Natasha Lako:“Euforitë politike elektorale janë kurorëzimi i krizave tona”

794
Sigal

INTERVISTA/ Natasha Lako, shkrimtare: Ju dëftoj përse më zhgënjeu politika

Poetja Natasha Lako në intervistën për “Telegraf”, për herë të parë rrëfehet përse është tërhequr nga politika. Poetja Natasha Lako, nuk shpreson në euforinë politike elektorale -pasi, siç thotë poetja- këto eufori partiake janë edhe kriza jonë, është një dhunë, siç është vetëvrasja. “ Çështja e madhe kombëtare është një Shqipëri e civilizuar, e zhvilluar dhe demokratike”,- pohon poetja Natasha Laku, duke iu kundërvënë retorikave boshe të politikës, që ditën stërbetohen për çështjen kombëtare, ndërsa janë përgjegjëse të mosintegrimit e demokratizimit të Shqipërisë.

– Zonja Lako, sa mund të shpresojmë, nga premtimet elektorale, se fituesi do të na japë ‘lugën e florinjtë’, po t’i japim votën?

Shumë herë ne e përdorim fjalën krizë vetëm kur ajo qarkullon në formë botërore. Jeta ka shumë kriza individuale. Mund të shtohen  edhe vetëvrasje, por është krizë kur për to dëgjojmë shpesh dhe më shpesh sa nuk i identifikojmë më. Në rastin e premtimeve euforike të tipit të ‘lugës së florinjtë’, të zotët e tyre, nuk bëjnë gjë tjetër, por kurorëzimin e krizave tona, njësoj si mbretërit që kanë kurorëzuar fronin e tyre. Këtë po e shohim për njëzet vjet me radhë në euforinë e fushatave elektorale dhe dihet që euforia nuk është gjë tjetër, por një dhunë  nga më luksozet, siç është vetëvrasja dhuna më e dëshpëruar. Kjo tregon se ne nuk dimë t’i përfundojmë ende periudhat tona të dhunave pa fund, në të gjithë variacionet e tyre, që nga vrasjet për hakmarrje, goditjen e një gruaje të verbër nga një biznesmen që i ka të hapura dyert e Kryeministrisë, deri te dhuna e një kryetari komune, vetëm e vetëm se një burrë pranon për një vizitë në familjen e tij kryetarin e opozitës shqiptare, apo vendimi i fundit bipartizan që dobëson përfaqësimin e grave në parlament si shenjë e dhunës së një gjinie ndaj gjinisë tjetër. Për të mos thënë shumë e shumë të tjera. Kështu kriza shqiptare është diçka tjetër në tranzicion, me plot çlirime dhe plot shtrëngime të mëdha. Mjafton të themi se vendit më të varfër të Europës, i duhej të përfshihej në qarkullimin e çmimeve botërore. Nuk është ndonjë gjë e re që një popull të trajtohet pa tru prej pushteteve  dhe nuk është ndonjë çudi që këta njerëzi të këtij stili t’i konsiderojnë edhe vetëvrasjet  pa farë, pa tru. Në shtrëngesa të mëdha ka raste që edhe njeriu ka dëshirë ta pranojë gënjeshtrën. Mbaj mend sa jam ngazëllyer pas rënies së firmave piramidale kur në premtimet elektorale dëgjova se do të na ktheheshin paratë tona. Dhe kisha depozituar ditët e fundit të piramidave  vetëm 1000 dollarë edhe ato të dhëna nga një miku ynë i mirë. Besoj se piramidat mund të quhen ato” lugët e famshme të floririt”, ose “lugët në brez’ që sollën njëkohësisht zinxhirin e vetëvrasjeve, depresionin e përgjithshëm, madje i dhuruan një vendi partiarkal, lëvizjet nudiste.

Duke ndjekur edhe debatin PD-PS, mendoni se ka reflektim, ka ndjenjë përgjegjësie nga këto parti, për të përmbushur aspiratën e integrimit në Familjen Europiane?

