Meta mesazh të fortë pas votimit: Liria dhe dinjiteti i shqiptarëve nuk kanë çmim, ja kë duhet të ndëshkoni

478
“Të ndëshkohen sekserët. Liria dhe dinjiteti i shqiptarëve nuk ka çmim.”
Kështu është shprehur presidenti i zgjedhur Ilir Meta pasi ka votuar i shoqëruar nga bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe vajza e tyre.
Meta deklaroi se qytetarët duhet të thonë fjalën duke votuar kundr personave që bëjnë presion.
“Sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë. Le të jetë festë demokracie për vendin.
Të jetë dita e qytetarëve dhe jo e politikanëve. Qytetarët duhet të thonë fjalën e tyre. Kam një mesazh .
Ata duhet të votojnë kundër kujdo që bën presion për lirinë e votës, kujdo që do të blejë të ardhmen e tyre. Shqiptarët do tregojnë që liria e tyre nuk ka çmim,” tha Meta.
Deklarata e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta pas votimit për zgjedhjet parlamentare
Me këtë ditë të shenjtë në radhë të para më lejoni t’i uroj gëzuar Bajramin të gjithë shqiptareve e në mënyrë të veçantë gjithë besimtarëve, sidomos atyre që kanë bërë këtë muaj mjaft sakrifica. Zoti ua pranoftë agjërimin dhe ua shpërbleftë këto sakrifica, t’ua kthejë në begati, mirësi e lumturi për familjet e tyre edhe për të gjithë shoqërinë tonë.
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë. Gjithashtu është një ditë që duhet të jetë festa e demokracisë për vendin. Duhet të jetë dita e qytetarëve, nuk duhet të jetë dita e politikanëve, sepse janë qytetarët ata që duhet të thonë fjalën e tyre, të cilët duhet të dëgjohen dhe të cilët duhet të vendosin. 
Unë nuk kam asnjë mesazh sot e se për kë ata duhet të votojnë. Por e kam një mesazh se për çfarë ata nuk duhet të votojnë.
Ata duhet të votojnë kundër kujtdo që bën presion mbi lirinë dhe vullnetin e tyre. Ata duhet të votojnë me ashpërsinë më të madhe kundër kujtdo që kërkon të blejë të ardhmen e tyre, sepse sot shqiptarët duhet të tregojnë dhe do të tregojnë që liria dhe dinjiteti i tyre nuk ka çmim. E ardhmja e fëmijëve të tyre është gjëja më e shenjtë për ta sot në këtë ditë të shenjtë për të gjithë.
Ka pasur raportime të ndryshme ditët e fundit për shitblerjen e votës…
Shqiptarët duhet të ndëshkojnë të gjithë ata që dërgojnë sekser për të blerë të ardhmen e shqiptarëve, për të blerë të ardhmen e fëmijëve të tyre. Liria dhe dinjiteti i qytetarëve shqiptar nuk ka çmim. E ardhmja e fëmijëve të tyre nuk ka çmim. Mendoj se këtë do ta tregoj sot Shqipëria do ta tregojnë të gjithë shqiptarët.
A vazhdoni t’i qëndroni deklaratës se nuk do të dekretoni qeverinë e re nëse nuk ka proces të rregullt?
Nuk është momenti për të bërë deklarata politike. Është momenti për t’i bërë thirrje të gjithëve të shkojnë të votojnë. Të votojnë për demokracinë, të votojnë për lirinë e tyre, të votojnë për dinjitetin e tyre, të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Sigal