MASR ka para për tendera, por jo për rrogat e mësuesve

Mësuesit në Fier kanë mbetur pa rroga

Punësimet elektorale nuk ishin parashikuar në buxhet, tani nuk paguhen dot

NOA

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike nga zgjedhjet e 25 prillit, Albana Vokshi ka bërë denoncimin e radhës lidhur me atë që ajo, e cilëson si krim zgjedhor, e cila shkruan se mësuesit e punësuar para zgjedhjeve në Fier, ende nuk i kanë marrë rrogat.

Denoncimi

“Provat për vjedhjen e zgjedhjeve duke përdorur burimet shtetërore janë kudo. Duhet që 3 prej anëtarëve të KAS të mos i binden më Ramës, por ligjit dhe masakra  elektorale do të provohet edhe zyrtarisht. Një nga provat për të cilat KAS duhet të marrë informacion, janë  punësimet  elektorale. Mësuesit e marrë në punë për zgjedhje në shkollat e Fierit, kanë mbetur pa rroga. Ata nuk ishin parashikuar në buxhet dhe sot nuk paguhen dot, sepse janë jashtë organikës. Janë vetëm punësime të përkohshme elektorale në këmbim të votës. Ky skandal elektoral dhe nëpërkëmbje e dinjitetit njerëzor ka ndodhur në, të paktën 2 gjimnaze të Fierit, në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa” dhe në shkollat e mesme të bashkuara në Kafaraj, Povelçë e Cakran të Fierit. Këtë muaj  mësuesit “elektoralë” do të mbeten pa rroga, pasi u është thënë se, fondi limit mujor është tejkaluar. Nisja e këtij mandati të paligjshëm me mashtrim, keqtrajtim, dhe braktisje për mësuesit, na tregon sesa e drejtë dhe e pazëvendësueshme është beteja jonë për ndryshimin dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.”