Dajlan Buxheli: Lavdia e shqiptarëve qëndron tek dëshmorët tanë, busti i Zogut do ju shkojë dëm

    484
    Sigal

    “4 shkurti” mbledh sot veteranët dhe ish- partizanët në Shtëpinë e Oficerëve: Jemi në gjyq për rikthimin e emrit të rrugës

    Fitorja e Stalingradit u festua me nderime të mëdha në Rusi, por edhe në një sërë vendesh të koalicionit fitues, të Luftës së Dytë Botërore. Dhe ajo që ndodhi pardje, në sheshin rus, tregoi se lavdia e luftëtarëve të lirisë, do të mbulojë brez pas brezi, identitetin e pasardhësve të tyre. Ndërkaq, sot është 4 shkurt. Data e masakrës së tmerrshme, ku humbën jetën 84 të pafajshëm. Por tragjedia nuk mund të harrohet, ndonëse në Tiranë, rruga “4 Shkurti”, nuk ekziston më. Sepse emri i kësaj rruge është zëvendësuar nga emri i Ibrahim Rugovës. Lidhur me këtë ngjarje, ne, iu drejtuam kryetarit të organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, Dalan Buxheli. Ai na tha, se: “Shqipëria do të vazhdojë të nderojë dëshmorët e vet, derisa në këtë vend, të mbetet qoftë edhe një pasardhës i vërtetë i fisnikërisë shqiptare”. Sepse, sipas tij, “gjaku nuk bëhet ujë dhe emrat e dëshmorëve do të mbulohen kurdoherë me kurora lavdie”.

    Zoti Buxheli çfarë presupozon për ju 4 shkurti?

    “4 Shkurti” është data e masakrës së madhe, ku kriminelët dhe tradhtarët na vranë 84 njerëz të pafajshëm, të cilët, në lulen e rinisë u ndanë nga kjo botë, prej plumbave të disa fundërrinave, si Xhaferr Deva me shokë. Këtë datë historike, populli shqiptar e ka fiksuar në memorien e vet, historike dhe ne, veteranët, do të përulemi gjithmonë, para kujtimit të dëshmorëve tanë. Por edhe kur të vdesim, ne, askujt nuk duhet t’i shkojë nëpër mend, se kjo datë do të harrohet. Jo. Sepse në jetë të jetëve, fëmijët tanë, nipërit tanë dhe të gjithë shqiptarët e vërtetë, do të jenë krenarë me luftën dhe heroizmin e partizanëve shqiptarë.

    Përse e thoni këtë?

    Këtë e them, se çdo popull fisnik është i nderur dhe i shenjtëruar, jo prej tradhtarëve të vet, por prej dëshmorëve të vet. Pa shkuar shumë larg, në kohë, po ju përmend edhe njëherë atë, që tha pardje, me rastin e 75- vjetorit të betejës së Stalingradit, ministri i Çështjeve të Luftës, së Rusisë.

    Çfarë tha ai?

    Ai tha midis të tjerave, se: “Në Luftën e Dytë Botërore, shumë vende të zhvilluara nuk u prekën nga lufta sepse u dorëzuan qysh pas të shtënave të para. Ndërsa, Rusia rezistoi. Baballarët dhe gjyshërit tanë u përgjakën dhe shumë prej tyre u vranë, por Rusia qëndroi, falë heroizmit të tyre. Por Rusia fitoi falë vitalitetit të tyre dhe ne sot jemi krenarë për ta”. Pra, unë, do të them të njëjtën gjë, për heronjtë dhe dëshmorët shqiptarë. Ne, të gjithë, jemi krenarë për heroizmin e luftëtarëve tanë. Sepse vitet ikin, por dëshmorët dhe heronjtë nuk ikin. Ata afrohen më shumë pranë nesh. Prandaj, atyre populli u ka ngritur këngën: “Bij, ç’është kështu me ju, vitet tutje, ju tëhu”.

    Ju, si veteranë, a keni organizuar ndonjë aktivitet, me rastin e 4 shkurtit?

    Patjetër që po. Të hënën, në datën, 4 shkurt, në orën 10:00, të mëngjesit, ne do të zhvillojmë një takim përkujtimor në sallën kryesore të Shtëpisë së Oficerëve.

    Sa do të jetë, pjesëmarrja në këtë takim?

    Do të jetë një pjesëmarrje kaq e madhe, saqë salla do të duket shumë e vogël dhe disa do të qëndrojnë më këmbë. Me këtë rast, ne do t’i tregojmë të gjithëve, se dëshmorët tanë, i kemi gjithmonë, në zemër dhe në shpirt. Ne, do t’u tregojmë të gjithëve se shqiptarët janë një popull fisnik, që e mban gjithmonë lart, aspiratën e dëshmorëve të vet.

    Po për heqjen e emrit “4 shkurti”, nga rruga që tani, mban emrin “Ibrahim Rugova”, çfarë qëndrimi do të mbani?

    Ne, për këtë problem, kemi hedhur në gjyq, instancat përgjegjëse të shtetit e të bashkisë. Tani, kemi seancën e tretë gjyqësore. Por këtë problem, nuk do e lëmë kurrë, pas dore dhe ajo rrugë, së shpejti do të rimarrë emrin “4 shkurti”. Për këtë të jeni të sigurt. Qeveria e sotme dhe Sali Berisha po të duan, le të gjejnë ndonjë rrugë tjetër, për talljet e tyre. Por jo, rrugën “4 shkurti”, sepse neve, nuk do t’i lejojmë. Këtu në Tiranë, ka plot rrugë e bulevarde, me emra tradhtarësh, duke filluar që nga bulevardi kryesor, që mban emrin “Zogu i Parë”. Po të duan, mund të tallen me të.

    Çfarë emri do t’i propozonit ju, Berishës për këtë bulevard? 

    Unë do t’i propozoja emrin, bulevardi, “Tradhtari, Ahmet Zogu”, ose rikthimin e emrit, bulevardi, “Katër Dëshmorët e Kombit”.

    Ju nuk e doni emrin e Zogut, në Tiranë?

    Pse ju mendoni, që qytetarët e Tiranës, mund ta durojnë gjatë, turpin e emrit të një satrapi, në qendrën e kryeqytetit. Të një tradhtari, që ia mbathi me të katra, duke vjedhur florinjtë e popullit të vet, pikërisht, në ditën e pushtimit të Shqipërisë? Ua them unë: Broncin e bustit të Ahmet Zogut, e keni harxhuar kot. Sepse do t’u shkojë dëm.

    Ju, ish – partizanët, kërcënoni, se do ta rrëzoni, bustin e Zogut?

    Ne s’kemi pyetur për Duçen e për Hitlerin, që ishin dy kriminelët më të mëdhenj të botës, e jo për një tradhtar nga Mati! Por çdo gjë, do bëhet në kohën e duhur dhe me mjete ligjore e demokratike.