– Unë nuk shoh ndonjë farë debati PD-PS. Pasi debat do të thotë, dëgjim i ndërsjellë  argumentesh.  E vetmja pikë, ku të gjithë po përpiqen të përputhen me njeri tjetrin janë shenjat nacionaliste. Kohët e fundit kam lexuar një shkrim të një parlamentarit tonë të qendrës  së majtë, që e dija se  merret më tepër me  çështje  energjetike dhe inxhinierike, por që doli se kishte këqyrur aq me vëmendje Kushtetutën e Kosovës,  sa kishte ardhur në përfundimin  se gjuha serbe si gjuhë zyrtare po përdoret me vend dhe pa vend në një prej republikave më të reja të kësaj bote. Ky është një mirëkuptim, për hir të mirëkuptimit, kur nuk ka asfarë mirëkuptim. Është një shpikje e re.

– Për të reflektuar, shkaqet a mund t’i gjejmë edhe te përgjegjësia e jonë, si qytetarë, si shoqëri, si popull?

– Patjetër. Jemi një popull, që duket sikur e kemi blerë  makinën, por nuk dimë ta ngasim ende. E kam fjalën për të gjithë institucionet. Pra, për përdorimin e  mekanizmave  institucionale jemi ende si në fillim të viteve ‘90, kur në Shqipëri sa kishin hyrë makinat e para . Të gjithë aspektet e tjera janë zhvilluar shumë shpejt.

– A mund të pohojmë,  se kemi shoqëri civile? 

– Jo nuk kemi shoqëri civile të vërtetë. Kemi vetëm kopje shoqërish civile, siç kemi kopje emisionesh botërorë, me patentë të të tjerëve. Por kur vjen fjala për probleme, që janë posaçërisht shqiptare, nuk dimë si të sillemi, pasi nuk kemi modele. Po të vihet re me kujdes, po goditen, madje edhe perlat e përfaqësuesve të shoqërisë civile më të përparuar të viteve ‘30, kur u formua brezi i parë shqiptar i shkolluar me frymë perëndimore dhe lindi borgjezia e parë shqiptare e mirëfilltë. Po përmend Çajupin, vepra e të cilit po vazhdon të vihet me sukses në skenë edhe nga një regjisore e re e talentuar. Ishte një nga më të harruarit e listave të gjata sa një litar të ndereve me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Aq sa të shkon, pa dashur në mendje, se  dikush po hakmerret ndaj një prej shkrimtarëve të parë shqiptarë, që ka goditur sistemin e privilegjeve. E përmenda Çajupin, pasi i konsideroj shkrimtarët njerëz të shoqërisë civile.

– Sipas jush, çfarë kërkohet nga gjithsecili, që të kapërcejmë vetveten e së tanishmes, në shërbesë të një progresi të vërtetë shoqëror, politik?

Në bashkësi a vetë, a në kapërcim të vetvetes, të ndikojmë që të përfundojë njëherë e mirë periudha jonë, të gënjejmë ç’të gënjejmë a sa të gënjejmë. Në gjuhën europiane periudhës së sotme i thonë transparencë. Ndoshta edhe kjo tingëllon shumë idilike. Por ta fillojmë, të paktën, me  bashkëshortët a bashkëshortet dhe të mos i gënjejmë, kur kemi dashnorë a dashnore. 

– Ju mund ta vlerësoni si reagim të shoqërisë, iniciativën e intelektualëve, që me peticion i drejtojnë Edi Ramës, që opozita të votojë 3 ligjet?

– Ata mund të bëjnë ç’të duan është e drejta e tyre . Unë nuk kam takuar ndonjë nga afer të më tregojë bindjet dhe shqetësimet e tij të plota. Mund të presim prej tyre edhe peticione të tjera.

–  Sipas jush,  a gëzojmë  plotësisht të drejtat dhe lirinë e shprehjes dhe të së vepruarit në funksion të një demokracie shoqërore?

– Unë mendoj se po. Por, me sa duket, duhet analizuar përse na merr malli që të mos ushtrojmë të drejtat tona. Ose, përse edhe sot ka mjaft njerëz që paskan pritur gjatë në stolin rezervë të administratës të djeshme.

Mendoni se produkti i zgjedhjeve të 23 Qershorit, do të na japë shpresë optimizmi se do të kemi dritë shprese në të nesërmen e zhvillimit të vendit dhe të jetesës ekonomike të popullit?

