“Mini-Schengen” ballkanik, Rama: Do të mblidhemi në Ohër në 10 nëntor

543
Sigal

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sërish për “Mini-Schengen” ballkanik. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili tha se takimi do të bëhet në 10 nëntor në Ohër. Kreu i qeverisë tha se nisma do të jetë gjithëpërfshirëse dhe do të vazhdojë edhe më tutje. Edi Rama: Përpara disa javësh ne bëmë një deklaratë të përbashkët me Presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut në funksin të hapjes së një faqeje të re në historinë e rajonit, bazuar në 4 liritë e BE.Lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Një nismë gjithëpërfshirëse që do të shkojë më tutje me takimin e Ohrit në 10 nëntor ku janë të ftuar të gjithë liderët e rajonit dhe jo vetëm kaq, por edhe protagonistë të tjerë partnerë ndërkombëtarë në procesin e transformimit të kësaj hapësire ku jetojmë nga një zonë konflikti në një hapësirë bashkëpunimi.

Turizmi është me rëndësi të veçantë që në aspektin e zhvillimit të mëtejshëm si një nga burimet më të rëndësishme dhe potencialet më të mëdha të rritjes ekonomike të vendeve tona ne të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi. Në këtë drejtim ne shikojmë me shumë rëndësi krijimin e një hapësire lirie të plotë edhe për rritjen e numrit të turistëve kinezë që vizitojnë vendin tonë. Deklarata e kryeministrit u bë gjatë një takimi në mbledhjen “Forumit 17+1”

Forumi 17+1 për Evropën Qendrore dhe Lindore është nismë e ngritur në vitin 2012 nga Ministria e Jashtme e Kinës, për të promovuar investimet dhe marrëdhëniet kineze me 17 vendet anëtare (mungon Kosova): Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Greqia, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Republika Çeke, Hungaria, Polonia, Rumania, Estonia, Letonia dhe Lituania.

Marrëveshja për “Mini-Schengen” hapi debat pasi nga Kosova u konfirmua se Kryeministri Rama nuk kishte diskutuar me asnjë përfaqësues të saj, ndërsa nuk është e qartë se si mund të bëjë pjesë e kësaj marrëveshje ajo, në një kohë kur bisedimet me Serbinë i ka të ndërprera, ajo nuk ia njeh pavarësinë dhe qasja e Beogradit ka qenë bllokues për Prishtinën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.