Më pak se 24 orë nga zgjedhjet/ Mitsotakis merr detyrën nga Tsipras, betohet si kryeministër

458
Sigal

Një ditë pas zgjedhjeve, dhe më pak se 24 orë nga mbyllja e qendrave të votimit, Greqia është sot me kryeministër të ri.

Udhëheqësi i qendrës së djathtë Demokracia e Re, Kyriakos Mitsotakis ka bërë sot betimin si kryeministër, ndërsa detyra i është dorëzuar nga vetë Aleksis Tsipras.

Në orën 13:00, sipas orës lokale, Mitsotakis shkoi në Presidencë për të bërë betimin si Kryeministër dhe mori mandatin nga Presidenti Pavlopoulos për formimin e qeverisë.

Partia e drejtuar nga Mitsotakis ka fituar 39.7% të votave, ndërsa partia Syriza e kryeministrit, Tsipras, është në vendin e dytë me 31.6%. Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje ishte në masën 57%.

Kryeministri i zgjedhur, Mitsotakis, tha se ardhja e tij në krye të shtetit është një mandat për ndryshim.

“Vendi ynë me krenari ngre kokën përsëri dhe se unë do të jemi kryeministër për të gjithë, sepse grekët janë shumë pak për të qëndruar të ndarë”, tha ai në një dalje publike, gjatë pasdites së djeshme.

Ndërsa, pas bërjes publike të rezultateve, kryeministri i deritanishëm, Alexis Tsipras, përmendi vendimet e vështira që është dashur të marrë në kohën sa ka qenë në pushtet.

“Sot, me kokën lartë, ne e pranojmë vendimin e popullit. Për të sjellë Greqinë aty ku është sot ne duhej të merrnim vendime të vështira me një kosto të rëndë politike”, deklaroi Tsipras përpara gazetarëve.