjegjshme kriminale dhe përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e krimit të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Gjithashtu edhe mos botimi i përmbledhjes së procesverbaleve të mbledhjes së KED-së dhe mos marrja e masave për përmbushjen e kësaj detyre që i ngarkohet Kryetarit të KED-së, përveç se ka cënuar punën dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, përbën shkelje të hapur të dispozitave të ligjit nr. 115/2016 dhe akteve nënligjore të KED-së (Rregullores së Funksionimit të Këshillit) veprime kriminale këto që përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Dërgimi i Vendimeve nr. 132, datë 21.09.2019 nga i akuzuari Ardian Dvorani për botim në Fletoren Zyrtare me qëllim krijimin e idesë së rreme në publik se znj. Arta Vorpsi ishte emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mekanizimit zhbllokues, në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 226 e vijues te ligjit 115/2016, janë kriminale, të rrezikshme për rendin kushtetues, dhe përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e krimit të përvetësimit të kompetencave të Presidentit të Republikës, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal dhe të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Presidenti i Republikës vlerëson ekzistencën e një rreziku real që i akuzuari Ardian Dvorani të kryejë sërish veprime kriminale dhe mafioze në shkelje të ngjashme të Kushtetutës dhe ligjit, që do të ndikonin drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e organeve te reja kushtetuese. Në këto kushte i njohur me këto fakte, Presidenti i Republikës në mbështetje të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, referuar fakteve dhe grupfakteve të mësipërme dhe atyre që qartësohen edhe në dy dekretet e tij, paraqet këtë kallëzim penal pranë organit të akuzës me qëllim vënien nën hetim penal të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.