Mbyllet dosja e sterilizimit, Beqaj shpëton me akuzën shpërdorim detyre

21
Sigal

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për koncesionin e sterilizimit dhe ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ky i fundit akuzohet për veprën penale shpërdorimi i detyrës. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të gjykohet për koncesionin e Sterilizimit. SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatë, aty ku bashkë me Beqaj do të sqarojë pozicionin e tij, pasi më parë është pyetur me javë të tëra në Prukurorinë e Posacme. Ish-ministri akuzohet për veprën penale shpërdorimi i detyrës, ndërsa do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori kontratën. SPAK ka dërguar për gjykim edhe 6-ish zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. Hetimet për koncesionin e sterilizimit janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa SPAK akuzon për shkelje me vlerë 100 milionë euro. Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.