Arben Tafaj: Ndjej si përgjegjësi përfshirjen time në procesin e administrimit të Bashkisë së Tiranës me qëllim mbrojtjen e inte

485
Sigal

Kryetari i shoqatës “Tirana” dhe njëkohësisht edhe kryetari i Njësisë Bashkiake numër 8 në Tiranë, Arben Tafaj në intervistën për “Telegraf” shprehet për misionin e shoqatës, e cila mban lart ruajtjen e konsolidimin e vlerave shpirtërore, humane të një komuniteti më të madh në Shqipëri, që ka treguar qytetarinë, pasi në çdo aktivitet të saj është e vetmja që fton të gjithë. Zoti Tafaj, bën edhe një bilanc të punës si i  zgjedhur në pushtet lokal dhe kontributi që jep  zoti Tafaj si i zgjedhur, në mbrojtje të qytetarëve, shpërblehet me votëbesimin në rritje që ka marrë nga njëra zgjedhje në tjetra. Ky votëbesim është një obligim për zotin Tafaj, që të jetë sërish kandidat në zgjedhjet e 21 qershorit, por, në një kohë pak më vonë,  do të zbardhet edhe roli që do luajë ai, vetë personalisht. Duke iu referuar ndarjes së re territorial edhe të Bashkisë së Tiranës, zoti Tafaj pohon se besoj se zgjerimi administrativ i qytetit të Tiranës dhe i juridiksionit të Bashkisë Tiranë nuk është më një çështje zgjedhjeje politike, por një imperativ i zhvillimit të kohës.”. Veçse sipas zotit Tafaj, decentralizimi i kompetencave mbetet “Thembra e Akilit” për pushtetin vendor.

 – Zoti Tafaj, cili është sot roli i shoqatës “Tirana”, ku ju jeni kryetar i saj?

– Shoqata Tirana është një nga organizatat e para joqeveritare të krijuara me vendosjen e pluralizmit në vitin 1991. Ajo u themelua nga disa prej intelektualëve më të njohur, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Etërit themelues të kësaj shoqate ishin emra të njohur të mjekësisë, arsimit dhe të jetës publike shqiptare, si profesorët e nderuar Ndroqi, Kusi, Petrela, Turdiu etj. Ata ishin përfaqësues të vlerave më të larta të traditës shqiptare, por edhe lajmëtarë të progresit, që në fillimet e shtetit modern shqiptar. Që nga ajo kohë, misioni i lartë i shoqatës Tirana mbështetet në dy shtylla kryesore, ruajtjen e konsolidimin e vlerave të gjithanshme; materiale, shpirtërore, humane, që kemi trashëguar në shekuj nga tradita jonë e pasur dhe, së dyti, hapja e rrugës për progresin kombëtar, duke u mbështetur në këto vlera të larta e komplekse. Në shërbim të këtij misioni fisnik, shoqata Tirana ka zhvilluar një aktivitet të dendur njëzet e katër vjeçar, ku përfshihen që nga aktivitetet me karakter kulturor e patriotik e deri tek lëvizjet dhe tubimet  në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Tiranës, nënshkrimi i peticioneve me emër të tyre etj. Unë kam pasur fatin dhe përgjegjësinë e lartë që të drejtoj këtë ‘Tribunë Qytetare’ të Tiranës, që prej vitit 2000.  Gjatë këtyre 15 viteve, shoqata Tirana është orientuar më së tepërmi drejt aksit progresist të saj, ku prioritetin kryesor e kanë marrë vënia e gjithë asaj pasurie të madhe vlerash, të ruajtur dhe zhvilluar në shekuj, në funksion të progresit kombëtar dhe zhvillimit europian të shoqërisë shqiptare. Them zhvillimit europian, sepse disa nga gjërat që kërkohen më me forcë në rrugën e integrimit europian të vendit janë në fakt edhe prerogativa të shoqatës “Tirana” si ruajtja dhe garantimi i të drejtës së jetës e të pronës, respektimi i rregullave të demokracisë, pjesëmarrja gjithëpërfshirëse në jetën politiko-shoqërore e ekonomike, vënia efiçente e të gjitha vlerave materiale dhe intelektuale në shërbim të zhvillimit të vendit, etj. Në fakt, ky integrim dhe ruajtja e vlerave tona më të mira ka qenë edhe vizioni i etërve themelues të  shoqatës Tirana, të cilët ishin të shkolluar në universitetet më të njohura të Europës dhe e mbartën këtë frymë europianiste gjatë aktivitetit dhe kontributit të tyre të çmuar në shërbim të  vendit.

