Sulo Gradeci: Ju rrëfej Enver Hoxhën, si e mbrojta për 30 vjet

2034
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Rrëfimi i kolonel Sulo Gradeci, shefi i Sigurimit të Sekretarit të Parë të PPSH-së, njeriun që i qëndroi pranë dhe u përkujdes për jetën e Enver Hoxhës, tridhjetë vjet me radhë, me rastin e 101 vjetorit të lindjes së Tij”

Sulo Gradeci (Dalipi) ish-shoqëruesi, e më pas shefi i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës ka lindur në 17 shkurt të vitit 1922, në Gradec të komunës Gjerbës të Skraparit. Në vitin 1942, Sulo Gradeci ishte efektiv i çetës së Skraparit dhe më vonë partizan iBrigadës VII. Askush tjetër përveç Sulo Gradecit  nuk ka qenë më pranë Enver Hoxhës, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë. Kështu, një nga njerëzit që ka punuar më gjatë me Enver Hoxhën, të paktën për 30 vite me radhë, është ish-shefi i Sigurimit të tij, Sulo Gradeci. Që prej vitit 1956 ai është ngarkuar me detyrën e sigurimit të udhëheqjes së Partisë së Punës, e kryesisht në drejtimin e sigurimit të jetën së njeriut të parë të kësaj partie. Është po ky njeri, i cili ka qenë pranë Enver Hoxhës deri në çastet e fundit të jetës së tij. Por Sulo Gradeci kujton se me Enver Hoxhën njihej qysh prej Luftës Nacionalçlirimtare, ose më saktë prej demonstratës së madhe të 28 nëntorit të vitit ‘41. Ndërsa takimi i parë i tyre do të ndodhte, pasi vetë Sulo ishte inkuadruar si partizan në Çetën e Skraparit. Ishte marsi i vitin 1944. Por që nga ajo ditë kanë kaluar plot 65 vjet. E ndërsa sot Enver Hoxha ka 101 -vjetorin e lindjes së tij, ish- shoqëruesi i tij besnik Sulo Gradeci rrëfen për gazetën “Telegraf”…:

NOA

 Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

Ju e keni shoqëruar për 30 vjet rresht. Mund të na thoni diçka për Enver Hoxhën?

Në Shqipëri vështirë se mund të flitet e të shkruhet e vërteta për Enver Hoxhën dhe në përgjithësi për epokën socialiste. Madje, edhe përfaqësuesit e partive, në themel të të cilave është Ai (si Partia e Punës) nuk e zë shpesh në gojë togfjalëshin “Enver Hoxha”.

 

Pse ndodh një gjë e tillë sipas jush?

Sepse, sipas mendimit tim, mbisundon mendimi tabu se po të flitet për jetën e Enver Hoxhës, vetvetiu do të shprehet dyshimi në ekzistencën e demokracisë, të sistemit të ri. Duke mos e zënë në gojë (natyrisht me përjashtim, kur i duhet politikës për të mbuluar diçka tjetër) do të mund të krijohet përshtypja se ai i takon harrimit. Heshtja, gjithashtu, arsyetohet me kushtet e praktikave të reja shoqërore, kulturore të ashtuquajtura properëndimore. Për më qartë sjell në vëmendje atë çka thoshte dikur Bodleri, se me kohë është bërë dallimi mes “lirive për të marrin dhe lirive për gjeniun” (që tingëllon në mënyrë shumë elitiste), tek ne, mendime me të tilla ngjyra nuk ka pasur dhe nuk ka.

Ende nuk jemi të qartë. Ndaj duhet ta përsëris pyetjen: pse?

Sepse tek ne, tanimë përafërsisht njëzet vjet, edhe në sferën shpirtërore, vendoset si të thuash me një të rënë të shkopit! Nuk ka arsye për t’u çuditur (unë nuk çuditem) prandaj realizimet e mëdha të kohës para viteve 90-t, jeta e vepra e Enver Hoxhës është tematikisht tepër e kufizuar, në mos e ndaluar. Bën dallim nga sa thashë në disa raste “Ora News” (kujtoni dokumentarin e transmentuar para ca ditësh për heroizmin e popullit në mënjanimin e shkatërrimeve të tërmetit në Dibër), “Vizion plus” në emisionin “Zonë e ndaluar”, natyrisht në vështrim kritik, por edhe realist. Nuk mund të merret me mend të shkruhet, e lëre më të botohen materiale të ndryshme çfarë në vende të tjera shpërblehen!

Ju keni botuar një libër: “30 vjet pranë shokut Enver”. Më pas ke heshtur?

Unë nuk mund të hesht kurrë. Ndoshta e ka radhën libri i dytë: “25 vjet pa shokun Enver”. Por për të qenë i saktë, me këmbënguljen dhe me dëshirën e lirive intelektuale kam shprehur mendimet në disa artikuj në raste përvjetoresh si rasti i sotëm. Enver Hoxha ka qenë dhe mbetet një Shqiptar i Madh. Ndërsa jeta ime ka qenë e lidhur ngushtë me mbrojtjen dhe përkujdesjen e jetës së tij. Natyrisht, s’kam bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, sepse që nga vitet e ilegalitetit e më pas, për vite me radhë atë e donte dhe e ruante populli. Për atë, popull, si i thonë fjalës, kishte vend edhe nën gjuhë.

