Propozimet e LSI për reformën në Drejtësi

512
Komisioni Parlamentar për reformën në drejtësi, në mbledhjen e fundit diskutoi draftin e përgatitur nga specialistët vendas dhe të huaj. Mirëpo PD kërkoi që drafti i saj për reformën në drejtësi të dërgohet paralelisht në Komisionin e Venecias dhe aty të vlerësohet. Komisioni Parlamentar i reformës në drejtësi pranoi që të dërgojë në Komisionin e Venecias, për një gjykim final, edhe rekomandimet e opozitës. “Opozita do të përgatisë amendamentet dhe komentet e saj në mënyrë që drafti të shkojë në Komisionin e Venecias. Kërkesa jonë u miratua dhe përshëndesim të gjithë faktorët që ndikuan në këtë drejtim”, – u deklarua nga PD, pas mbledhjes së Komisionit Parlamentar të reformës në drejtësi. Gjithashtu, deputeti i LSI Spartak Braho dhe anëtar i këtij komisioni parlamentar paraqiti edhe propozimet e LSI për draftin e reformës, të prezantuar nga specialistët e këtij komisioni. 
Ja disa nga propozimet e LSI për reformën në drejtësi
1. Neni 12 i projektligjit, një sugjerim për një formulim të mundshëm të këtij parashikimi është “Ligji i miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës nuk mund të jetë objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese”.
2. Lidhur me nenin 2 të projektligjit, që sanksionon se “Republika e Shqipërisë merr pjesë në Bashkimin Evropian […]”, terminologjia e përdorur është e gabuar. Në çdo akt që i referohet Bashkimit Evorpian, termi i përdorur për shtetet që janë pjesë e këtij entiteti, është termi “anëtarësim”. 
3. Lidhur me nenin 5 të projektligjit, që në nenin 39, pika 2, e Kushtetutës, shton parashikimin “dhe kur parashikohet në legjislacionin e Bashkimit Evropian”, sjellim në vëmendjen tuaj se një parashikim i tillë, jo domosdoshmërisht është i nevojshëm.
4. Neni 43 i Kushtetutës, që riformulohet nga neni 6 i projektligjit, është i keqformuluar, dhe jo në nivelin e një dispozite kushtetuese.
5. Në nenin 8 të projektligjit, parashikohet të shtohet neni 80/1 që sanksionon se Këshilli i Ministrave i raporton Kuvendit për vendimet që përgatit në kuadrin e pjesëmarrjes në institucionet e Bashkimit Evropian. Në këtë parashikim, gjejmë të paqartë disa çështje si:
a) Çdo të kuptohet me “vendimet që përgatit Këshilli i Ministrave”? Bëhet fjalë për vendimet që miraton Këshilli i Ministrave, në kuadër të akteve të aquis, apo të të gjitha akteve normative sipas nenit 118 të Kushtetutës?
b) Në çdo rast, raportimi bëhet para miratimit të këtyre akteve, apo pas?
c) Çfarë do të kuptohet me “pjesëmarrje në institucionet e Bashkimit Evropian”? Ky term i referohet momentit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?
d) Ku qëndron nevoja e përgatitjes së rezolutave dhe konkluzioneve nga Kuvendi? Rezolutat dhe konkluzionet në këtë rast do të nxirren për pjesëmarrjen në institucionet e Bashkimit Evropian, apo për vendimet që ka përgatitur Këshilli i Ministrave?
6. Në nenin 9 të projektligjit, që parashikon shtimin e paragrafit 3/1 në nenin 109 të Kushtetutës, është përdorur termi “rezident”, term ky i huaj dhe i panjohur nga rendi ynë i brendshëm juridik. 
7. Lidhur me nenin 10 dhe 11 të projektligjit, sjellim në vëmendjen tuaj disa çështje problematike:
a) Shfuqizimi i paragrafit 3 të nenit 122 është tërësisht i paqartë dhe i paargumentuar. Ky paragraf përcakton se normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit, kur në marrëveshjen e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për pjesëmarrjen në atë organizatë, parashikohet shprehimisht zbatimi i drejtpërdrejtë i normave të nxjerra prej asaj. 
