Ministri Blendi Çuçi/ Do të ristrukturojmë AKU-në për kontrollin e produkteve në treg. Jo ndëshkrime biznesit ushqimor

472
Sigal

Ministri Çuçi: Do të ristrukturojmë AKU-në për kontrollin e produkteve në treg

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi deklaroi se në Kuvend do të miratohen ndryshimet në ligjin “Për Ushqimin”, i cili i hap rrugë një ristrukturimi të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucionit më të rëndësishëm në vend kur është fjala tek kontrolli i produkteve në tregje. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi: AKU nuk mund të vazhdojë më të identifikohet si një institucion i masave represive, që vetëm vendos gjoba e aplikon ndëshkime ndaj operatorëve të biznesit ushqimor. AKU-ja e re duhet të ketë një rol tjetër karshi biznesit dhe konsumatorëve. Sfida jonë është ta shndërrojmë në një strukturë inteligjente, me burime njerëzore të kualifikuara. Do të ndërmarrim një fushatë rekrutimi dhe trajnimi të punonjësve të rinj së bashku me Autoritetin e Kontrollit të Ushqimit në Irlandë, i cili është ‘binjakëzuar’ me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit tek ne, kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian për sigurinë ushqimore.  Do të kemi një strukturë të re brenda AKU-së që analizon të dhënat e inspektimeve ndër vite, në mënyrë që plani i monitorimit kombëtar të mos jetë një plan, le të themi mekanik, por të jetë i bazuar në analizë dhe statistika disa vjeçare. Në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të ndërmarrim kontrollet e duhura ndaj operatorëve të biznesit ushqimor, pa abuzuar dhe pa u bërë pengesë për zhvillimin e biznesit.  Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i ndryshimeve ligjore është shmangia e kontrolleve të dyfishta për operatorët e biznesit ushqimor edhe nga inspektorët e AKU-së edhe nga inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Për herë të parë do të aplikohet një lehtësim në sistemin e vetëkontrollit, ku subjektet me risk të vogël do të përjashtohen nga kontrollet me të njëjtat kritere si bizneset e mëdha. Kjo i jep frymëmarrje prodhuesve të vegjël. Natyrisht duke mos cënuar këtu parimet bazë të kushteve higjeno-sanitare dhe standardeve të sigurisë ushqimore.