Meta: Karagjozët mos bëjnë prova force, Europa nuk është thjesht euro…

234
Sigal

Konferencë për Shtyp e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta

Pyetje (Everest Deda nga Televioni “Ora News”): Kam dy pyetje, e para lidhet me Tetrin: Pavarësisht dy padive në Gjykatën Kushtetuese dhe një padie të tretë në SPAK nga ana e artistëve, duket se mazhoranca, por edhe Bashkia Tiranë janë të vendosur për prishjen e Teatrit, për faktin se nesër në orën 12.00 mblidhet Këshilli Bashkiak për të marrë këtë vendim. Zoti President a do të jeni ju me qytetarët dhe artistët në shesh për të mbrojtur Teatrin ashtu siç bëtë muaj më parë për të mbrojtur Kushtetutën?

Një pyetje e dytë që lidhet me Gjykatën e Lartë: I keni kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor shkarkimin, ose më mirë ndërprerjen e anëtarit Ardian Dvorani. Cila do të jetë rruga që do të ndiqet Zoti President në qoftë se EURALIUS-i dhe USAID-i do të jenë kundër kërkesës suaj në opinionin e tyre? Dhe si rrjedhojë edhe vendimi i KLGJ-së do të jetë kundër kërkesës suaj?

Presidenti Meta: Ju patët fatin të ishit i pari që bëtë dy pyetje. Mund të ketë edhe të tjerë që dëshirojnë të bëjnë pyetje të tjera, por më duket se çështja për të cilën unë kam dalë këtu është e një rëndësie të veçantë. Nuk është çështje procedurash. Është çështje e nivelit kushtetues dhe askush nuk mund të fshihet as sot, as nesër, dhe as në të ardhmen pas procedurave për shkelje të vetëdijshme e të qëllimshme të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të cilat cenojnë një interes të përbashkët të të gjithë qytetarëve të Republikës, por edhe të të gjithë shqiptarëve kudo në botë, që ka të bëjë me interesin kombëtar dhe kulturor.

Për sa i takon asaj se ku do të jetë Presidenti: Presidenti është gjithmonë në krye të detyrës së tij në mbrojtje të Kushtetutës, të interesit kombëtar, të interesit publik. Dhe do të jetë gjithmonë në krye të detyrës.

Përsa i takon ndonjë karagjozi që kërkon të bëjë prova force me Presidentin apo nuk e di me kë tjetër, duhet ta ketë të qartë se Presidenti sillet me përgjegjësi maksimale, mban shënim çdo gjë, i ka bërë paralajmërimet të përsëritura.

Presidenti do të bëjë detyrën e tij, pa rënë në provokime banale dhe i ka ftuar të gjithë që të menaxhojnë me përgjegjësi një situatë tepër shqetësuese, edhe të shëndetit publik, e cila ende vazhdon. Edhe të ekonomisë e të problemeve të jashtëzakonshme të rritura sociale.

U ka bërë thirrje të gjithëve të përqendrohen te 15 kushtet e Bashkimit Europian. Nuk kemi nevojë të shtojmë kushte të tjera.

Dhe sjellja ndaj kësaj çështjeje nuk është e dimensioneve thjesht lokale, por është një çështje që monitorohet me vëmendje maksimale. Dhe do të kishte një ndikim edhe më rëndëues, edhe më përkeqësues për pozitën tonë, e cila nuk është aspak për t’u krenuar në raport me perspektivën e çëljes reale të negociatave.

Duhet të tregojmë se jemi një vend që pavarësisht nga problemet e akumuluara, sillemi me përgjegjësi maksimale, merremi me çështjet më të rëndësishme që na duhet të zgjidhim sipas parimeve të shtetit të së drejtës dhe në mënyrë konstruktive.

Pastaj secili zgjedh rrugën e tij. Të zgjedhi edhe përgjegjësitë e tij! Të zgjedhë edhe pasojat e tij! Këto nuk janë çështje, të cilat do të harrohen apo do të mund të amnistohen, sepse janë çështje të interesit kombëtar.

Kështu që shpresoj që të gjithë të reflektojnë! Secili të respektojë kompetencat e tij! Të tregojë durim, sepse shqiptarët kanë probleme alarmante që kanë të bëjnë me shëndetin e tyre, me sigurinë e tyre, me ekonominë, me problemet e jashtëzakonshme të papunësisë, që janë shtuar për arsye të cilat i dimë. Dhe kjo kërkon më shumë përgjegjshmëri dhe jo papërgjegjshmëri ekstreme, sikurse për fat të keq vemë re disa akte që nuk i shërbejnë kurrsesi interesit të përgjithshëm as aktual, sepse është një situatë delikate dhe e veçantë, por as situatave të perspektivës sonë evropiane.

Shpresoj që të gjithë t’u përmbahen përgjegjësive të tyre, dhe të heqin dorë nga provokimet pasi këto nuk do të ishin ato që do të ndihmonin pozitën e kujdo!

Edhe një herë ju falënderoj për vëmendjen, por nuk do të dëshiroja që të merresha me çështje të tjera, se kjo ishte çështja kryesore. Padyshim që meritonte këtë vëmendje, sepse është një nga kauzat më fisnike në 30 vitet e demokracisë, të pluralizimit politik, dhe padyshim që të gjithë kanë qenë dhe janë për t’u bërë jo një, por mundësisht disa salla të reja për Teatrin Kombëtar apo për teatrot lokale. Dhe mendoj se shteti, bashkia, i kanë të gjitha mundësitë për ta bërë këtë, por kurrsesi duke shkatërruar ose duke shuar Teatrin Kombëtar apo gjithë atë histori 80-vjeçare të tij.

Pyetje (Ergys Gjonçaj nga “News 24”): Zoti President, pas qëndrimit tuaj të parë të së shtunës së kaluarës, reagoi kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, i cili përdori një shprehje në dialektin e Tiranës: “Grah gomarin tënd!” A keni ju një reagim për këtë?

Presidenti Meta: Unë ju uroj që të kaloni sa më mirë sot! Ishte kënaqësi që patëm këtë komunikim!

Dua ta theksoj edhe një herë për cilindo, që nuk e ka kuptuar akoma e që ndoshta nuk do ta kuptojë asnjëherë, që Europa nuk është thjesht euro, por në radhë të parë është kulturë, është vizion, por është edhe identitet!

Ju faleminderit!