Meta: Moisiu u bë Presidenti i qytetarëve dhe i njerëzve të thjeshtë

382
Sigal

Kryetari i Kuvendit merr pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Çorovodës, Alfred Moisiut

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë  në ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Çorovodës, z. Alfred Moisiu “për kontributin dhe promovimin e vlerave patriotike të krahinës së Skraparit”. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, deputetë të Kuvendit, Prefekti i Qarkut të Beratit, z. Selfo Kapllani, Kryetari i Bashkisë së Çorovodës, z. Nesim Spahiu, drejtues vendorë si dhe qytetarë të shumtë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, vlerësoi rolin e z. Moisiu në postin e Presidentit dhe në mbrojtje të interesave të qytetarëve. “Dua të shpreh kënaqësinë time më të madhe që marr pjesë në këtë ceremoni kaq domethënëse dhe kaq kuptimplotë, e cila nuk kishte se si të mos ishte ndryshe. Alfred Moisiu, edhe pse erdhi në detyrën e Presidentit të Republikës si rezultat i një kompromisi të pashmangshëm të forcave politike, arriti një sukses të jashtëzakonshëm, që nuk ishte thjesht që ai u bë President, por se u bë Presidenti i qytetarëve, u bë Presidenti i njerëzve të thjeshtë”, theksoi z. Meta.  “Nuk është e lehtë të bëhesh presidenti i qytetarëve. Por unë besoj se ai arriti këtë sukses duke pasur themele shumë të forta të edukatës familjare. Ai vjen nga një familje me tradita të shkëlqyera patriotike. Të mos harrojmë se është djali i një prej figurave kryesore të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, i drejtuesit të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare, Gjeneral Spiro Moisiut, një antifashist i shquar i orëve të para, i cili së bashku edhe me kolegë të tjerë të formuar në shkollat nga më të mirat, nuk e pranuan pushtimin, por iu kundërvunë atij dhe dhanë një kontribut i cili mbetet për t’u rivlerësuar akoma edhe në ditët e sotme.”, tha Meta  dhe risolli në vëmendje dhe zgjedhjen e z. Alfred Moisiu në detyrën e lartë shtetërore, atë të Presidentit të Republikës.  “Unë kam pasur kënaqësinë të isha dhe në negociatat për zgjedhjen e Presidentit në një moment mjaft të vështirë. Me dhjetëra e dhjetëra emra janë diskutuar dhe janë rrëzuar nga njëra palë apo nga pala tjetër, dhe më në fund, u gjet emri konsensual.. Aftësia e tij për të qenë objektiv, për të qenë i drejtë, për të qenë i arsyeshëm vihet re”, u shpreh z. Meta. Në fjalën e tij, ish-Presidenti Alfred Moisiu falënderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta, drejtuesit vendorë si dhe qytetarët e shumtë të pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast, për vlerësimin e bërë.