Në këtë rast, sjellim në vëmendjen tuaj se me termin “organizatë ndërkombëtare” të përdorur në këtë paragraf, nuk referohet vetëm Bashkimi Evropian, por një sërë organizatash ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është tashmë e anëtarësuar. Përkundrazi, përdorimi i termit “organizatë ndërkombëtare” mbulon si anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ashtu dhe në organizata të tjera. 
b) Një çështje tjetër e paqartë është se ç`do të ndodhë në rast konflikti të normave të brendshme me ato të nxjerra nga një organizatë ndërkombëtare, ku tashmë Shqipëria është palë. Paragrafi 2/1 që shtohet, nuk rregullon çështjet e ngritura më sipër, dhe as nuk lë hapësirë për rregullimin e konfliktit të mundshëm të normave juridike të brendshme me ato të nxjerra nga organizatat ndërkombëtare në të ardhmen.
c) Në përfundim, edhe teknika legjislative e përdorur për shfuqizimin dhe shtimin e paragrafëve është e gabuar. Në këtë rast, mund të parashikohej në një nen të vetëm të projektligjit, ndryshimi i paragrafit 3 të nenit 122, me përmbajtjen që është propozuar të shtohet në paragrafin 2/1.
d) Lidhur me parashikimin e paragrafit 2/1 se e drejta e Bashkimit Evropian ka epërsi mbi të drejtën e brendshme të Republikës së Shqipërisë, sjellim në vëmendjen tuaj se një parashikim i tillë është i pamenduar mirë dhe nuk merr në konsideratë faktin se legjislacioni i Bashkimit Evropian ndahet në legjislacion primar dhe në legjislacion sekondar. 
8. Neni 15 i projektligjit, në formulën që përcakton për përzgjedhjen e anëtarëve, sërish nuk qartëson mënyrën e përzgjedhjes. Në këto kushte, a garanton kjo formulë shmangien e problemeve të deritanishme dhe si?
10. Lidhur me nenin 21 të projektligjit, në nenin 130 të riformuluar, vlerësojmë se dispozita në fuqi është më e qartë, duke sanksionuar se qenia gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private. Ky sugjerim të mbahet në konsideratë dhe për nenin 36 të projektligjit, që ndryshon nenin 143 të Kushtetutës.
11. Në nenin 22 të projektligjit, që ndryshon paragrafin “f)” të nenit 131, është e paqartë se kujt i referohet termi “akte të pushtetit publik”.
12. Lidhur me nenin 23, të projektligjit:
a) Sa i takon rregullave të teknikës legjislative, shtimi i një paragrafi të ri në nenin 131, mund të bëhet përmes nenit 22 të projektligjit, që parashikon ndryshime në nenin 131 të Kushtetutës, dhe jo në një nen më vete.
b) Sa i takon parashikimit se Gjykata Kushtetuese vendos për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve juridiksionale, si dhe të kompetencës lëndore dhe funksionale midis Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë Administrative, një parashikim i tillë jo vetëm që është i tepërt, në kushtet kur si kompetenca lëndore dhe ajo funksionale për secilën nga këto gjykata renditet në Kushtetutë, por edhe parimisht, në rast konflikti mes dy organesh, si rregull, konfliktin mund ta zgjidhë një organ i tretë.
14. Në nenin 27 të projektligjit, në paragrafin 3 të nenit 135 të Kushtetutës, sugjerojmë të shtohet termi “me ligj” pas fjalës “krijon”, për të saktësuar aktin me të cilin Kuvendi mund të krijojë gjykata për fusha të veçanta.
15. Lidhur me nenin 28 të projektligjit, konstatojmë disa çështje problematike si më poshtë:
a) Në relacionin shoqërues thuhet se Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë ka identifikuar si problematika nivelin e ulët të profesionalizmit dhe pavarësisë së Gjykatës së Lartë në tërësi. Ndërkohë, në zgjidhjen e ofruar në nenin 136, parashikohet emërimi i gjyqtarëve të kësaj gjykate nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Por lind pyetja, përbërja e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, a ofron garanci për pavarësi?
b) Në relacionin shoqërues (faqe 9), thuhet se propozimi ka qenë që Gjykata e Lartë të kthehet në gjykatë karriere. Ndërkohë që, propozimi në nenin 28 të projektligjit, nuk reflekton aspak këtë propozim. Nëse Gjykata e Lartë do të ishte gjykatë karriere, të gjithë anëtarët e saj do të vinin nga pushteti gjyqësor dhe jo nga radhët e juristëve me përvojë, pavarësisht kritereve të përcaktuara. Për më tepër, propozimi nuk evidenton as nëse do të ketë ndonjë raport mes anëtarëve që vijnë nga gjyqësori dhe atyre që vijnë nga radhët e juristëve.
c) Në paragrafin 2 të nenit 136, termi “profesor i së drejtës” që përdoret, i referohet titullit akademik, apo faktit të mësimdhënies në drejtësi?
d) Termi “administratë e lartë publike” është tërësisht i paqartë se cilave organe i referohet, në kushtet kur në legjislacionin në fuqi nuk ka një përkufizim të saktë.
e) Paragrafi 2 dhe paragrafi 5 i këtij neni, referojnë në caktimin e procedurave të zgjedhjes së gjyqtarëve me ligj. Një përsëritje e tillë është e panevojshme. Për pasojë, sugjerojmë riformulimin. 
Sigal