Minimumi jetik, shtetet fqinje japin ndihmesa sociale të varfërve, Shqipëria u jep 1.5 miliardë euro koncesionarëve. Ja faktet

735
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Minimumi jetik në Shqipëri mbetët peng i pingpongut mes institucioneve, nuk ka studim që nga 2001-shi

Ja politikat sociale në shtetet e Bashkimit Evropian

Ditët e fundit, qeveria italiane ka nxjerrë një vendim, që do të japë ndihmë sociale deri në 760 euro në muaj për familjet dhe personat që janë të papunë, që nuk kanë të ardhura vjetore të deklaruara, ndërsa kur shuma është deri në 6.800 euro në vit, do të jepet një përqindje më e vogël se 600 euro. Sipas këtij vendimi të Italisë, kjo ndihmesë mujore do të jepet për të papunët e regjistruar, të cilët nuk kanë asnjë mundësi që të gjejnë punë. Shuma e 760 euro do të jepet në kartë elektronike dhe do të shpenzohet vetëm në supermarkete dhe për blerjen e produkteve ushqimore dhe veshmbathjeje, jo për luks. Në Greqi, qeveria greke, së fundi, ka nxjerrë një vendim, që çdo vit, do t’u japë familjeve dhe personave që kanë të ardhura vjetore më pak se 3.200 euro në vit, një shumë prej 600 euro, përveç ndihmesave të tjera ekonomike, që nuk do të ndërpriten. Ndërsa nga janari i 2019 qeveria greke do të kompensojë edhe një përqindje të qirasë që paguajnë familjet që janë në programin e ndihmës ekonomike, ndërkohë që familjet që përfitojnë ndihmesën sociale kanë edhe një zbritje të çmimit të energjisë elektrike deri ën 70 %, kjo në shkallën e të ardhurave vjetore. Gjithashtu, bashkitë përkatëse u bëjnë edhe ulje të taksave familjeve që janë të varfra, si edhe u ndajnë edhe ushqime. Në vendet e tjera të Evropës Veriore, bashkitë e qyteteve u bëjnë banorëve të tyre kompensime të ndryshme, p.sh., në uljen e çmimeve të rrobave të dimrit, në ujin, në ngrohje, në mënyrë të tillë, që banorët të mos vuajnë e të sëmuren, pasi kurimi i tyre do të kushtojë më shtrenjtë sesa kompensimet që u bëhen në ngrohje, në veshje, për të përballuar kushtet e vështira të dimrit. Dhe të gjitha ndihmesat sociale që jepen në vendet evropiane i referohen një shifre të ligjësuar, që quhet minimumi jetik, ku çdo qytetar detyrohet të deklarojë çdo vit çdo të ardhur, të gjithë pasurinë.

KLSH: Shqipëria nuk ka të përcaktuar me ligj minimumin jetik

Qeveria e kryeministrit Rama ka dhënë 2.500 koncesione në 5 vitet e qeverisjes dhe shuma është mbi 1.5 miliardë euro, ndërkohë që Shqipëria nuk ka një studim të plotë që përcakton minimumin jetik që nga viti 2001, duke mbetur peng i disa dokumenteve të miratuara nga njëri institucion tek tjetri, por asnjëherë të miratuara përfundimisht me vendim qeverie. Një auditim i departamentit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit me fokus tek varfëria dhe efekti i politikave në zbutje të saj nxjerr në pah pikërisht këtë problem. Studimi i fundit që ka prodhuar një shifër të tillë është zhvilluar rreth 17 vite më parë ku Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale nxori si shifër të minimumit jetik vlerën 7975 lekë. Por kjo shifër nuk u konkretizua asnjëherë në ndonjë akt ligjor apo nënligjor. Vetë INSTAT, sipas KLSH ka nxjerrë në disa studime kufirin e llogarisë në vitet 2002, 2005, 2008 dhe 2012, të cilat rezultojnë respektivisht në 4,891 lekë, 5,272 lekë, 5,722 lekë dhe 6,407 lekë. Mungesa e një termi të tillë të përcaktuar sipas auditimit të KLSH ka prekur thellësisht nivelin e jetesës së familjeve në ndihmë ekonomike. Pikërisht minimumi jetik duhet të jetë bazë për llogaritjen e shumë aspekteve përfshi ndihmën ekonomike dhe mospasja e një shifre të përditësuar bën që vlera që u kalon këtyre familjeve nuk është e saktë. KLSH nënvizon se nga viti 2013 në vitin 2014 ka dalje të një numri të konsiderueshëm familjesh nga skema, por kjo nuk ka qenë si efekt i politikave të suksesshme, por thjesht si dalje nga kjo skemë e rasteve abuzive që kishin hyrë me pa të drejtë në këtë skemë.

Qeveria abuzon me përcaktimin apriori të minimumit jetik

Mungesa e një programi të miratuar nga Këshilli i Ministrave për shënjestrimin në mënyrë specifike të punëkërkuesve të papunë përfitues të ndihmës ekonomike ka cenuar efektivitetin e programeve të nxitjes së punësimit gjë e cila reflektohet edhe tek numri i ulët i individëve të punësuar që kane qenë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike gjatë viteve 2014-2017, – thekson KLSH.

Në 2016-n Avokati i Popullit, Igli Totozani: Minimumi jetik është 16,000 lekë, qeveria jep 4.500 lekë

Igli Totozani u shpreh se në bazë të llogaritjeve me ekspertë të ekonomisë minimumin jetik është 16,000 lekë të reja (rreth 117 euro) në muaj për frymë. “Prej pesë vitesh jemi përpjekur me kërkesa dhe rekomandime drejtuar qeverive që të shpallin zyrtarisht nivelin e minimumit jetik. Kjo, pasi Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka të deklaruar minimumin jetik.”,- ka theksuar asokohe Avokati i Popullit Totozani. Ndërsa qeveria, jep ndihmë sociale vetëm 4,500 lekë në muaj. As 1/3 e minimumit jetik!!!