Engjëll Musai/ Lamtumirë Agim Neza, miku i të gjithë shqiptarëve!

597
Shumë rrallë mund të ndodhë në pluralizëm, kur bindjet politike janë të ndara, që vdekja e një njeriu të bashkojë kaq shumë njerëz. Që secili prej tyre të harrojë përkatësinë partiake dhe të mbulojë lotët me duar që të mos i duket skuqja e syve., por kjo ndodhi dje, me gazetarin, pedagogun, intelektualin, nëpunësin e administratës, vëllain dhe mikun e të gjithë shqiptarëve, Agim Neza. Në historikun e pluralizmit shqiptar, jeta e gazetarëve, zëdhënësve apo zyrave të shtypit ka dëshmuar se ata kanë punuar shumë për t’i bindur qytetarët,, por edhe militantët e partive të ndryshme, duke i ndarë në kampe të Majtë apo të Djathtë. Ndërsa vdekja e Gimit dëshmoi se ai ka punuar kurdoherë për t’i bashkuar shqiptarët, duke shërbyer si çengel shprese për aspiratat dhe ëndrrat e tyre nëpërmjet penës dhe paanësisë së tij. 

Në punën e tij të përditshme rezultative, numërohen suksese reale, si gjatë kohës kur ishte pedagogë, por edhe kur ishte në zyrat e shtypit të periudhave kur në pushtet ishte e majta apo e djathta. Personalisht, por edhe si Drejtues i Gazetës “Telegraf” gjatë periudhave të ndryshme kam bashkëpunuar me këtë reformator të shtypit dhe se këshillat e tij politike, sociale, ekonomike, kulturore apo ato të aktualitetit në tërësi kanë qenë me shumë vlerë, por asnjëherë nuk e kishim menduar se do të vinte një ditë që të derdhnim kaq shumë lot për të, sepse ishim mësuar që Gim Neza bënte pjesë tek njerëzit që na shtonte gjithmonë optimizmin. Gjatë kësaj periudhe ai ka kaluar një gjendje të rëndë shëndetësore dhe se nuk mund ta shqis nga kujtesa telefonatën e para dy viteve, kur me thotë në mbrëmje se “jam pa qejf dhe se më duhet të bëjmë analizat dhe një kontroll dhe ti e di që unë po ika për vizitë dua të më shoqërosh”. Pas vizitave, mjekët konstatuan një situatë të rëndë shëndetësore, por përsëri, e gjithë qenia e tij reflektonte besim tek jeta. Duke qenë fëmijë i një figure politike të njohur, Agim Neza e kuptoi qartazi se sa e tmerrshme ishte gijotina e politikës. Prandaj, ai me mençuri, trimëri dhe fisnikëri u bë një reformator i zhvillimeve të ardhshme, si edhe një qiri drite për t’i treguar zyrtarëve rrugën e vërtetë për tek zemrat e njerëzve të thjeshtë. Ai lindi më 1963, në qytetin me emrin e Heroit të Popullit Bajram Curri, ka punuar si zëdhënës dhe këshilltar për mediat fillimisht në Ministrinë e Drejtësisë, ku bashkëpunoi me 7 ministra nga viti 1994 deri në vitin 2000 (përjashto pabesinë e Arben Imamit).

 Më pas punoi si këshilltar për mediat i Prokurorit të Përgjithshëm Sollaku, këshilltar dhe shef i kabinetit të Inspektorit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Adriatik Lalla, Këshilltar për mediat dhe komunikimin i Ministrit të Jashtëm dhe Zëvëndëskryeministrit, Ilir Meta dhe më pas deri në vitin 2012, si këshilltar për mediat i Kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, por në moshën 53-vjeçare, koha ndali në mes akrepat e orës dhe në 17 maj 2016, zemra e tij pushoi së rrahuri! Duke lënë në hidhërim të thellë të dyja vajzat e tij, që i donte aq shumë, Ergian dhe Edonën, bashkëshorten fisnike Mira, prindërit e nderuar Bajrami dhe Zoja, si dhe mijëra shokë, kolegë, studentë dhe miq anembanë Shqipërisë dhe kudo në botë! Lamtumirë, miku i të gjithë shqiptarëve! 

Miku im Gimi! 

Shpesh më thoshe se “kur ka mijëra klikime dhe qindra komente në faqet elektronike mos hezito të shkruash se ai përbën lajm”. Unë me shumë dhimbje vendos të mos hesht dhe po shkruaj, por fatkeqësisht një lajm të keq dhe të hidhur! E bëra këtë, se për ty ka pasur mijëra klikime dhe komente, të gjitha të lagura nga lotët e dhimbjes! E bëra për Ju Profesori i mirë Agim! Personalisht, por edhe në emër të administratorit të gazetës, ju premtojmë se faqet e “Telegraf” do të mbeten përherë të hapura për vlerësimin, modelin e punës dhe për nderimin e rrugës tënde!
Ah, se harrova për pak! Kristi po më thotë se “rakinë e Skraparit” e kemi ruajtur, sepse ne besojmë se ti nuk ke ikur kurrë…!
Sigal