Më bëri përshtypje fakti që nuk përmendet gazetën “Zëri i Popullit”, kryeredaktor i së cilës gjithashtu për ca kohë ka qenë Enver Hoxha?

Pa dashur të bëj ndonjë karshillëk, kam vite që nuk e lexoj. Ky pohim më dhëmb, por përsëri them se sot ka shumë gazeta që plotësojnë dhe ushqejnë opioninin publik me gjysmë të vërteta, me gënjeshtra, me shpifje, por edhe me të vërteta. Të parat më zemërojnë të dytat më relaksojnë. Këtë të fundit ma kërkon edhe mosha.

Tanimë përmendorja e Ahmet Zogut po lartësohet, madje kërkohet që t’i sjellin eshtrat në Shqipëri. Ndiheni xheloz, që të paktën Enver Hoxha nuk është më në varrezat e Dëshmorëve të Kombit?

Këto çështje, si njëra, si tjetra, nuk më përkasin mua për zgjidhje, por për ta thënë mendimin tim, përderisa më pyetët, s’kam arsye të mos i përcjell reagimet e mia. Edhe në këtë mes, si në shumë probleme të tjera, është politika, metoda klasike e shout. Kështu, vetvetiu mund të nxirret lehtë përfundimi edhe nga e djathta dhe nga e majta. Por një numër intelektualësh nuk kanë heshtur, sepse këto janë çështje që i përkasin dinjitetit shqiptar. Mendimi im është kundër. Do të më thoni ju që nuk thashë ndonjë gjë të re. Natyrisht, nga unë (dhe shumë si unë) nuk duhet të presin kurrë të them: “Rroftë mbreti!” Këmbët e poltroneve të mbretit janë thyer dhe ai është bërë i padëshirueshëm që në Kongresin historik të Përmetit. Gjithnjë, sipas meje, i falënderoj lexuesit që më mirëkuptojnë, Ahmet Zogu nuk i fshehu, por i demonstroi qëllimet e veta antishqiptare, herë duke ekzekutuar patriotë si Bajram Curri, Hasan Prishtina e Luigj Gurakuqi, Riza Cerova dhe Muço Kapinova herë duke shitur toka siç ishte perla e Shën Naumit e, më në fund, duke e grabitur dhe duke e lënë Shqipërinë në duart e të huajve. Ekzistojnë shumë arsye për ta lënë Ahmet Zogun atje ku ishte. Mua nuk më shtanget dora të shkruaj se ai e shiti Shqipërinë. Në këtë kuptim, më afrohet rasti t’i kritikoj ato qarqe që e kanë frymëzuar dhe mbështetur burokracinë anacionale. Të vlerësosh Ahmet Zogun do të thotë të flijosh historinë e kulturës shqiptare. Një dëshirë e tillë krijon tendosje morale. Në qoftë se nuk e shohim arsyen për t’u angazhuar në një kohë të këtillë, kjo do të thotë se si marrëzia fiton mbi kuptimin e jetës.

Hysni Kapo më caktoi të mbroja Enver Hoxhën

Sulo Gradeci kujton se ka qenë Hysni Kapo ai që e ka emëruar në detyrën e re: “Partia ka menduar të të ngarkojë një detyrë të rëndësishme e delikate…” Dhe Sulo ka treguar gatishmërinë e plotë në qëllimin për sigurimin e jetës së Enver Hoxhës, duke u shprehur pas vitesh se një gjë e tillë ishte dhe ëndrra e tij e vjetër. Që prej asaj kohe, Sulo Gradeci u vu në krye të shërbimit që përgjigjej drejtpërsëdrejti për jetën e numrit një të shtetit shqiptar. Por siç shprehet vetë ai, në vitin 1973, kjo detyrë u inkuadrua në dy fronte: Së pari jeta e Enver Hoxhës dukej siguruar nga gjithçka kishte të bënte me ndonjë eliminim të mundshëm fizik të tij, ndërsa detyra e dytë kishte të bënte me përkujdesjen e shëndetit. “Por nëse në detyrën e parë ne ndihmoheshin sinqerisht edhe nga masa e madhe e popullit, në rastin e dytë vështirësitë ishin më të mëdha, sidomos pas problemeve me zemrën që iu shfaqën në atë vit”, kujton Sulo Gradeci.