– Çfarë duhet bërë më shumë dhe nga cilët, që shoqata “Tirana” të përmbushë më së miri misionin fisnik të saj:

– Në kuadër të përmbushjes së misionit të saj, shoqata “Tirana” ka vendosur lidhje të ngushta bashkëpunimi me të gjitha ato forca e grupime, të cilat marrin parasysh dhe përpiqen për mbrojtjen e interesave të qytetarëve, e sidomos të atyre të Tiranës. Aktualisht, në kushtet kur Shqipëria nuk është më në fazën tranzitore të emergjencës, e kur sjellja shoqërore apo politike e shqiptarëve në tërësi po i afrohet gjithnjë e më tepër asaj europiane, prioritet të veçantë merr forcimi i lidhjeve të bashkëpunimit me ato forca, që për mision bazë kanë integrimin e vendit në Bashkimin Europian, duke synuar njëkohësisht, ruajtjen e vlerave tona kombëtare dhe garantimin e normave e parimeve bazë të aderimit në familjen e madhe europiane, siç janë respektimi i të drejtave të qytetarëve; në radhë të parë, të drejtës së jetës, të drejtës së pronës, të drejtës së fjalës dhe të organizimit të lirë dhe sidomos përfshirjen në jetën politike-shoqërore të vendit të të gjitha shtresave dhe kategorive, sociale, ekonomike etj, pavarësisht përkatësisë së tyre.

Zoti Tafaj, së pari, nëse do të bënit një bilanc pune si i zgjedhuri në Njësinë Bashkiake, cilat janë arritjet dhe përse disa gjëra nuk u arritën të gjenin zgjidhje gjatë mandatit që ju përmbushët?

– Po mbushet mandati im i tretë në krye të Njësisë Bashkiake nr. 8 Tiranë, dhe nëse do të vendosja si kriter për bilancin e punës sime mbështetjen elektorale të votuesve të mi, ky bilanc do të ishte shumë pozitiv. Nëse flasim me gjuhë shifrash, mandatin e parë e fitova me një mbështetje qytetare prej 850 votash më shumë se sa rivali im politik, të dytin me një mbështetje prej 1800 votash më shumë,  ndërsa mandatin e tretë me një rezultat prej 2998 votash më shumë sesa pretendenti rival. Kjo është një rritje progresive që do të gëzonte çdo të zgjedhur pasi, si rregull, konsumi i pushtetit reflektohet negativisht në rezultatet zgjedhore, ndërsa në rastin tim, kohëzgjatja në drejtim ka sjellë rritje të vazhdueshme të mbështetjes së votuesve. Por a jam i kënaqur nga rezultatet e përpjekjeve të mija në shërbim të qytetarëve? Kjo është një pyetje që s’është e lehtë t’i japësh përgjigje. Jam munduar që t’u jap drejtimin e duhur të gjitha kërkesave dhe ankesave qytetare, por zgjidhja e tyre ka qenë ndonjëherë e vështirë për shkak të kompetencave të cunguara  të Njësive Bashkiake; kështu me gjithë gatishmërinë dhe përkushtimin tim dhe të të gjithë stafit që unë drejtoj, qytetarët nuk kanë marrë gjithnjë zgjidhjet që unë do t’i gjykoja si të arsyeshme duke njohur drejtpërdrejt ata dhe problematikat e tyre. Në këto kushte, mbështetja në rritje e elektoratit tim dhe besimi që ai më ka dhënë,  më bën të ndjehem borxhli ndaj këtij komuniteti dhe të vazhdoj të kërkoj me ngulm plotësimin e të gjitha kërkesave dhe realizmin e të gjitha interesave të tyre.

– Ju si i zgjedhur nga votuesit në pushtetin lokal, cili është mendimi juaj për ndarjen e re territoriale, duke e konkretizuar, për Bashkinë e Tiranës dhe ndarjen e minibashkive.