– Kjo vendoset nga një vullnet i lirë i secilit. Unë nuk u takoj njerëzve që kënaqen vetëm duke sharë. Kohët e fundit, së bashku me pesë kolegë të tjerë të letrave,  kam firmosur një letër për Kryeministrin, që  të mos përdhosen zyrtarisht figurat më të ndritura të kombit shqiptar, shumica embrionistë  të borgjezisë shqiptare, term, të cilit i ndruhemi ende shumë. Unë jam e vetëdijshme se idetë e mia nuk fitojnë dot ende dhe sigurisht nuk kanë për të fituar ndonjëherë plotësisht, prandaj  jam tërhequr nga   politika. Madje, shumë pak veta i dinë privimet e jetës sime personale në fillim të viteve ‘90.

– Cilat janë objektivat imediate, pastaj afat mesëm dhe, më tej, afatgjatë, të një strategjie mbarëkombëtare që mund të realizojnë aspiratat kombëtare të mbarëshqiptarizmit?

– Ato nuk shpallen kurrë nga një njeri i vetëm. Aq më tepër prej meje. Por në sensin praktik, si objektiv imediat mendoj se, më takon edhe mua  një pasaportë e Republikës së Kosovës, si i takon çdo qytetari të Kosovës një pasaportë e Republikës së  Shqipërisë. Kështu do të flisnim për  reciprocitet të plotë  në hapat e bashkimit kombëtar. Ndryshe, do të krijohen diskriminime dhe mosbalanca pa fund. Do të kisha gjykim krejt tjetër në favor të shqiptarëve të atjeshëm  sikur  Kosova të mos ishte shtet dhe të jetohej ende në kushtet e shtypjes dhe të diskriminimit. Në planin afat mesëm, sa më shumë që flasim për Shqipërinë e Madhe, aq më tepër më del përpara edhe fantazma e Serbisë së Madhe. Po bëhemi nxënës të mirë. Sidoqoftë, serbët duhet të jenë mjaft të lumtur nga këto “lëvizje të mëdha’ dhe grandomani. Sepse u ngjallet shpresa për ndonjë marrëveshje të madhe. Sa për planin afatgjate, ose final, jam mjaft ëndërrimtare, pasi përfytyroj një Tiranë kozmopolite. Ne gjendemi përpara dy alternativave, ose të pranojmë një vend të mbyllur, jo shumë të zhvilluar, gjeografikisht më të madh, ose një vend të hapur, të fuqishëm ekonomikisht sa të kenë mundësi të vijnë të punësohen. As që nuk mund të mendohet, pastaj,  që një gjakovar të mos shkojë të punojë dhe të jetojë në Korçë, apo një nga Derviçani të mos jetojë në Kosovë. Në këtë Shqipëri kaq të hapur e të fortë nuk na  e arrin mendja ende, deri në stilin e Berlinit, apo të Londrës… E di që po pretendoj si tepër, por të gjitha janë të mundshme në një proces tepër afatgjatë, ku vetvetiu të gjithë shqiptarët do të jenë të bashkuar, ose më mirë qarkullues në të mirat e tyre gjithnjë e më të zgjeruara.

Përveçse dëgjojmë retorika nacionaliste nga politikanët,  a shikoni që politika e deritanishme, qoftë zyrtare, qoftë ajo opozitare të jetë në shërbesë të realizimit të çështjes së madhe kombëtare?

– Çështja e madhe kombëtare është një Shqipëri e civilizuar, e zhvilluar dhe demokratike, që do të bëhet magneti i këtij bashkimi të natyrshëm me të gjithë shqiptarët. Ata që pranojnë çfarëdo lloj Shqipërie tjetër, ku bashkimi i çfarëdoshëm ka më tepër rëndësi se zhvillimi, liria  dhe prosperiteti i familjeve shqiptare, kudo që ndodhen, ndoshta ëndërrojnë edhe ringjalljen e Sirakuzës së dikurshme, apo  ballkanizimit e të gjithë botës. Por kjo është e parealizueshme, pasi ka mjaft gadishuj të tjerë, që nga Azia deri në Pacifik. Ka rëndësi të mbrojmë dhe të zhvillojmë kulturën dhe identitetin shqiptar, që na bashkon të gjithëve.

– Faleminderit!