Puna e tepërt. Gjithçka e regjistruar në diktofon

Në kujtimet e tij Sulo Gradeci shkruan se Enver Hoxha nuk e njihte pushimin, madje, edhe kur i duhej të pushonte apo të shëtiste, ai mbante me vete gjithmonë një diktofon, ku e kishte më të lehtë të shprehte mendimet apo kujtimet e tij. Këto shirita më pas zbardheshin nga punonjëse të veçanta dhe daktilografoheshin. “Në një rast, në Vlorë, po na shqetësonte fakti që ai qëndronte thuajse gjithë ditën e gjithë natën duke punuar në kabinet dhe kjo, kur sapo ishte larguar nga puna e lodhshme në Tiranë”, kujton Sulo Gradeci. Ai shton se një gjë e tillë ishte biseduar me infermieren, Konstandina Nauni, e cila e bindi se, përveç punës, i duhej dhe të pushonte apo të shëtiste.

Rreziku nga duhani. Gjatë luftës pinte gjethe fiku

Deri në fillim të viteve ’70 Enver Hoxha njihej si një konsumues i rregullt i cigareve. Megjithë kërkesën dhe presionet që i bëheshin nga ana e ekipit mjekësor, Enver Hoxha dukej se nuk kishte ndër mend ta linte këtë zakon të vjetër. “Në vitet e luftës, kur ndodhej i rrethuar mes maleve, ai ka pirë dhe gjethe fiku në mungesë të duhanit. Por, ndër ata që këmbëngulnin më tepër për ta lënë duhanin ishte edhe shoku e miku i tij i fëmijërisë, profesor Fejzi Hoxha. Dhe pas shumë përpjekjesh, një ditë shoku Enver vendosi që të mos e ndezë më”, kujton Sulo Gradeci.

Sforcimet: Mbingarkesa në turneun e Veriut

Në librin e tij, “30 vjet pranë shokut Enver”, Sulo Gradeci perifrazon se: “Në procesin e një lufte të madhe, plot “zik-zake”, “maja” dhe “kthesa”, shoku Enver ka treguar një optimizëm të shkëlqyer. Por ishin një sërë rrethanash që gjatë viteve ’60 ne nuk e “shihnim” sëmundjen e tij. Ai ishte ditë e natë në punë, i shëndetshëm, me një organizëm të mrekullueshëm, me një forcë të habitshme për të përballuar ngarkesa të mëdha”. Pikërisht në maj-qershor të vitin 1970, Enver Hoxha, në moshën 62-vjeçare, ndërmerr një turne në veri të vendit, ku viziton rrethet e Kukësit, Tropojës, Pukës, Shkodrës e ku ndalet dhe në Dukagjin, Malësi të Madhe, Shtoj, Bajzë, Zadrimë e Vaun e Dejës.  “Kujdesi dhe preokupimi nuk munguan asnjëherë e në këtë kuadër, i gjithë shërbimi intim ishte përherë në lartësinë e detyrës dhe nuk lejohej asnjë teprim në shërbimet ndaj udhëheqësit. Gjithçka, që nga mënyra e ushqimit, nga mëngjesi në mëngjes, e tek veprimet e tjera, bëheshin në baza rigorozisht shkencore”, shkruan Sulo Gradeci. Madje në kujtimet e tij ai thotë se sa herë që  Enver Hoxhës i ofrohej ndonjë frut jashtë rregullave, ai pyeste duke qeshur: “Të mira janë, por a jeni konsultuar me (infermieren) Konstandinën?”

Infarkti i miokardit: Si u godit Enveri në 65 -vjetorin e tij

Duke pasur një kujdes rigoroz, shërbimi pranë Enver Hoxhës ka mundur të çojë jetën e tij pa probleme shqetësuese deri në tetor të vitit 1973.  Pikërisht gjatë këtij muaji, kur sapo kishin përfunduar pritjet festive me rastin e 65- vjetorit të lindjes, Enver Hoxhës iu shfaq një kolaps i rëndë. Mjekët ekspertë diagnostikuan me shpejtësi: infarkt i miokardit. “Infarkti ishte i rëndë e shqetësues, por falë kujdesit shëndetësor dhe aftësisë së mjekëve tanë, goditja e parë dhe më e rrezikshmja u përballua”, shkruan në kujtimet e tij Sulo Gradeci. Pikërisht pas kësaj gjendjeje u vendos që për gjendjen e shëndetit problematik të Enver Hoxhës të kujdesej një grup mjekësh të përbërë nga: Fejzi Hoxha, Petrit Gaçe, Isuf Kalo si dhe Nikolla Shurbani, Ylli Popa, Ahmet Kamberi, Hajro Shyti, Panajot Boga, Arben Fino, Gjergji Cepa, Ylli Shtylla, Bajram Preza, Skënder Sinoymeri, Xhavit Gjata etj.. Në këtë mënyrë Enver Hoxha nuk mund të ishte vetëm nën vrojtimin e një mjeku të quajtur “personal”.

Ç’farë u sugjeroni mediave në demokraci  ?

– Rroftë Shqipëria, rroftë rinia, i paharruar Komandanti. Pranoni ju dhe stafi juaj respektin e një veterani, të shokëve, të miqve të mi që na bashkon dashuria për Atdheun.