– Përsa i përket ndarjes së re territoriale, kjo është një çështje komplekse,  korrektësinë e zgjedhjes të së cilës, mendoj se do ta përcaktojë më së tepërmi faza e implementimit. Por, përsa i përket reformës administrative për Bashkinë e Tiranës, gjykoj se zgjerimi i territorit të kësaj Bashkie, apo mbulimit gjeografik të saj ka qenë një kërkesë e zhvillimit që ka marrë Tirana. Kujtojmë këtu se para viteve ‘90, institucioni drejtues i Tiranës ishte ‘Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit Tiranë’, ky institucion përfshinte qytetin e Tiranës me gjithë rrethinat dhe fshatrat e tij. Në fillim të viteve ‘90, u bë një ndarje e re administrative, ku juridiksioni i Bashkisë Tiranë shtrihej vetëm në territorin urban (qytetas), ndërsa rrethinat kontrolloheshin nga komunat si njësi elektorale dhe administrative të veçanta. Kjo u konsiderua si një lëvizje drejt subsidiaritetit, apo afërsisë së drejtimit, administrimit dhe llogaridhënies në nivel vendor. Por brenda dy dekadave të fundit, qyteti i Tiranës është zgjeruar së tepërmi. Disa nga këto ‘komuna’ po kthehen në zona të mirëfillta urbane, ndërsa përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës rrugore i ka bërë ato de fakto lagje të Tiranës. Në këto kushte është absurde që ato të trajtohen siç trajtoheshin dikur ‘fshatrat e bashkuara’.  Besoj se këtë kanë pasur parasysh edhe disa nga liderët kryesorë të politikës shqiptare, kur kanë folur për një Tiranë  ‘policentrike’ (apo me shumë qendra). Rrjedhimisht; besoj se zgjerimi administrativ i qytetit të Tiranës dhe i juridiksionit të Bashkisë Tiranë nuk është më një çështje zgjedhjeje politike, por një imperativ i zhvillimit të kohës.

– A ka kartë elektorale nga maxhoranca në këtë ndarje të re territoriale, duke përmendur Bashkinë e Tiranës, ku ju e njihni shumë mirë?

– E ritheksoj se zgjerimi i juridiksionit të Bashkisë Tiranë, për t’i bashkëngjitur asaj edhe disa nga rrethinat dhe komunat, ka qenë një nevojë e sjellë nga zhvillimi dhe zgjerimi i vrullshëm i qytetit gjatë dy dekadave të fundit. Kjo nevojë është diskutuar të paktën që prej dhjetë vitesh. Nga ana tjetër, me dyndjet demografike, shpesh të pakontrolluara, të qytetit të Tiranës, jemi gjendur përballë një lloj ‘ruralizimi’ të qytetit; prandaj mendoj se urbanizimi i rrethinave të Tiranës do të përbënte një element zbutës për këtë realitet, sidomos kur shikojmë se ky urbanizimi tashmë ka filluar dukshëm. Për ta kuptuar më mirë këtë, le të kthehemi pas në kohë dhe të shohim konceptin e qytetit dhe fshatit, në kohën kur u vendos ndarja e fundit administrative e rrethit të Tiranës. Ishin vitet e para të post-komunizmit, dhe kishim një vijë të thellë dhe kontrastive ndarëse midis vijës së verdhë të qytetit dhe zonës fshatare. Deri në kufijtë e kësaj vije të verdhë, kishim ndërtesa qytetase, dy, tre apo katër katëshe, njësi standarde shërbimi etj. Menjëherë pas vijës së verdhë fillonte zona fshatare, ku edhe shitorja e fshatit ishte shpesh një barakë me tavan fajaziti, ku shiteshin të gjitha produktet që nga ato ushqimore e  veshjet e deri tek veglat e punës, e ku mund të bëje edhe shkëmbim në natyrë, ose siç kishte ngelur shprehi të quheshin ‘dyqanet e grumbullimit’. Kurse sot, në disa nga këto qendra të banuara, që dikur quheshin fshatra të bashkuara, e më pas komuna, janë ngritur qendra tregtare, shërbimesh, hotele e restorante, po aq moderne sa ato të qytetit të Tiranës. Është detyrë e organeve vendore dhe qendrore që t’u paraprijnë këtyre zhvillimeve dhe të gjejnë zgjidhjet adekuate administrative për to, e mendoj se zgjerimi i juridiksionit të Bashkisë Tiranë është një hap i domosdoshëm në këtë drejtim.

Cila është sfida kryesore te kandidatëve për në Bashkinë e Tiranës, duke filluar që ka kandidati për kryetar i Bashkisë, nga ata që do të përbëjnë Këshillin Bashkiak për  zgjedhjet e qershorit?

