Mimoza Erebara: Strategji zgjedhore

403
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nëse politika është sfera që ndryshon më së tepërmi dhe më shpejt, në rastin shqiptar kjo nuk ndodh. Në 20 vjet kohe ndryshimesh thelbësore, ndryshime që prekën së pari mentalitetin e njerëzve, ajo që nuk ndryshoi ishte politika. Nga kjo pikëpamje, gati-gati u “fosilizua”. Ky “fosilizim” i garantoi asaj hipotekën në raport sa me popullin, aq edhe politikëbërësit ngjyrallinj. Hipotekë që u firmos me një  zgjedhje të alternativës radikale të ndarjes së mjedisit të brendshëm dhe po aq radikale edhe në raport me mjedisin e jashtëm. Por ajo që të bie në sy në raport me këtë të fundit padyshim që është qëndrimi i saj si një e dashur e zhgënjyer plot vrer e mëri e që nuk harron dot kurrë. Ajo padashje është viktimë e vetvetes. Sepse në mënyrë  pak a shumë të ndërgjegjshme ajo aplikoi ligjin e përjashtimit të të tretit- tertium datur. Duke kuptuar që në fakt armiqtë e saj të vërtetë dhe më të rrezikshëm  janë ata që nuk kuptojnë. E meqë ata  përbëjnë shumicën, e meqë shifrat janë demokracia e vërtetë, ajo e hodhi tutje absolutizmin moral duke u përpjekur kësisoj të shpëtojë atë çka mund të shpëtohet.

Duke aplikuar rigorozisht ligjin e përjashtimit të të tretit  ajo i dhuroi vetvetes një rritje të fuqisë, pa e marrë mundimin as të shohë se sa kjo do t’u kishte shërbyer objektivave të këtyre të tretëve.Dhe pa bërë kurrë një analizë të efektit  shkatërrimtar të kësaj doktrine. Dihet që pikat nevralgjike të saj janë filozofia, arti, letërsia dhe ato gjinden aty ku trajtohet njeriu me kompleksitetin e tij fatkeq.Dhe që në rastin konkret janë thjesht viktima të situatës historike.Por nga fosili nuk pritet asgjë veç kureshtjes së nxënësit të fillores në një muzeum natyre, dhe interesit të ndonjë shkencëtari mikroskopian.E meqë garancinë hipotekore e kishte marrë duke krijuar  kështu një status virtual të fuqisë, ajo e ka një alternativë, nga shumë të mundshme. Një alternativë që i ruan imazhin e krijuar, nuk i cënon kufijtë e interesave dhe që neutralizon  fare bukur edhe armiqtë potencialë.Në këtë mënyrë ajo përmirëson”dosjen” e saj, por gjithnjë duke i lënë ankimet në tryezë, ankime që tek e fundit nuk cënojnë thelbin, pasi që më parë ajo i ka marrë masat  duke përjashtuar njohjen nga politika e brendshme të lëvizjeve të fshehta të saj dhe duke mos shpjeguar favorizimin e faktorit të jashtëm.Në këtë moment kemi përpjekjen e parë për të transformuar kontekstin, pra për të ndryshuar raportin e forcave. Për të kaluar në një nivel tjetër strategjik në politikëbërje. Në këtë moment nuk kemi më një tertium datur, ligji që përjashton  të tretët, por kemi një tertium non datur- ligj që nuk i përjashton të tretët. Duke ruajtuar të gjithë faktorët që thamë dhe për t’u ruajtuar nga armiku më i madh, nga i padituri, kemi këtë ndryshim kursi.

Përvoja tregoi se nuk është e udhës t’u tregosh të tjerëve hidhërimin e dështimit dhe sfilitjet, kjo tashmë është kthyer në një lëndë të dobët dhe nuk të jep të drejtën e respektimit të vetvetes. E që tek e fundit,rrezikon të kthehet e gjitha kundër në momentin më të papërshtatshëm.Por me sa duket kjo do të jet politika e tashme si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm dhe ku luhet fort. Instrumentet tona intelektuale venë alarmin, ndërkohë që politikës ka kohë që i bie sirena. A do të vazhdojmë me konceptet tona të ngathta të përpiqemi të mveshim fenomenet e përditshmërisë dhe me fodullëkun tonë proverbial t’i anashkalojmë ato,? APO do të shkathtësohemi dhe do të kuptojmë se rrafshe të ndryshme  zhvillimi, kërkojnë strategji të ndryshueshme ku pikë së pari kërkohet pikërisht bashkëpunim dhe vlerësim i palëve? Kërkohet ndryshim koncepti nga të ashtuquajtur armik, në një partner serioz e afatgjatë.Gjithësesi, ne të paditurit e përhershëm jemi gati të paguajmë taksën e këtij ndryshimi kursi në politikën e sotme pragzgjedhore.