Meta: Çdo qytetar duhet të ndihet i mbrojtur nga shteti, jeta e tyre prioritet absolut

369
Sigal

Intervista e Presidentit Meta për emisionin “PËRBALLË” të gazetarit Lufti Dervishi në “RTSH” 

I ftuar në emisionin “Përballë”, Presidenti Meta u shpreh se ‘çdo qytetar duhet të ndihet i mbrojtur nga shteti, dhe se jeta e tyre është prioritet absolut’

Pyetje: Në një anë kemi njerëzit e prekur dhe njerëz që po kurohen dhe në anën tjetër janë njerëzit, që po u kërkohet që të rrinë në shtëpi, të mos bëjnë asgjë, por të rrinë në shtëpi. Por këto njerëz duke ndenjur në shtëpi kanë nevojë edhe të ushqehen, në këtë pikëpamje ju keni takuar dhe ministrin Ahmetaj, që është dhe përgjegjës për këtë situatën. Jeni i kënaqur me planin e paraqitur të qeverisë?

Presidenti Meta: Plani i qeverisë unë mendoj që është plani i parë. Nuk mund të jetë plani i fundit, por si plan i parë padyshim që duhet përshëndetur dhe duhet mbështetur dhe ai synon të bëj disa adresime të shpejta të financimeve të domosdoshme në përballim e kësaj situate, si për sa i takon forcimit të shëndetësisë me mjetet, me aparaturat, me logjistikën shtesë që duhet.

Si përsa i takon pastaj mbështetjes për biznesin, të familjeve në nevojë.  Natyrisht që është një proces i cili ka nevojë për detajim, për identifikim të mëtejshëm, në mënyrë të veçantë për të qenë sa më pranë familjeve me më pak mundësi për ta përballuar këtë situatë në mënyrë, që atyre të mos u mungojnë asnjëherë ato domosdoshmëri jetike, të cilat do t’i mbanin të qetë në shtëpitë e tyre, në familjet e tyre derisa kjo situatë të përmirësohet.

Pyetje: Ndërkohë javën tjetër është fundi i muajit, njerëz që duhet të paguajnë faturat duhet të paguajnë qira, bizneset…

Presidenti Meta: Qeveria ka ndërmarrë disa masa në drejtim të lehtësimit të shumë detyrimeve edhe në raport me bankat, pra edhe në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe përsa u takon shumë detyrimeve që qytetarët kanë pranë institucioneve të ndryshme. Ky është një proces që do të vazhdojë në mënyrë që kostoja e përballimit të kësaj krize të ndahet në një mënyrë sa më të drejtë për të gjithë shoqërinë tonë.

Pyetje: E thënë thjeshtë, sfida është që të rrisim borxhin publik për shëndetin publik. A e shikoni që jemi të përgatitur të shkojmë drejt kësaj gjëje?

Presidenti Meta: Jemi në një situatë ku të gjitha vendet po ndërmarrin disa financime shtesë të paparashikuara dhe ky është një hap i parë. Në rast se do të duhen financime të tjera pa rrezikuar një rritje kritike të borxhit apo një çekuilibrim të treguesve ekonomikë do të ndërmerren masa të tjera në mënyrën më transparente.

Jemi përballë një fatkeqësie dhe cilado që të jetë kosto duhet bërë çdo gjë në këtë drejtim, sepse shëndeti dhe jeta e qytetarëve është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Unë besoj se kjo gjë do të bëhet në mënyrën më transparente që çdo qytetar të ndihet, jo vetëm i përfshirë, por edhe i mbrojtur maksimalisht nga shteti.

Pyetje: Deri javën e kaluar ka qenë ky debat, sidomos në Britaninë e Madhe po bëhet një debat midis shpëtimit të jetës së njerëzve përballë shpëtimit të ekonomisë, që ju e prekët pak. A e ndjeni që ky presion ka mbërritur edhe në Shqipëri tashmë?

Presidenti Meta: Fakti që është ndërmarrë një veprim, siç ishte edhe akti normativ i qeverisë për të bërë ndryshime të rëndësishme në buxhetin e shtetit, tregon që ky shqetësim ka mbërritur.

Pyetje: Nga po anojmë ne, nga shpëtimi i ekonomisë apo shpëtimi i jetës së njerëzve?

Presidenti Meta: Mendoj se të dyja duhen patur në konsideratë, por prioritet i parë dhe absolut mbetet shëndeti dhe jeta e qytetarëve dhe padyshim edhe pasojat në ekonomi të jenë sa më të pakta apo sa më minimale, por në çdo rast jeta e qytetarëve, shëndeti i tyre mbeten dhe duhen të jenë prioriteti absolut.

Pyetje: Skenari më i mirë që po diskutohet në të gjithë vendet, edhe në Shqipëri, është që numri i të infektuarve dhe të sëmurëve të jetë në nivele të tilla që të përballohet nga sistemi shëndetësor që kemi. A kemi ne shenjat që jemi të përgatitur për skenarin më të keq?

Presidenti Meta: Janë katër skenarë dhe në varësi me secilin ecuri të kësaj pandemie në nivel ndërkombëtar, por edhe në nivelin tonë lokal apo kombëtar, do të përshkallëzohen masat dhe do të merren masa të reja nëse do të jetë e nevojshme dhe e domosdoshme.