Mendoj se sfida kryesore e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës është gjetja e ekuilibrit midis centralizimit të administrimit të Bashkisë Tiranë, pas reformës zgjedhore nga njëra anë dhe ruajtjes së nivelit të përfaqësimit në nivelin e dytë të administrimit, nga ana tjetër. Thënë ndryshe; në sistemin aktual, me gjithë vështirësitë e përmendura më sipër, fakti që kryetari i njësive bashkiake, apo edhe ai i komunave, zgjidhej me votë të drejtpërdrejtë ndikonte edhe në përgjegjësinë e drejtpërdrejtë që ai dhe stafi i zgjedhur prej tij kishte kundrejt qytetarëve. Se sa do të ruhet ky raport i afërsisë pas reformës së re, kjo mbetet për t’u parë.  Por nga ana tjetër, Bashkia Tiranë do të ketë një përgjegjësi më të drejtpërdrejtë në shpërndarjen racionale dhe proporcionale të investimeve dhe të kapaciteteve të tjera zhvilluese në të gjithë territorin e mbuluar prej saj, gjë që shpresoj se do të reflektohet edhe në rritjen e performancës administrative të kësaj Bashkie.

Do të jeni sërish në kandidaturë për zgjedhjet lokale të 21 qershorit?

– Siç e theksova edhe më sipër, tre mandatet në krye të Njësisë Bashkiake nr. 8 Tiranë, kam marrë një mbështetje në rritje të elektoratit të kësaj zone të Tiranës. Duke shtuar këtu edhe mbështetjen e anëtarëve dhe simpatizantëve të shoqatës “Tirana”, për pozicionimin tim në mbrojtje të interesave të qytetarëve Tiranës, e duke theksuar se kjo shoqatë, me anëtarësinë dhe përfaqësuesit e saj shtrihet tashmë në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë e më gjerë, e ndjej si përgjegjësi përfshirjen time në procesin e administrimit të kësaj Bashkie edhe në mandatin pasardhës. Kjo nuk është thjesht një ambicie e imja personale, por një kërkesë që vjen nga baza ime elektorale, por edhe nga mbështetësit në gjirin e qytetarëve të Tiranës; prandaj vlerësoj se kjo, në radhë të parë, është një përgjegjësi së cilës nuk mund t’i shmangem. Sa për modalitetin, apo mënyrën e këtij angazhimi, mendoj se është herët që unë të shprehem publikisht për këtë, por besoj se kjo do të bëhet e ditur së shpejti.

– Cila do të jetë ideja dhe motivi elektoral i kandidaturës tuaj?

– Cilado që të jetë forma e përfshirjes sime në këtë proces, qëllimi i vetëm i kësaj përfshirjeje do të jetë mbrojtja e interesave të qytetarëve të Tiranës brenda të gjithë kufirit të ri administrativ të Bashkisë Tiranë.

Decentralizimi i kompetencave është bërë “Thembra e Akilit”

– A është bërë një ndarje e decentralizuar e kompetencave të njësive më të vogla administrative, brenda Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë më drejtpërdrejt?

– Problemi i ndarjes së decentralizuar të kompetencave për njësitë më të vogla administrative, brenda bashkisë së Tiranës, ka qenë ‘thembra e Akilit’ për administrimin zonal të Kryeqytetit. Ligji 8654 për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës, parashikon një sërë kompetencash administrative për Njësitë Bashkiake, duke filluar që nga administrimi i çerdheve, kopshteve, shkollave, apo institucioneve të tjera edukative e social-kulturore, e deri tek administrimi i sipërfaqeve të gjelbra dhe tregjeve. Por de fakto, kompetencat e njësive bashkiake  në këto institucione, janë kufizuar tek furnizimi me detergjente dhe pagesa e  faturave të ujit e të energjisë elektrike, gjë që është shumë larg konceptit të administrimit bashkiak.  Në fillim të këtij mandati, një grup pune ndër-institucional u ngrit me qëllim zgjerimin e këtyre kompetencave në kufijtë e parashikuar nga ligji, e aty u fol për ide ‘inovatore’, si ‘administrimi nga njësitë bashkiake i hapësirave terciare’ ‘dhënia e lejeve për punime me volum të vogël..’, marrja e përgjegjësive për kontrollin e territorit etj, por e vetmja lëvizje ishte caktimi i disa  policëve bashkiakë për kontrollin e territorit të njësive bashkiake, varësia e të cilëve lidhet, më së tepërmi, me strukturat drejtuese të policisë bashkiake të Tiranës. Kështu: mund të themi se pesëmbëdhjetë vjet pas miratimit të ligjit për “Organizimin dhe funksionimin e Bashkisë Tiranë”, çështja e kompetencave mbetet ende një pyetje pa përgjigje!

– Ju faleminderit!

 Jakup B. GJOÇA